Psikofakt

April 8, 2016 | 10:05

Të martohesh, apo të mos martohesh,kjo është çështja

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Aint-Exupery shkrimtari frëng i shekullit të kaluar, jep, në njërin prej librave të tij, “Toka e njerëzve”, këtë përkufizim të njeriut: “Etre homme, c’est être responsable”, pra, “Të jesh njeriu do të thotë të jesh i përgjegjshëm”. Dhe kjo që nga veprimet më të thjeshta deri tek aktet më të rëndësishme të një jete njerëzore. Çka do të thotë të parashikosh përgjegjësitë e mundshme e t’i marrësh ato përsipër. Një nga këto akte të rëndësishme është martesa ose, këtë dhjetëvjeçarin e fundit tek ne, edhe bashkëjetesa si variant më praktik i saj. Sigurisht, njerëzit vazhdojnë të martohen, këtë e dëshmojnë statistikat mbi numrin e martesave në zyrat e gjendjes civile, por edhe mbi numrin e divorceve në gjykata.

Gjithsesi, duke dëgjuar majtas e djathtas, poshtë e lart, të krijohet përshtypja se në qytetet e mëdha veçanërisht, si Tirana, për shembull, individët e grupmoshës 35-45 vjeç ngurrojnë të martohen. Një studim i mirëfilltë sociologjik në këtë drejtim do të nxirrte në pah, duke i analizuar e renditur sipas rëndësisë së tyre, arsyet e thella të kësaj dukurie shoqërore. Sipas mendimit tim, arsyeja themelore më ngjan të jetë druajtja përpara përgjegjësive, jo vetëm ekonomike, që rrjedhin nga martesa, por edhe thjesht nga bashkëjetesa: një familje me fëmijë për t’u ushqyer, veshur e mbathur, rritur e shkolluar, një shtëpi për t’u mirëmbajtur, prindër, motra e vëllezër si edhe të afërm, kushërinj apo krushq, që ju japin nga koha e tyre, por që edhe kërkojnë kohë nga e juaja, dhe e tëra kjo në kundërshtim me kërkesat tuaja për afirmim profesional dhe shoqëror vetjak. Pra, kalimi nga beqaria e lumtur dhe pa kokëçarje e stilit “ku rënçka mos u vrafsha” në jetën e koklavitur të çiftit, duket të jetë po aq i vështirë sa kalimi i fëmijës nga barku i nënës, ku ai nuk kishte asnjë përgjegjësi, në jetën e vetëdijshme, e cila e ngarkon gradualisht me përgjegjësi përherë e më të mëdha.

Një arsye tjetër më ngjan të jetë edhe “inercia” që krijohet si për mashkullin ashtu edhe për femrën pas të tridhjetave: në këtë moshë, beqari ose beqarja ka krijuar e konsoliduar tashmë një stil jetese ose, më thjesht, një mënyrë të jetuari që i jep siguri, qëndrueshmëri ritmi e refleksesh shoqërore. Paralelisht, te mjaft meshkuj e femra të kësaj moshe vjen e forcohet ndjenja e pavarësisë, e lirisë së të vepruarit pa qenë të detyruar të mbajnë parasysh kërkesat e bashkëshortit/es, të partnerit/es dhe të jetës që çojnë me atë. Kur e humbasin qoftë edhe pjesërisht këtë ndjenjë pavarësie e lirie, ata/ato përjetojnë një ndjenjë humbjeje (Jo rastësisht, një kolegia ime e re, gazetare e talentuar, kur më prezantoi djaloshin me të cilin bashkëjeton, më tha me humor kuptimplotë: “Ky është X-i, bashkëvuajtësi im”). Me një fjalë, edhe kur fitojnë mbi vetveten dhe ndryshojnë më në fund status, individët e kësaj grupmoshe provojnë shijen e humbjes së një parajse dhe të përballjes me një realitet që i ngarkon me përgjegjësi. Kur jeni të ftuar nëpër dasma dhe vjen momenti që, nën tingujt solemnë të orkestrës, shfaqet çifti i “lumtur”, a nuk gjendet gjithmonë dikush pranë jush që ju pëshpërit në vesh: “E hëngrën edhe këta dy!”? A nuk thoshte një personalitet me famë botërore se njeriu martohet për të zgjidhur ato probleme me të cilat nuk do të përballej po të mos martohej? Në fund të fundit, dilema është hamletiane, sidomos për 35-45-vjeçarët: Të martohesh apo të mos martohesh, kjo është çështja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top