Nga: Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Im shoq mungon shpesh në familje. Nuk e kam fjalën fizikisht, në këtë pikëpamje ai është i pranishëm. Por kohës që është në shtëpi ai rri gjithnjë para televizorit, pa e vrarë aspak mendjen për të marrë pjesë në ndonjë veprimtari të përbashkët familjare. Edhe kur unë ia kërkoj, le të themi, të pyesë djalin si po ecën me detyrat, apo të nxjerrë rrobat nga lavatriçja pasi unë kam diçka tjetër në dorë, ai refuzon. A mos ndoshta unë e kam gabim që kërkoj më shumë bashkëpunim? Apo im shoq duhet të ndryshojë diçka në sjelljen e tij? Entela.Sh
Përgjigjie: E dashur Entela, Shpesh meshkujt priren në mendojnë se është i mjaftueshëm kontributi i tyre për të siguruar paratë në familje. Por harrojnë të kuptojnë se sa rëndësi ka që t’i japin modelin e duhur fëmijës së tyre, t’i tregojnë se interesohen për të, të shpenzojnë kohë cilësore dhe jo thjesht sasiore. Edhe punët e shtëpisë janë një ngarkesë që, edhe pse nuk shpërblehet me para, shpenzon shumë kohë dhe energji. Sigurisht që nuk e keni gabim që shqetësoheni për sjelljen e bashkëshortit tuaj për mungesën e bashkëpunimit të tij në familje. Lipset që ky i fundit të ndryshojë stilin e qëndrimeve në raport me këtë situatë. Ky është një kriter i rëndësishëm për të pasur harmoni në çift. Një gjë është e sigurt: Përpara se të kërkoni të përmirësoni këtë situatë, sigurohuni që të komunikoni hapur dhe qetësisht me bashkëshortin tuaj. 1-Mos filloni ta akuzoni atë në diskutim se sa i panevojshëm dhe jo bashkëpunues ka qenë gjithë këto vite e si juve po ju bie bretku. 2-Fillojeni me diçka pozitive, në mënyrë që i gjithë diskutimi të shkojë me nota pozitive. Ju mund të filloni duke i shprehur rëndësinë e punës që ai bën, duke i evidentuar anët pozitive që ai ka. 3-Mandej mund t’i shprehni qetësisht se sa shumë punë ka për të bërë edhe në shtëpi, të cilat kërkojnë pak ndihmë. Tregoji se për çfarë ti ke nevojë, ose dëshirë. 4-Në vazhdimësi pyete nëse mund të ta ofronte këtë ndihmë, pasi nuk ia del dot e vetme. Kurse të dy do t’ia dilni mirë. Sërish mund t’i ktheheni bisedës se sa të vështirë e ka ai që të ndryshojë të gjithë stilin e tij apo rutinën e ditës, por nevoja për ndihmë është shumë e madhe dhe koha do të shkurtohej për të dy, nëse do të ishin bashkëpunues në përmbushjen e këtyre detyrave. Vetëm kështu do mund të kesh të paktën mundësinë që të dëgjohesh dhe të kuptohesh, pastaj vendimi për të ndryshuar qëndrim në raport me kontributin i takon bashkëshortit tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.