Mirëqenie

January 15, 2018 | 16:31

INTERVISTA/ Dorian Koçi: Skënderbeu ishte një princ evropian, nuk vishej me tirqe dhe opinga

Kërkimet do të vazhdojnë gjatë për të, sepse dhe dokumentacioni i pazbuluar është i konsiderueshëm aq sa madhështia e tij, si politikan, diplomat e strateg lufte, mund të marrë dimensione të reja…

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

…Figura e heroit kombëtar të shqiptarëve do të vijë me këmbë në tokë, krejt racional dhe përfundimisht i ndarë nga mitizimi apo këndvështrimi si personazh letrar. Për më tepër, Skënderbeu apo Gjergj Kastrioti i quajtur që prej fëmijërisë, do të bëhet i njohur për publikun nëpërmjet gravurave të kohës, pa tirqe e xhubletë krahëve e për më tepër pa opinga mbathur në këmbë. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr.Dorian Koçi thotë se në fund të fundit Skënderbeu ishte një princ evropian dhe si i tillë nuk i takonte të vishej me opinga. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi etnografët thonë se veshja e malësorëve të veriut me tirqe e xhubleta daton të paktën një shekull më vonë nga vdekja e Skënderbeut.

Por çmitizimi i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve ka nisur më herët në ambientet e Muzeut Historik. Në këtë proces është angazhuar dhe Virgjil Kule, menjë vepër studimore mjaft të qarkulluar. E siç pohon vetë autori, për të ngritur identitetin historik të Gjergj Kastriotit i është dashur një punë shumëvjeçare bazuar mbi një metodikë avangarde të kërkimit shkencor për të dhënë një njeri larg legjendës dhe krejtësisht racional. Një gjë të tillë dhe shumë të tjera më pas, Virgjil Kule i bëri të njohura gjatë një takimi organizuar vetëm një muaj më parë e të loguar si: “Klubi i leximit pranë muzeut”, ku me cilësinë e studiuesit, foli mbi veprën e tij madhore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit”.

Por nga 17 janari, datë e cila përkon dhe me 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, një ekspozitë e titulluar “Moti i Madh” do të na njohë me krejt epokën Skënderbejane, me dokumentacione të hershme e gravura që herë janë skanuar nga syri i vizitorit e herë duken krejt të papara. E për të shpjeguar më shumë se kaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi thotë:

Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

Si do të pasqyrohet 550 vjetorit i Skënderbeut në Muzeun Historik Kombëtar?

Ekspozita “Motit të Madh” do të çeli siparin e aktiviteteve për Skënderbeun në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë ekspozitë, e cila hapet në datën 17 janar ditën e vdekjes së Skënderbeut, do të pasqyrohen çastet më të rëndësishme të qëndresës 25 vjeçare të Heroit tonë Kombëtar. Pjesë e imazhit do të jenë dhe projeksionet artistike me dokumentarë dhe fragmente nga filmi i Skënderbeut. Një gjë e tillë do të pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Për hir të së vërtetës në trajtimin që i është bërë vazhdimisht figurës së Skënderbeut, sidomos nga ana figurative,është munduar që ai të vinte sa më afër kohës sonë duke e veshur me tirqe dhe opinga. Por kjo gjë që nuk i shkonte statusit të tij. Skënderbeu nga ka qenë vetëm një hero i shqiptarëve por një princ i niveleve evropiane ndaj duke e marrë dhe duke e risjellë në këto nivele Muzeu Historik Kombëtar kërkon që ta risjellë këtë personazh të njohur të historisë nëpërmjet gjithë rrjedhave të historisë Evropiane. Ndaj në ekspozitë do të prezantohen gravura të veçanta të shekullit XV, nga libra të veçantë të historisë së Barletit që është botuar në gjermanisht apo latinisht. Këtë e kemi bërë me ndërgjegje të plotë për të dhënë idenë dhe për të konceptuar se si ka qenë e pranuar dhe e perceptuar figura e Skënderbeut në Evropën e asaj kohe.

Ekspozita do të qëndrojë vetëm në Muzeun Historik apo do të zhvendoset edhe në qytete të tjera?

Në fakt, ne kemi menduar që kjo ekspozitë do të jetë shëtitëse në vende të ndryshme të Evropës. Me këtë kërkojmë të bëjmë të njohur një epokë shumë të rëndësishme të shqiptarëve. Po bëhen te gjitha përpjekjet edhe me përfaqësitë tona diplomatike që ta mundësojnë një gjë të tillë në ato vende ky janë atashuar. Synojmë që këtë ekspozitë ta çojmë edhe në qytetin e Dubrovnikut, pikërisht në vendin ku ndodhen më së shumti arkivat e Skënderbeut, pra ish-Raguza e vjetër. Ka një dokumentacion të pasur në këtë qytet dhe nuk ka ardhur i gjithi në Shqipëri. Jemi në kontakt që ato të vijnë për të pasur një qasje të drejtpërdrejt ndaj vetë dokumenteve dhe fakteve origjinale.

A ka një qëllim çelja e ekspozitës “Moti i Madh”?

Ne duam që vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Sa do të përfshihet Muzeu Historik në aktivitetet e Vitit të Skënderbeut?

Ky vit i rëndësishëm jubilar do të jetë edhe më gjithëpërfshirës në të gjitha hallkat e institucionit. Këtu merr një rëndësi shumë të veçantë e gjithë epoka, qoftë me “Një pasdite në muze” që ne organizojmë, qoftë për sa i përket kurimit të ndryshëm të objekteve të asaj kohe, por qoftë dhe me programet e edukimit që gjithashtu organizohen nga Muzeu Historik Kombëtar.

Për hir të së vërtetës, Viti i Skënderbeut nuk ka në vëmendje të tij vetëm Skënderbeun. Në fakt, brenda këtij viti ka dhe ngjarje të tjera të rëndësishme që kanë po të njëjtën rezonancë. Kemi 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilat do të përkujtohen dhe festohen në kuadër të vitit të Skënderbeut. Edhe aktivitetet e tjera që do të organizojë Muzeu Historik Kombëtar do të jenë dhe në kuadër të këtyre ngjarjeve. Në këtë mënyrë do të kemi një përafrim dhe një përqasje më tepër të historisë.

Për këto ngjarje kaq të rëndësishme Muzeu Historik Kombëtar do të vejë në dispozicion hollin qendror të godinës si dhe sallën e ekspozitave. Ndërkohë që salla “UNESCO” dhe ajo “Shpataraku” gjithashtu do të jenë të gatshme për të zhvilluar aktivitete shkencore dhe mbajtje kumtesash. Nga ana tjetër vizitorët do të mund të njihen me objektet e kësaj periudhe që janë të pasqyruara edhe në Pavijonin e Mesjetës, ku një hapësirë të madhe të tij e zë periudha e Skënderbeut.

Por gjithsesi, sjellja e një pjese të dokumenteve nga Raguza, Dubrovniku i sotëm, aty ku ruhet edhe arkiva më e madhe për heroin kombëtar, janë disa nga angazhimet e Muzeut Historik Kombëtar.

Cilat janë objektet që ruan Muzeu Historik Kombëtar nga periudha e Mesjetës dhe më konkretisht nga ajo e Skënderbeut?

Objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Ndërsa në ekspozitën “Moti i Madh” do të ketë ekspoziturë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top