Marrëdhënie

April 6, 2016 | 8:59

Irsa Demneri: Mamaja, psikologia ime

Mami më ka qëndruar gjithmonë pranë në çdo situatë, ndërsa babai ka ditur kur duhet të mbante qëndrim autoritar, dhe kur duhej të më jepte përkëdhelje.

Irsa Demneri, nuk është ndjerë asnjëherë e llastuar, është rritur thjesht me dashurinë prindërore dhe me ngrohtësi në që vetëm familja di ta falë. Ndoshta edhe për hir të familjes në të cilën është rritur, ajo, në jo pak situata ka treguar anën më të fortë të karakterit, si për të dëshmuar se nuk dorëzohet lehtë përpara vështirësive që dalin rrugës. Të kesh besim në vetvete, të luftosh për të arritur gjërat në jetë, e të kuptosh se vetëm dija dhe dinjiteti e shmangin riskun “për t’u rrëzuar”, për të qenë në fund të fundit një njeri plot ngjyra… janë leksionet që Irsa Demneri i ka marrë vetëm nga prindërit e saj. Ata kanë ditur ta “mëkojnë” jo me idenë e bijës së bukur, që kërkon gjithmonë vëmendje, por të një vajze me edukatë dhe me parime për jetën. “Mami më ka qëndruar gjithmonë pranë në çdo situatë, ndërsa babai ka ditur kur duhet të mbante qëndrim autoritar, dhe kur duhej të më jepte përkëdhelje”, pohon Irsa. Nëse ka pasur nevojë për këshilla, personi i parë tek i cili është drejtuar është pikërisht e ëma, një psikologe në profesion, që ka zgjedhur të dorëzohet pa kushte përpara “klientes” më të afërt, bijës. Tek mamaja, vajza ka gjetur pikësëpari shoqen e ngushtë, pavarësisht se fjala e saj për Irsën është ligj. Kurse tek i ati, ka parë atë figurën mashkullore që mban përgjegjësi mbi shpatulla dhe që di t’ia dalë mbanë gjithmonë.

***

Por, njësoj si koha që lëviz shpejt, edhe raporti i saj me prindërit ka nisur të ndryshojë… Tashmë, bukuroshes i dëgjohet më shumë fjala në shtëpi, i respe ktohen mendimet. “Kam qenë fëmijë i dëgjuar, dhe kurrë nuk i kam kundërshtuar prindërit e mi edhe kur kam menduar se s’kanë të drejtë. Jam përpjekur t’i shmang debatet edhe problemet që fëmijët sjellin, zakonisht në moshën e adoleshencës”, vijon ajo. Një meritë në këtë pikë, kanë prindërit të cilët kanë ditur të gjejnë gjuhën e përbashkët me fëmijën e tyre. Në një kohë kur bashkëmoshataret e saj shijojnë qejfet e moshës, Irsa deri 19 vjeç gati nuk e ka frekuentuar fare jetën e natës, ekskursionet larg Tiranës me shkollën i ka pasur të ndaluara… Ajo përpiqej ta mbushte ditën me shkollë, spektaklet e ndryshme të bukurisë ku merrte pjesë, për të mos u ndjerë kështu inferiore dhe e veçuar nga grupi i shoqërisë. “Edhe në rrugën e artit, familja ka qenë nxitësi im kryesor. Mami më ka ndjekur pas gjatë gjithë kohës, më ka pritur në shi e në breshër deri sa kam mbaruar sfilatat apo mbrëmjet e spektakleve ku kam qenë e ftuar. Përvojë ndoshta nuk më kanë dhënë, sepse nuk kanë lidhje me artin, por mendimet e tyre më kanë ndihmuar të rritem dhe të mbaj përgjegjësi për veprimet e mia”, rrëfen, ish “Miss Shqipëria 2007”.

***

Deri më tash, mendon se ua ka shpërblyer të dyve, në mënyrën më të mirë… Është një studente me rezultate të shkëlqyera, është një vajzë e bukur, që ka ditur të gjej ekuilibrin mes pasionit për modelingun dhe arritjeve profesionale, dhe më e rëndësishmja, kurrë nuk ka tentuar t’u sjellë shqetësime nënës dhe babit të saj, me ndonjë simpati a dashuri të mundshme ndaj djemve. “Uroj që deri tani, ata t’i kenë marrë frytet e dëshiruara nga puna e tyre si prindër, ndërsa unë do vazhdoj të jam më të mirën për veten dhe për ta, sigurisht”.

Botuar në revistën Psikologjia, qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top