Në revistën e njohur shkencore “Science”, një ekip studiuesish nga Humanitas në Milano i koordinuar nga profesoresha Maria Rescigno, drejtuese e Laboratorit të Imunologjisë Mukozale dhe Mikrobiotike dhe profesoreshë e Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin Humanitas, ka publikuar rezultatet e një studimi që hap skenare të reja në njohjen e funksionimit të njërës prej barrierave midis qarkullimit të gjakut dhe trurit, pleksusit koroid.
Ankthi është pjesë e sëmundjes
Rescigno shpjegon: “Mekanizmi që bllokon hyrjen në tru të sinjaleve inflamatore që kanë origjinën në zorrë dhe migrojnë në organe të tjera falë rrjedhjes së gjakut është dokumentuar në pleksusin koroid. Ky fenomen shoqërohet me një izolim të trurit nga pjesa tjetër e organizmit i cili është përgjegjës për ndryshimet e sjelljes, duke përfshirë shfaqjen e gjendjeve të ankthit. Kjo do të thotë se këto gjendje të sistemit nervor qendror janë pjesë e sëmundjes inflamatore të zorrëve dhe jo vetëm manifestime dytësore”.
Pleksusi koroid
Pleksusi koroid është një strukturë e trurit që normalisht lejon lëndët ushqyese dhe qelizat imune të hyjnë në tru dhe filtron lëngun cerebrospinal. Aktiviteti i saj si një membranë vaskulare, e aftë për t’u hapur dhe mbyllur, si një ‘portë’, në varësi të skenarit rrethues ishte i panjohur.
Barriera mbron trurin
Studimi tregon se kjo ‘portë’ mbyllet përballë rrezikut të inflamacionit të fortë të zorrëve për të parandaluar përhapjen e inflamacionit në tru – thotë mikrobiologia Sara Carloni – me pasojë zhvillimin e ankthit dhe depresionit”.
“Zbulimi se një barrierë vaskulare në pleksusin koroid riorganizohet dhe mbyllet për të bllokuar hyrjen e substancave toksike të prodhuara si pasojë e një patologjie të zorrëve është me interes të madh”, nënvizon Simona Lodato, drejtuese e Laboratorit të Neurozhvillimit Humanitas.
Hulumtimet e fundit kanë treguar se lidhja e aspekteve psikologjike me një ndërhyrje në ekuilibrin e zorrëve mund të çojë ndjeshëm në reduktimin e simptomave të ankthit dhe gjithashtu nga stresi në përgjithësi.
Burimi / https://humanum.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.