Në fokus

September 4, 2017 | 9:29

Intervista/ Pianistja Klejda Tare: Dora e artistit mbi piano duhet të shkaktojë dridhje në shpirt

“Çelësat e pianos  janë të zinj dhe të bardhë, por ata tingëllojnë si një milion ngjyra në mendjen tuaj “- Maria Cristina Mena

1

Gishtat e saj kanë fuqinë të mahnisin kur fluturojnë mbi piano. E lindur në Korçë dhe diplomuar me medalje ari në Akademinë e Arteve, Klejda Tare rrëfen për revistën “Psikologjia” lidhjen e saj me këtë instrument që merr jetë nga duart dhe pasioni i artistit.

 

Nga Anisa Xhani

 

Klejda kur e keni prekur për herë të parë pianon?

Nuk më kujtohet tamam se kur jam “njohur” me pianon, madje më duket sikur kam lindur me të. Kam qenë rreth 5 vjeçe kur fillova të studioj piano, ndërsa prezantimi me të ka qenë më i hershëm, sepse mamaja ime ka qenë mësuese kantoje në shkollën e muzikës në Korçë e shpesh më merrte me vete. Mbaj mend që në konkursin e pranimit në klasën e parë, përveç kritereve që kërkoheshin, kam luajtur në piano Bethoven-Sonatine. Pastaj çdo gjë ka ardhur e natyrshme dhe vazhdoj edhe sot rrugëtimin me të.

Cila ka qenë pianoja më e veçantë mbi të cilën keni intepretuar?

Nuk mund të them se cila ka qenë pianoja më e veçantë, sepse çdo piano ka specifikat e saj. Në ndryshim nga instrumentistët e tjerë, të cilët luajnë me instrumentat e tyre dhe ia njohin të gjitha të mirat e të këqijat, puna e pianistit ndryshon, sepse ne studiojmë në tjetër piano e interpretojmë në koncerte në piano tjetër. Këtu qëndron edhe vështirësia jonë, sepse duhet t’i përshtatemi instrumentit në një periudhë të shkurtër, 1-2 ditë. Por nga ana tjetër, këtu qëndron edhe bukuria, sepse ne jemi gjithë kohës në kërkim, duke përjetuar emocione të veçanta.

1

Emocionet e suksesit, sa të rrisin apo ndërgjegjësojnë për të bërë një intepretim të mirë?

Kjo që thoni ju është mëse e vërtetë. Në fillim nis gjithçka si lojë, dëshirë apo pasion e pastaj shndërrohet në profesion e për më shumë në domosdoshmëri. Por nuk është aspak e lehtë, sepse nëse dikush tjetër përdor forcën e fjalës për t’u shprehur, ne prodhojmë gjendje emocionale. Nëpërmjet interpretimit tregojmë personalitetin tonë. Por më beso është shumë bukur kur spektatori vjen e të thotë se i ke ndryshuar gjendjen psikologjike me tingujt e tu. Sigurisht që skena është shkollë më vete, është diçka që e mëson në proces e që asnjëherë nuk ka fund. Por me kalimin e viteve rritesh, ndërgjegjësohesh e kupton edhe kush është mënyra më e mirë për të shprehur këto përjetime dhe botë artistike.

Prej sa vitesh merreni me muzikë? Çfarë është muzika për ty?

Ashtu siç të thashë më parë kam filluar të studioj piano 5 vjeçe e gjysmë e nuk kam ndaluar asnjëherë. Madje më kujtohet periudha e vështire e ’97-ës kur studioja në shkollë, shpesh pa drita e ngrohje dhe me një pjesëtar të familjes që më shoqëronte, por vetëm që të realizoja programin. Ndërsa tani nuk mund ta konceptoj ditën time pa u ulur në piano. Ndodh që edhe kur jam e mërzitur ulem të studioj, sepse është një “terapi” që më fal kënaqësi e më jep pozitivitet. Dhe për më tepër, është një mënyrë shumë e mirë për të thelluar njohjen me instrumentin e veprat, që për fatin e mirë janë të pafundme. Nga ana tjetër, nëse i ke të shkelura këto rrugë është shumë më e lehtë që t’ua transmetosh edhe studentëve.

1Si ju duket artdashësi në Shqipëri dhe ai në botë?

Publiku është pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e profesionit tonë. Ne punojmë qindra orë për t’ia servirur atë sa më bukur spektatorit dhe ai të kënaqet. Por nuk është e lehtë, sepse në shumicën e rasteve mungon menaxhimi artistik dhe duhet të bëjmë gjithçka vetë. Publiku shqiptar absolutisht që është i interesuar për këtë lloj muzike, por mendoj që ka akoma nevojë të edukohet, sidomos brezi i ri që ndikohet më shumë nga zhvillimet teknologjike. Spektatori e kupton mjaft mirë nivelin e performuesit, por ai ndikohet shpesh nga publiciteti i tepërt i eventeve të tjera e shpesh nuk gjen kohën apo informacionin e duhur për të ndjekur këto koncerte. E këtë e them me shumë keqardhje. Ndërsa jashtë është një situatë krejt tjetër, ku detyrat e përgjegjësitë janë të ndara e secili bën më të mirën e mundshme. Jo se atje nuk ndikohet nga rrymat e reja, por publiku i muzikës klasike është më besnik e dashamirës. Mendoj se na takon ne që ta afrojmë publikun me muzikë e cilësi të mirë. Uroj shumë që kjo të ndodhë, sepse lidhet me identitetin kulturor të një vendi.

Emocionet e shoqërojnë gjithmonë artistin? Çfarë taktike përdor për t’i përballuar dhe gjetur qetësinë te vetja?

Emocionet janë pjesë e jona. Ne rritemi, studiojmë e mësojmë si t’i kthejmë këto emocione në kënaqësi. E kam fjalën për emocionet pozitive, pa të cilat ne nuk interpretojmë dot. Emocionet e skenës janë ato që e ndriçojnë lojën. Është vështirë të shpjegohet, ti thjesht i ndjen. Ato të rrethojnë në ato momente e ti merr frymë me to. Si arrihet kjo? Nga përvoja personale mendoj se vetëm puna serioze të ofron siguri e të bën të mundur përfaqësimin dinjitoz në skenë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top