Marrëdhënie

February 6, 2016 | 7:30

Irena dhe Altin Goci rrëfejnë 16 vitet e përbashkëta

Historia e tyre realizoi ëndrrën e projektuar sipas mënyrës më të mirë në zgjedhjen e partnerit për jetën. Privilegj por edhe tërheqje inteligjente për secilin. Në 16 vite jetëgjatësi, për Altin dhe Irena Gocin, të qenit burrë-grua ka qenë më shumë se sa një marrëdhënie e zakonshme në çift. Përveç konsolidimit të dashurisë, përmbushja e detyrimeve familjare apo prania në hallet e problemet përkatëse, ka bërë të zbulojnë më shumë njëri-tjetrin duke ndikuar në ndërtimin konstruktiv dhe thelbësor të lidhjes. Jo vetëm kaq. Prej pesë vitesh, vajza e tyre Kloa ka ndryshuar për mirë në shumë aspekte jetësore çiftin Goci. Sipas Altinit vajza ka qenë një obligim edhe më i madh për të pasur një familje edhe më të fortë e me rrënjë të thella.

Altin Goci

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Të them të vërtetën nuk është se kam pasur ndonjë model të caktuar të gruas time të ardhshme aq më shumë përsa i përket aspektit psikologjik, ndërsa për atë fizik kam qenë i prirë gjithmonë pas të bukurës. Mbas lidhjes me Irenën kuptova, se ajo për mua ishte dhe vazhdon të jetë gjysma tjetër që më plotëson.

Ç’ju tërhoqi te Irena?

Si fillim e pa diskutim, bukuria. Më pas pashë një tip shumë të veçantë, pak misterioze, që më tërhiqte dhe intrigonte gjithnjë e më shume, dhe çdo ditë e më tej, figura e saj bëhej akoma më interesante në sytë e mi. Pas një adoleshenteje rebele e me një stil të veçantë në llojin e vet fshihej një vajzë shumë e zgjuar me të cilën koha ikte pa u kuptuar.

Në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës? Po ju, a kishit një të tillë? Zgjedhja juaj u përmbush në realitet apo modeli u fashit?

Nuk kam pasur ndonjë model të caktuar, aq më shumë të ketë qenë fryt i imagjinatës se si do ishte gruaja ime e ardhshme, por ndodhi që ne e plotësojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Irena më shumë e shtyrë drejt prakticitetit dhe unë më shumë ëndërrimtar apo idealist. Kështu ne kemi gjetur një të mesme të artë e cila na ndihmon reciprokisht në punët dhe në ditët tona. Sa i takon artit, Irena është e prirë ta shohë atë në lidhje me marketingun e këngës apo të albumit tim. Ka një intuite që s’para gabon lehtë duke iu përshtatur aq më shumë realitetit ku jetojmë.

Për të qëndruar te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë (kompleksi i Edipit).  Dëshironi ta kundërshtoni?

Ka diçka te vërtetë te kompleksi i Edipit. Do e shihja më shumë sa i përket të bërit merak apo përkujdesjes ndaj meje, gjë e cila ka dy medalje, si në aspektin pozitiv ashtu dhe në atë paksa negativ.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston ajo sipas jush?  Për fat të mirë pasioni në lidhjen tonë vazhdon akoma të jetë i fortë. Ndoshta ky është dhe çelësi i jetëgjatësisë së lidhjes tonë e cila është shumë e veçantë. Pa dyshim edhe jetëgjatësia e lidhjes vjen dhe nga dashuria për njëri-tjetrin, sidomos tani edhe më shumë kur në mes është vajza jonë, e cila na obligon për të pasur një familje shumë të fortë me rrënjë të thella. Duke i dashur të mirën njëri-tjetrit përpiqemi të jemi sa më shumë tolerantë dhe mbështetës. Besoj fort se në marrëdhënien e një çifti janë ata vetë që e kanë në dorë jetëgjatësinë e lidhjes së tyre.

Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jenë të njëjtë apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Në përgjithësi ne kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe shumë të kundërta. Por unë besoj më shumë te të kundërtat që tërhiqen.

Gruas, në të gjitha kohët i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan “seksin e dytë” në përgjithësi?

Besoj se e njoh në gjërat kryesore, megjithatë ka gjithmonë të papritura ashtu siç tek e fundit gjejmë dhe tek vetja jonë gjëra që nuk besonim se i kishim më përpara.

Si i keni ndarë rolet në shtëpi ju dhe zonja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Në familjen tonë përgjithësisht ka bashkëpunim pothuajse në çdo gjë. E them pothuajse se Irena ankohet ndonjëherë për përtacinë time në punët e shtëpisë. Megjithatë kam përshtypjen se kjo është karakteristikë në përgjithësi e meshkujve shqiptarë. Mendoj se jemi më shumë bashkëpunëtorë në familje se sa brezi i prindërve tanë. Sa i takon vajzës sonë, Kloa-s, që kur lindi e deri tani kam bërë detyrën e një babai jo tradicional. Jo për t’u dukur modern, por kam dashur të jem i pranishëm dhe pjesëmarrës në çdo aspekt të rritjes dhe zhvillimit të Kloa-s, duke filluar që nga ndërrimi i pelenave apo të ushqyerit e saj, deri te çuarja në kopsht apo mësimi i vjershave dhe këngëve me të.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift, është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Mendoj se është normale të diskutohen, qofshin ato pune ose jo. Në rastin tonë ndoshta është  e gabuar ose e drejtë, ne i diskutojmë shumë, megjithëse përpiqemi t’u japim rëndësinë e duhur. Dashur pa dashur puna me të mirat e të këqijat e saj është pjesë e rëndësishme e jetës tonë, ne të gjithë duam të ecim përpara dhe diskutimet për të më mirë se me partnerin nuk besoj se mund t’i bëjmë me të tjerët, gjithmonë në masën e duhur.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? A bëni dhurata? I respektoni datat e rëndësishme?

Patjetër. Ne kemi datat tona të rëndësishme dhe unë jam munduar gjithmonë të jem shumë i kujdesshëm qoftë për dhuratat apo për surprizat.

Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Të shohim. Shpresoj të jetë më i mirë.

—————–

Irena Vogli

 Në formë postulati: ç’është burri për ju?

Në fakt asnjëherë nuk kam pasur në mendjen time portretin e një mashkulli. Për mua gjithmonë koncepti i burrit ka pasur të bëjë me tërheqjen, mbështetjen, kuptimin përkushtimin, emocionin dhe paqen shpirtërore që të dhuron personi tjetër, pa pasur lidhje me aspektin fizik. Kështu që nuk ka pasur një princ të kaltër në mendjen time. Kam qenë shumë larg ëndrrave të tilla e vazhdoj të jem racionale. Kam dashur dhe dua një njeri që të më bëjë të ndihem mirë, që të jetë pasqyra ku unë shihem dhe dukem më bukur, më mirë e më  zgjuar se kudo.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?  

Në fillesat tona ishte paraqitja fizike që më tërhoqi te Altini. Ai ishte një shkatarraq perfekt dhe plot sharm. Më tërhoqi shumë natyrshmëria e tij e papritur, madje pa e kuptuar e parashikuar u përfshiva komplet në të.

Në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës? E kishit një të tillë apo modeli u fashit?

 Në fillime nuk e kisha një model të mirëfilltë, kjo sepse jemi dashuruar shumë të rinj dhe as që e çoja në mend se po rrija me bashkëshortin e ardhshëm. Gjërat erdhën shumë natyrshëm, pa i shtyrë.

Djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve,  kompleksi i Edipit…

Nuk kam gabuar aspak në zgjedhjen time. Çdo ditë vë re gjëra të përbashkëta të Altinit me tim atë. Të dy kanë vullnet t’i arrijnë gjërat që duan. Kanë sinqeritetin, humorin, dinamizmin dhe përkushtimin ndaj familjes, një lloj qetësie të brendshme, një botë dhe dëshirë prej artisti të pafund si dhe një nivel të njëjtë  intelektual. Tani mund ta vërtetoj se çdo vajzë zgjedh për bashkëshort në nënvetëdijen e saj, atë i cili ka tipare të njëjta me figurën atërore. Këto virtyte më kanë tërhequr dhe vazhdojnë të më bëjnë ta dua si në ditët e para, madje dhe më shumë Altinin. Nuk do doja që të kishte planifikueshmërinë e tim ati për çdo gjë, e cila ndonjëherë të mërzit.

Ç’vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Nga se varet jetëgjatësia e saj?

Në rastin tonë pasioni vazhdon të mbajë gjallë lidhjen në forma të ndryshme, herë-herë dhe më i bukur se në fillimet e njohjes. Sigurisht kjo ndërthuret me dëshirën e dashurinë e krijimit të familjes e përkushtimit ndaj saj duke bërë që familja jonë të jetë e fortë e më e rëndësishme, dhe asgjë të mos vihet para saj. Motoja ime është: duaj që të të duan, jeto dhe lër të tjerët të jetojnë. Nëse mendon gjithmonë për partnerin dhe jo për veten, kur nuk e konsideron atë si pronë, por si pasqyrën ku t’i sheh pjesën tënde më të bukur e të mirë, kur e lë atë të lirë të të dojë pa i bërë presion, të të rrijë pranë sepse të do jo sepse është i detyruar se të ka grua, është çelësi i një lidhjeje të gjatë. Jam përpjekur gjithmonë të jem jo vetëm një partnere perfekte por edhe mike shumë e mirë duke eliminuar çdo ndjenjë egoizmi dhe xhelozie që njeriut i krijohen vetvetiu për personin që dashuron.

Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jetë të njëjtë, apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Besoj se ne jemi një miks i të dyjave duke i dhënë më shumë ngjyra dhe jo monotoni lidhjes tonë. Altini është një artist i lindur. Atë e karakterizon një mirësi e paparë, qetësia, dashuria për artin dhe të bukurën, perfeksioni. Ka botën e vet që vështirë t’ia prishë njeri, të bëjë kompromise për gjërat që nuk pëlqen, ndërkohë që unë jam më racionale, dinamike, praktike dhe paksa rebele. Të gjitha këto karakteristika të të dyve, krejt të kundërta, krijojnë një lidhje me ulje-ngritjet e veta.

Keni zgjedhur të mbani mbiemrin tuaj. Ka një shpjegim?

Kam mbajtur mbiemrin tim. E respektoj Altinin dhe çdo gjë që ka lidhje me të, por çështja e mbiemrit është për mua diçka shumë personale. Mbiemri është diçka me të cilin ti lind dhe rritesh sikurse emri i cili nuk është thjesht një prapashtese e shquarjes tënde nga të tjerët por ka të bëjë dhe me lidhjet familjare që ti ke, me atë çfarë ti je, identiteti i një njeriu. Mbiemri për mua më shumë shpreh përkatësi dhe për mua burri apo gruaja nuk i përkasin njëri-tjetrit por dashuria e tyre për secilin i përket të dyve. Në këtë pikë kam gjetur mirëkuptimin e Altinit.

A ndryshon burri në këndvështrimin e gruas pasi ai është bërë babai i fëmijëve të saj?

Sigurisht që ndryshon, sikurse dhe gruaja. Ardhja e një fëmije në jetë është një nga pikat kyçe të jetës dhe ky eveniment ndryshon si çiftin ashtu dhe jetën e tyre. Dashuria për njëri-tjetrin dyzohet në një dashuri të re që është ajo për fëmijën. Gjithashtu një dashuri tjetër krijohet kundrejt partnerit. Jemi përpjekur të mbajmë ekuilibrat e duhur dhe ia kemi dalë të paktën deri tani, se askush nuk e di se çfarë i rezervon e ardhmja dhe si do reagojë në situata të papritura.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe burri juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Nuk jemi tradicionalë të tipit që unë, gruaja, duhet të bëj çdo gjë në shtëpi dhe burri ka si punë të vetme të ushqehet dhe të fjeld, por gjithashtu nuk jemi as tipi i familjes ku të dy jemi të barabartë në punët dhe përgjegjësitë kundrejt shtëpisë dhe fëmijës. Unë mbaj peshën më të madhe të punëve të atyre detyrave të cilësuar prej shekujsh “femërore” por sigurisht që dhe Altini më ndihmon kur ka mundësi (e them këtë pasi është pak përtac e gjumash)  sidomos me detyra që kanë të bëjnë me përkujdesjen e Kloe-s dhe edukimin e saj.

Një grua, përballë sakrificave të burrit ndihet e përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?

Të duash do të thotë të sakrifikosh. Kjo është A-ja në një lidhje. Të vendosësh partnerin para Unit, është esenca e një raporti. Nëse do një lidhje të shëndetshme, sakrifica është një detyrim. Un sakrifikoj me dëshirë që Altini të eci në rrugën e tij të artit. Por, sigurisht që dhe unë shpërblehem me shumë dashuri, e kjo bën të mos më rëndojë aspak kjo sakrificë.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Diskutimi me partnerin për ngjarjet e ditës sikurse ato të punës është i nevojshëm. Sidomos pas një dite me stres, është ilaçi më i mirë. Të paktën jam e sigurt që Altini, duke qenë njeriu që më do të mirën, do më thotë një mendim, këshillë apo një thjesht: “mos u mërzit”.

Sa e vëmendshme jeni ndaj vogëlimave të cilat ka burra që i vlerësojnë? Për shembull a bëni dhurata? A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”?

Nuk e di a jam e vëmendshme pasi Altini nuk më ka lënë shanse të mungojnë “vogëlimat” që unë ta kuptoj në do ndjehesha keq pa to apo jo, (ose më saktë, mendoj se do t’i pretendoja nëse nuk do t’i kisha). Di të them që më bëhet shumë qejfi kur ai plotëson ditën time duke filluar që nga gjërat më të vogla që tregojnë më së miri vëmendjen e tij të vazhdueshme drejt meje.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni zakonisht dhuratë?

Dhuratat që ne bëjmë fillojnë që nga përgatitja e një nate romantike në shtëpi, një udhëtim surprizë për fundjavë, biletat në koncertin e këngëtarit të preferuar, apo dhuratën më të bukur të jetës, një këngë dedikuar ndaj meje. Pastaj vijnë dhuratat materiale. Nuk mund ta mohoj, ka pasur raste që kemi harruar fare të bëjmë dhurata por kanë qenë reciproke. Kemi qeshur të dy se si problemet e ditës na bëjnë të harrojmë.

Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Është e vërtetë se roli i gruas në shoqërinë shqiptare sidomos është gjithnjë e në rritje. Por unë shpesh duke bërë shaka shprehem se është ndryshe. Ky shekull mund të jetë ai i fuqizimit të grave, ecjes së tyre në karrierë dhe përfshirjen e tyre në arenat politike, ekonomike etj. Por kjo sjell që mashkulli të arrijë atë çfarë ka ëndërruar ndër shekuj “të bëhet jo shtëpiak por kafe-ak”, të mos punojë dhe gruaja të jetë shtylla e familjes pra është shekulli i meshkujve.

Botuar në revistën Psikologjia, Janar 2012

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top