Marrëdhënie

April 6, 2016 | 9:46

Dëshmi/ Kostandina Llakaj: Sakrifikova, por gjeta burrin artist

 Të jesh gruaja e… Agron Llakajt

Në ndryshim nga profesioni i saj si eksperte kontabël, në jetën reale nuk ka ditur t’i llogarisë gjërat me laps e letër, për të arritur mandej në përfundime të sakta matematikore. Përpara dëshirës së të shoqit për t’u bërë artist dhe ndjenjës që i mban të lidhur, edhe sot pas 26 vitesh martesë, në fillim pranoi “të sakrifikohej” për t’i siguruar atij çdo lloj komoditeti, që do t’i jepte suksesin në skenën e humorit shqiptar. Kostandina Llakaj, bashkëshortja e Agronit, nuk e fsheh vlerësimin për të shoqin, si dhe arritjet e tij profesionale. “Kur ai nisi studimet e larta në Akademinë e Arteve, ishte vetëm 27 vjeç, dhe njëkohësisht ishim bërë prindër me dy fëmijë. Pranova që të riskoja, vetëm që ta lija tim shoq të ndiqte ëndrrën e tij… U mora me rritjen e përkujdesjen ndaj fëmijëve, në një moshë fare të re, kur ndoshta bashkëmoshataret e mia ishin ulur nëpër auditorët e universiteteve. Katër vitet e shkollës së lartë të Gonit, ishin si një lloj “kurbeti”, nuk kishim një jetë të mirëfilltë familjare. Me afirmimin e tij të mëtejshëm, sakrificat ishin krejt të pranueshme, kur unë shihja tim shoq të realizuar profesionalisht dhe të kënaqur që po vilte frytet e një pune të madhe”, pohon ajo.

***

Sigurisht, e dinte sakaq se ai do të bëhet dikush e ajo, do të mbetej gruaja e atij dikushi. Por kjo s’i interesonte. Ndoshta për hir të dashurisë, apo ndoshta për hir të mungesës së protagonizmit. Ama, probleme pati jo pak, teksa i shoqi rritej si figurë e ajo e mbështeste… Në jo pak raste, Kostandina Llakaj do të përballej edhe me fjalë që njerëzit i pëshpërisnin në vesh, dhe për më tepër i mbushnin kokën me ligësi… Si nuk bëhesh xheloze, i thoshin ata! Ai në udhëtime sa brenda dhe jashtë shtetit, i rrethuar me femra të bukura, të hirshme, ndërkohë që t’i vetëm merresh me fëmijët… Të tilla fjalë, sigurisht që nuk mund të mos jepnin efektin e tyre, nisën të sëmbonin tek ajo… Por, në fund fare e qetësonte veten: “Që në momentin që ne të dy lidhëm jetën bashkë, vendosëm që të unifikonim pasionet respektive dhe t’i jepnim mundësi talentit të Agronit për të ecur përpara”, thotë Kostandina.

***

Por, dhe sa gjatë do të sakrifikohej dhe do të pranonte statusin e “shtëpiakes”? I shoqi i ngjiti shkallët e karrierës rrufeshëm, duke u bërë protagonist i mbrëmjeve dhe të qeshurave të shqiptarëve, ndërsa ajo duhej medoemos të vazhdonte të kryente me devotshmëri rolin e bashkëshortes që kujdeset për familjen, burrin dhe fëmijët?! Ndonëse vonë, kjo situatë duket se zgjoi në ndërgjegjen e saj, atë Kostandinën-grua të fortë, që mund t’i dëshmojë vetes dhe të tjerëve se di të ecë vetë në jetë, dhe që nuk mjaftohet assesi me mburojën e mbiemrit “Llakaj”. U angazhua seriozisht për t’i dhënë tonusin e duhur emrin Kostandina. Ndonëse në një moshë të madhe, u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë, dhe futi në xhep një diplomë, që me sa duket rezultoi produktive, pasi ajo u emërua në një punë vërtet të lakmuar, si ekonomiste në Korporatën Elektro Energjitike Shqiptare (KESH). Është pikërisht kjo puna që i zgjon çdo mëngjes dëshirën për t’ju rikthyerzyrës, shifrave dhe letrave të pandashme nga rituali i saj i përditshëm. Ndihet e realizuar profesionalisht, por pranon se ka kryer me sukses edhe misionin e nënës, për të cilin ju desh të hiqte dorë nga shumëçka. Dhe mesa duket kjo është gjithçka. Fakti që edhe ajo e ka një profesion e punë të sajën, e shkarkon nga kompleksi që shkakton shprehja: gruaja e… Sepse, përveçse është gruaja e Agron Llakajt, ajo është Kostandina, pavarësisht, siç dhe i shoqi do të thotë në një intervistë do kohë më parë, mbiemrin e vajzërisë nuk e mban më mend. E tashmë, përpara popullaritetit që gëzon i shoqi, ndihet shpesh herë edhe e privilegjuar. Gjithsesi: “Nuk jam nga ato gra që nuk pushojnë së përmenduri emrat dhe reputacionin e burrave të tyre… madje koleget e mia të punës, vetëm nga mbiemri dhe vetëm se më kanë parë çdo mëngjes që pi kafe me Gonin, e kanë mësuar që unë jam bashkëshortja e tij”. Ama, nuk ngurron të thotë se ndihet me fat për burrin që ka në krah. Llogaria duket se nuk rezulton keq. Me gjithë vështirësitë dhe problemet që ka mbartur jeta e tyre, ajo sot ka fituar një bashkëshort artist, dy fëmijë të rritur, dhe një profesion që e bën të ndihet e plotësuar jo vetëm financiarisht, por edhe si femër, në raport me nivelin e shoqërisë së saj dhe bashkëshortit.

Botuar në revistën Psikologjia, qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top