Marrëdhënie

April 1, 2016 | 8:30

Intervista/ Suela Demiri: Motrat

Ato janë motra dhe kjo është gjithçka mund të jenë për njëra-tjetrën. Një pasuri e patundshme e cila ka marrë vlerën e përjetësisë. Por asgjë nuk ndalet këtu. Ato janë veç dy, nga trungu fatlum prej pesë motrash. Janë dy, dhe s’mund të ishin një edhe nëse do të kishin lindur në të njëjtin çast. Ato s’kanë qenë rivale për të përfituar një përkëdhelje më shumë nga preferencat prindërore dhe as për meshkujt të njëjtë s’kanë menduar ndonjëherë së bashku. Rrugët e tyre kanë qenë krejtësisht të ndara, në një paralele të njëtrajtshme ku gjithçka merrte vlerë të pazëvendësueshme.

Suela dhe Albina, të dyja të rritura në mënyrë të konsiderueshme tashmë, zbërthejnë për Psikologjinë, kodin e tyre sekret, asaj të të qenit motra dhe shoqe, po aspak rivale qoftë dhe të heshtura e pa zë.

 

 1Suela Demiri gazetare

 1.Çdo të thotë për ty të pasurit katër motra?

Një fëmijëri shumë e bukur dhe një pasuri për gjithë jetën.

2. Si është ndërtuar marrëdhënia jote me to?

Tre më të mëdhatë në fakt kanë qenë me të vërtetë motra për mua kurse e katërta një shoqe shumë e ngushtë.

3.Përpos marrëdhënies, dashurisë dhe ndjenjës që mban gjallë këtë raport, a mendon se ka dhe doza rivaliteti? A ka ndodhur kështu me ju?

Ne kemi një ndryshim shumë të madh në moshë me njëra-tjetrën ndaj këtu nuk ka vend për rivalitet. Shto faktin që ato më kanë rritur ndaj dhe më kanë trajtuar si bijën e tyre, kanë qenë krenare njësoj si për fëmijën e vet.

4.Përveç sukseseve tuaja profesionale, a mendon se ka xhelozi mes ju të dyjave, apo me tre të tjerat që tashmë janë larg? Nëse po, pse? Nëse jo, pse?

Në rastin tim nuk bëhet fjalë për xhelozi. Nga ana tjetër ne i përkasim profesioneve të ndryshme, moshave të ndryshme madje pas martesës kemi jetuar në shtete të ndryshme. Kemi pasur kaq shumë mall sa që nuk mund të ekzistonte mëria apo xhelozia.

5.Ndoshta edhe në heshtje, njëra nga motrat preferon që të identifikohet me atë më të njohurën, më publiken? Ndodh me ju të pesta kështu?

Të katër motrat më të mëdha krenohen dhe identifikohen me mua. Ato jetojnë larg dhe në komunitetet shqiptare ku marrin pjesë fakti që janë motrat e mia i bën them unë më shumë personazhe, ndajnë së bashku me të tjerët mallin për vendlindjen, mallin për gjuhën. Shoqet e tyre në njëfarë mënyre më kanë edhe ato motrën e tyre.

6.A ju ndjekin motrat në daljet tuaja publike? Ju lavdërojnë më shumë apo ju kritikojnë? Albina që është këtu, për çfarë ju flet më shumë? Nuk e di ndonjë sugjerim për pamjen tënde? A për të shprehurit?…

Tre të mëdhatë më ndjekin vetëm nëpërmjet ekranit dhe më së shumti telefonojnë për të më bërë komplimente, kuptohet sepse malli nuk i lejon të jenë objektive. Albina nga ana tjetër ka qenë gjithmonë shumë kritike. Është njeri me shumë shije prandaj vërejtjet e saj për veshjen janë me shumë vend. Nga ana tjetër është një njohëse shumë e mirë e gjuhës shqipe dhe nuk të le të të shpëtojë qoftë edhe gabimi më i vogël në shprehje apo qoftë edhe një fjalë në gjuhë të huaj kur duhet në fakt që të shqipërohej.

7.Le të cekim pak fëmijërinë tuaj. Si keni qenë ju të pesta si motra? Kush toleronte më shumë? Kush ishte më grindavecja? Po për rrobat ziheshit ndonjëherë? A ndodhte të vishje t’i diçka prej tyre, pa u marrë leje?

Ka qenë një fëmijëri shumë e bukur. Nuk grindeshim kurrë me njëra-tjetrën. Ishim dhe motra dhe nëna (përveç meje që isha e përkëdhelura e te gjithave). Nuk kishte nevojë të  merrja veshje fshehurazi. Ato m’i jepnin vetë që unë të dukesha sa më mirë. Edhe tani më blejnë veshje pafund. Jam njësoj sikur të isha vajza e tyre. Duan dhe përpiqen që unë të  dukem sa më mirë.

8.Po gjatë periudhës të adoleshencës, a ishin motrat të parat që u rrëfeje për ndonjë ngacmim a pëlqim ndaj ndonjë djali? Si i mirëprisnin ato? Ishin të serta? Apo nga ato motra që të dëgjojnë deri fjalën e fundit…..për të të ndihmuar?

Lidhjet më të mëdha i kisha me Albinën. Tre të tjerat u martuan herët (për mua, se ato kishin kohën e tyre). Unë kurrë nuk iu rrëfeva atyre. Me Albinën kishim lidhjet më të mëdha. I tregonim gjithçka njëra-tjetrës. Nuk kemi mbajtur asnjëherë sekrete. Ajo më këshillonte, me ndihmonte, më tregonte mënyrën më të mirë se si duhet të veproja.

9.Nëse do të bënim një krahasim mes tipave tuaj, si do ta përcaktoje t’i veten dhe motrat?

Jemi tipa të ndryshëm, asnjëra nuk ngjan me tjetrën. Lumturia, më e madhja, është më e  mençura, më e përmbajtura. Mimoza, e dyta, është më punëtorja, shumë energjike. Lindita, më e buta, e dashura, fal gjithmonë. Albina, di sekretet e secilës por nuk i tregon kurrë. Kurse  unë jam ajo më me fat sepse kam dashurinë e të gjithave pa përjashtim.

10.Motrat tuaja janë të martuara, sikundër dhe ju. Sa ka ndikuar kjo gjë në raportin tuaj, duke pasur parasysh që dhe ju vetë jeni bërë nënë? E ka forcuar lidhjen? I ka dhënë tjetër dimension?

Vajzat tona, sepse të gjitha kemi vajza përveç një djali të Linditës, na i kanë marrë zemrën dhe na kanë ndryshuar. Ne të pesta jemi robinja të vajzave të tona, i adhurojmë ato. Shumë  dashuri dhe përkujdesje kemi shtënë mbi to dhe natyrshëm lidhjet e tjera zbehen pak. Por jam e bindur se çdo gjë në jetë ka grafikun e saj, variacionet e veta. Ndaj të qenit motra dhe nëna do të gjejnë dikur ekuilibrin e vet.

11.Dikush ka thënë: Askush nuk mund të të lëndojë më shumë sesa një motër, është e vërtetë? A ka ndodhur tek ju?

Unë them se askush nuk mund të të lëndojë më shumë se sa një njeri që ke besim dhe ne nuk e kemi thyer kurrë besimin e njëra-tjetrës.

12.A ndikon distanca në marrëdhënien tuaj? Kush merr më shpesh në telefon tjetrën? Kush i hipën avionit më shpesh nga ju të për të takuar njëra-tjetrën?

E vuajmë shumë largësinë. E urrej emigracionin. Gjithmonë mendoj se po të kisha këtu motrat e mia nuk do të kishte njeri më të lumtur sesa unë. Takohemi shpesh. Më tepër vjen Lindita. Ajo nuk jeton dot pa Shqipërinë, besoj se shumë shpejt ajo do të rikthehet këtu sepse  nuk mund të ketë vend tjetër për të kaluar pleqërinë.

13.Do t’i ndërroje motrat e tua me një vëlla, dhe pse?

Nuk e di. Në fakt nuk e kam menduar por po ta mendoj mirë unë nuk di si të sillem me një  vëlla. Kam pasur vetëm motra dhe mbesa.

 

1Albina Prenga motra e Suelës

1.Përpos marrëdhënies, dashurisë dhe ndjenjës që mban gjallë këtë raport, a mendon se ka dhe doza rivaliteti? A ka ndodhur kështu me ju?

Nuk ka rivalitet mes nesh. Suela është në njëfarë mënyre edhe fruti im. Jam kujdesur për të  që bebe sepse prindërit nuk e çuan në çerdhe. I kontrolloja detyrat kur shkoi në shkollë dhe dridhesha sa herë ajo kishte provime. Ne jemi një skuadër, një ekip.

2.Përveç sukseseve tuaja profesionale, a mendon se ka xhelozi mes ju të dyjave, apo me tre të tjerat që tashmë janë larg? Nëse po, pse? Nëse jo, pse?

Motrat që janë larg mbase mund të jenë pak xheloze për ne të dyja sepse jemi pranë dhe e  kemi njëra-tjetrën për çdo gjë. Por kjo është një xhelozi që vjen nga malli, më shumë një  dëshirë që rrethanat e jetës të ishin ndryshe dhe ne të jetonim së bashku.

3.Ndoshta edhe në heshtje, njëra nga motrat preferon që të identifikohet me atë më të njohurën, më publiken? Ndodh me ju kështu?

Jam shumë krenare për Suelën. Në Korçë, kur jam në rrugë, kur shkoj në punë, kur jam me shoqet, të gjithë kanë komentet e tyre për Suelën, fjalët e mira që nuk u mungojnë dhe unë lumturohem kur i dëgjoj. Më vjen shumë mirë kur më prezantojnë si motra e saj.

4.A e ndiqni motrën në daljet tuaja publike? E lavdëroni apo e kritikoni? Për çfarë i flisni më shumë? Nuk e di ndonjë sugjerim për pamjen? A për të shprehurit?…

Nuk mungoj asnjëherë dhe sigurisht nuk mungojnë dhe kritikat dhe lëvdatat. I telefonoj menjëherë pas programit dhe i them përshtypjet e mia. Shpresoj që e ndihmoj sepse syri i atij që sheh së jashtmi është më i ftohtë dhe më i qartë.

5.Sa i takon fëmijërisë. Kush ishte më grindavecja? Po për rrobat ziheshit ndonjëherë?

Kurrë. Suela i ka veshur gjithmonë fustanet e mia, këmishët. Për fat më kanë shpëtuar  këpucët sepse ajo e ka pasur shumë shpejt këmbën më të madhe.

6.Dikush ka thënë: Askush nuk mund të të lëndojë më shumë sesa një motër, është e vërtetë? A ka ndodhur tek ju?

Hyn tek njerëzit që mund të të lëndojnë më shumë. Një motre i tregon gjithçka. Një motre i beson. Mes nesh nuk ka pasur lëndime të vërteta, vetëm grindje që nuk i kalojnë të 12 orët.

7.A ndikon distanca në marrëdhënien tuaj? Kush merr më shpesh në telefon tjetrën? Kush i hipën avionit më shpesh nga ju të për të takuar njëra-tjetrën?

Ne që jetojmë në Shqipëri flasim çdo ditë me njëra-tjetrën. Themi “Mirëmëngjes”, “Natën e mirë”. Shpesh, shumë shpesh na telefonojnë dhe motrat që jetojnë jashtë dhe Lindita është  ajo që udhëton më shumë drejt Shqipërisë. Po të ishte e pasur do te vinte t’i kalonte të gjitha  fundjavat këtu.

Botuar në revistën Psikologjia, Janar 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top