Pika referimi

April 11, 2016 | 7:52

Mesazhet që transmeton nëna

1 Nga Diana Çuli

Nuk u përpoqa kurrë të isha “shoqe” e vajzës apo e djalit në moshën e tyre të njomë, nuk kam dashur kurrë të marr vesh sentimentet e marrëdhëniet e tyre intime, përveçse kur m’i njoftonin, kur ishin tashmë të bindur për lidhjet që kishin krijuar. Jam përpjekur të jem gjithnjë në rolin e prindit tolerues, mirëkuptues, por jo të pavëmendshëm dhe jo aprovues në gjithçka.

 

Shpesh mendoj se gratë shqiptare bëhen nëna në një kontekst shumë të paditur, të mbytur me tradicionalizma e paragjykime, të tipit – tani s’ka më jetë personale për ty, duhet t’i kushtohesh fëmijëve.

Mendoj edhe sa jetë grash vërtet janë shuar dhe anuluar në çastin kur janë bërë nëna, sa martesa të urryera kanë vazhduar të mbijetojnë për shkak të qetësisë shpirtërore të fëmijëve e shumë mendime të tilla, të tjera. Por, t’i rikthehemi temës. Tani, kur rrugët e vajzës dhe djalit tim duken se kanë nisur mbarë, vështirësitë e kaluara nuk më duken kushediseçfarë. Më zbehen vitet e para të tranzicionit, papunësia imja dhe e babait të tyre, fëminia e tyre e kaluar duke më pritur të kthehesha nga radhët e gjata, adoleshenca me Tiranën pa drita dhe me dyqane të zbrazëta, me shkollat pa xhama dhe pa ngrohje në dimër, unë dhe ati i tyre që përpiqeshim të përballonim jetën, të gjenim ushqim, rroba, punë të ndryshme, të paprovuara më parë, që ktheheshim zemërdredhur vonë në shtëpi dhe ata me çelës në qafë… gjyshërit që kujdeseshin…

Si ja kemi dalë?

I pari, sipas mendimit tim, është modeli. Nëse fëmijët shohin një nënë që punon paprerë, që nuk ankohet, që nuk llomotit gjithë ditën me shoqet, atyre u shënohet në ndërgjegje sinjali i punës dhe seriozitetit. Pastaj vijnë shumë faktorë të tjerë. Unë përpiqesha të gjeja kohën dhe t’u mësoja atë që mundesha, një gjuhë të huaj, për shembull. Ishte një orar që nuk ndryshonte, ku ftoheshin dhe dy tre vogëlushe e vogëlushë të tjerë. Nuk i ndihmoja për mësimet. Nuk i qortoja rëndë kur nuk merrnin notë të mirë, po ata e kuptonin se isha e mërzitur dhe e pakënaqur. Përpiqesha t’u transmetoja mesazhin se në shtëpinë tonë nuk ka vend për dembelizëm, për nota të këqija, për sjellje të pahijshme. Nuk u përpoqa kurrë të isha “shoqe” e vajzës apo e djalit në moshën e tyre të njomë, nuk kam dashur kurrë të marr vesh sentimentet e marrëdhëniet e tyre intime, përveçse kur m’i njoftonin, kur ishin tashmë të bindur për lidhjet që kishin krijuar.

Jam përpjekur të jem gjithnjë në rolin e prindit tolerues, mirëkuptues, por jo të pavëmendshëm dhe jo aprovues në gjithçka.

Të kuptohemi: nuk i kam bërë këto veprime me një racionalitet të ftohtë, ecja dhe unë në tym, më shumë me instinkt, se sa me rregulla strikte. Mësoja nga gabimet e mija dhe tërhiqesha e kërkoja të korrigjohesha. Problemin e shihja tek vetja dhe jo tek ata. Më duket shumë me vend një aksiomë e lashtë, që shpreh një ekuilibër: mos kërko që fëmijët të të shërbejnë, e ke ti për detyrë t’u shërbesh deri në fund. Ata do t’u shërbejnë fëmijëve të tyre dhe këta do t’u shërbejnë të vetëve.

Fëmijët i sjellim ne në jetë, jemi ne përgjegjëse për fatet e tyre dhe jo ata për ne. Do ta kenë peshën e tyre të rëndë të jetës, kur t’u vijë radha. Ne të mundohemi t’ua lehtësojmë këtë barrë.

 

Botuar në revistën Psikologji, gusht 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top