FB

April 30, 2024 | 7:05

Individi në të ardhmen e afërt: Një I VETMUAR HIKIKOMORIS për të ardhur keq

 

“Doja të zhdukesha në heshtje pa e vënë re askush”; “Mund të fshihem vetëm në errësirë”; “U bëra HIKI pasi lashë shkollën e mesme në moshën 16-vjeçare… Jam 37 vjeç tani me mendjen e një 16-vjeçareje. Dy dekada dhe unë nuk kam bërë asgjë, nuk kam puthur kurrë, nuk kam gjetur kurrë një punë, thjesht kam kaluar çdo ditë në internet…”

rudina-koromani

Janë këto disa nga vetë-raportimet e individëve hikikomoris – një refuzim i vazhdueshëm për t’u larguar nga shtëpia, mosinteresim për shumicën e aktiviteteve, braktisje të shkollës / punës për të qëndruar në shtëpi dhe varësia nga familja, pa ndonjë plan të ardhshëm për mbështetje te vetja; një fenomen që shihet prej dekadash në Japoni si sindromë kulturore, por që po përhapet globalisht në vendet më të zhvilluara të botës e që mendohet se do jetë profili i individit të digjitalizuar modern në të ARDHMEN.  

 

Nuk është sëmundje (as depresion, as fobi, as… )

Studiuesit shprehen se zhvillohet si tërheqje graduale nga jeta dhe përgjegjësitë sociale (shkolla, puna) që nuk rrjedh nga ndonjë çrregullim mendor para-ekzistues. Për vitin 2022, Autoritetet japoneze raportuan mbi 2 milionë individë HIKI të izoluar në dhomat e tyre të gjumit.

 

Cilat mund të jenë arsyet?

Vështirësi tranzicioni në moshën e rritur? Epidemi izolimi ankthioz nga një botë e frikshme? Mos ndoshta promovimi i tepruar i sigurisë hiperprotektive ka krijuar individë kaq të frikësuar / të brishtë psikologjikisht?

Fenomeni në rritje Hikikomori ofron një dritare se si mund të jetë një prej Profileve të INDIVIDIT në të ARDHMEN.

“Për shtatë vjet në kulmin e rinisë së tij, Hiroki Takimoto mezi doli nga dhoma e tij e  gjumit në shtëpinë e prindërve të tij, duke lexuar libra të vjetër, duke luajtur video lojëra dhe duke ngrënë mbi krevat,  ndërsa përpiqej të fshihej nga bota”. Tashmë, shkrimtar profesionist 42 vjeç, i shëruar plotësisht nga sindroma, ai kujton në një intervistë për Telegraph dëshpërimin e tij të plotë pasi la shoqërinë dhe jetën normale midis moshës 18 dhe 25 vjeç; “Doja të zhdukesha në heshtje pa e vënë re askush. Ndjeva se isha vërtet gjallë vetëm kur shkova në banjë.”

Termi hikikomori, i përdorur për këtë gjendje të sëmurë moderne, i atribuohet një libri të vitit 1998 nga psikologu japonez Tamaki Saito për tërheqjen ekstreme sociale që bëjnë disa individë në një moment të jetës së tyre.

Autoritetet japoneze kanë shtuar përpjekjet për të kundërshtuar pasojat social-ekonomike të kësaj vale VETMIE që ka përfshirë Azinë Lindore prej 125 milionë banorësh, me frikën se  rritja e sindromës Hikikomori mund të përkeqësojë stanjacionin ekonomik në Japoni, duke shtuar sfidat e një popullsie në plakje dhe uljen e shkallës së lindjeve.

hikikomori

Përhapja globale e Sindromës Hikikomori mbart arsye të shumta sipas studiuesve:

….tipare jo të përshtatshme te personalitetit, dinamika të pafavorshme e familjes (përfshirë prindërimin dëmtues), përvojat negative të bashkëmoshatarëve, presionet shoqërore, përdorimi i tepërt i internetit dhe mediave digjitale, ngjarjet traumatike, ndjesia e paaftësisë së vetes për tu integruar (ndihen të traumatizuar nga përvojat e kaluara dhe rezervat e shprehura për përballimin e sfidave të së ardhmes në botën reale), vështirësia për të hyrë në tregun e punës, pashpresshmëria (ndjenja të paaftësisë për të jetuar në një botë kaq  sfiduese), lodhje në marrëdhënie (vetmia është më pak e dhimbshme për ta sesa të merren me njerëz të tjerë)

“Mund të fshihem vetëm në errësirë”, shprehet një HIKI, e frikësuar nga gjykimet e të tjerëve  Mungesa e alternativave dhe të një fati të pashmangshëm duket se i mposhtin individë të tillë, duke i çuar në beteja me vetëbesim të ulët në ndërveprimet e jetës reale.

 Hikikomori karakterizohet nga një refuzim i vazhdueshëm për t’u larguar nga shtëpia për më shumë se gjashtë muaj, mosinteresimi për shumicën e aktiviteteve, braktisja e shkollës, lënia e punës për të qëndruar në shtëpi dhe varësia nga familjarët:

“Çfarë do të bëjë ai kur unë të mos jem”? shprehet një nënë 77-vjeçare e ve për të birin 53-vjeçar hikikomoris…

Vetëm vitin e kaluar, Ministria e Barazisë Gjinore dhe Familjes e Koresë së Jugut nisi një program që ofronte një pagesë mujore prej 490 dollarësh për të rinjtë e izoluar për t’i riintegruar ata në shoqëri, për të ndjekur shkollën dhe për të kërkuar punësim.

Për më tepër, sindroma nuk kufizohet vetëm në Japoni, por gradualisht po përhapet në shumicën e vendeve të lidhura në mënyrë digjitale në mbarë botën, duke përfshirë SHBA-në, Kinën, Indinë, Brazilin dhe vende të tjera evropiane.

Termi “Hikikomori”është një kompozim i fjalëve japoneze “hiki” (të tërhiqesh) dhe “komori” – brenda, duke iu referuar “njerëzve që izolohen nga shoqëria”. Hikikomori është një sindromë kulturore, e studiuar gjerësisht në Japoni.

 

Si të riintegrohet Hikikomori përsëri në shoqëri?

Mbështetje familjare, rritja e aftësive të komunikimit dhe rregullimi i pritshmërive të tyre, ekspozimi gradual në jetën reale, mbështetje për shëndetin mendor (psikoterapi individuale e familjare) për të ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes.

Fenomeni i hikikomori nënvizon rëndësinë kritike të mbështetjes sociale dhe prioritizimit të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në të gjithë botën. Është thelbësore të krijohen mjedise ku individët ndihen të vlerësuar, të mbështetur dhe të fuqizuar për të kërkuar ndihmën që meritojnë.

Mënyra e vetme për të shmangur “Problemin 2050” është të sfiduarit në mënyrë aktive i këtyre frikërave duke promovuar forcën psikologjike të individit, fleksibilitetin e të menduarit dhe vetë-efikasitetin.

 

Çfarë bën një hikikomori gjatë gjithë ditës?

Hikikomoris qëndrojnë në dhomën e tyre gjatë gjithë ditës. Ata kryesisht kanë një model gjumi në të cilin qëndrojnë zgjuar gjithë natën dhe flenë gjatë ditës – një mënyrë për të shmangur takimin ose bisedën me dikë. Ata zakonisht luajnë shumë videolojëra. Edhe për ushqim, preferojnë ta marrin tek dera. Nëse një individ izolohet në dhomën e tij për më shumë se 6 muaj- merr sindromën HIKIKOMORIS.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top