Ideja kryesore që na shtyn të shtypim ndjenjat dhe emocionet tona është frika për t’u treguar të dobët dhe të pambrojtur. Ndonjëherë thjesht kemi frikë nga gjykimi i të tjerëve ose kemi frikë se të tjerët do të mendojnë se jemi në mëshirën e emocioneve tona, prandaj nuk jemi të qëndrueshëm. Ose kemi frikë se të tjerët do të përfitojnë nga hapja jonë dhe do të përdorin atë që themi kundër vetes.
Një arsye tjetër për të fshehur atë që ndiejmë në të vërtetë është të shmangim konfliktet. Nëse personi tjetër na zemëron, reagimi në një mënyrë shumë negative mund të shkaktojë një konflikt shumë të dhunshëm, me të cilin nuk kemi dëshirë të përballemi, ose që na frikëson.
PASOJAT NEGATIVE
Fshehja e ndjenjave nuk është pothuajse kurrë pozitive dhe përveçse ka pasoja në shëndetin mendor, kjo mund të na e komplikojë edhe jetën në një nivel konkret, dhe në disa nivele. Ja pasojat më të dukshme:
VËSHTIRËSI NË KOMUNIKIM
Fshehja e ndjenjave të dikujt pengon komunikimin e sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Nëse nuk i vendosim kartat tona në tavolinë, personi tjetër vështirë se ka elementet për të vazhduar një marrëdhënie të arsyeshme (qoftë dashuria, por edhe miqësia).
VETË-NDËRGJEGJËSIMI I DOBËT
Nëse mësohemi me shtypjen emocionale, jo vetëm që nuk u tregojmë të tjerëve se çfarë ndiejmë, por me kalimin e kohës mund të kemi probleme serioze për të lexuar ndjenjat tona dhe për të kuptuar nevojat tona.
AKUMULIMI I EMOCIONEVE DHE MUNGESA E VETË-RREGULLIMIT
Mbajtja e gjithçkaje brenda mund të krijojë një situatë shpërthyese. Shumë ndjenja si zemërimi, nëse nuk shprehen, nuk zhduken, por thjesht rrezikojnë të dalin me dhunë në momentin më pak të përshtatshëm.
VËSHTIRËSI PËR TË PASUR MARRËDHËNIE TË SHËNDETSHME
Jetesa e një marrëdhënieje duke shtypur rregullisht mendimet, emocionet dhe përvojat thjesht na shtyn të kemi një marrëdhënie të rreme, sepse njëri prej të dyve nuk po thotë të vërtetën dhe nuk po i shpreh nevojat e tij të vërteta tjetrit. Rezultati është pothuajse gjithmonë një marrëdhënie jofunksionale.
SI TË NDALONI SË FSHEHURI NDJENJAT TUAJA
Hapi i parë për të ndaluar shtypjen e ndjenjave tuaja është të kuptoni se ka një problem. Pra, duhet të shqyrtojmë nëse ka nevojë të kërkojmë ndihmë nga dikush – jo vetëm nga njerëzit që duam, por edhe dhe mbi të gjitha nga një profesionist (psikolog apo psikoterapist).
Ne fillojmë t’u kushtojmë vëmendje ndjenjave tona, dhe shkojmë përtej automatizmave tona, duke filluar t’i shprehim ato, edhe në mënyrë të detyruar nëse është e nevojshme. Strategjia kryesore për ta bërë këtë është ushtrimi i ndërgjegjësimit.
Fillo të pyesësh veten: Si ndihem? Si më bën kjo të ndihem? Njihuni me ndjenjat tuaja, u jepni dinjitet, pyeteni veten pse ndiheni ashtu dhe kurrë mos e zhvlerësoni atë që ndjeni në moment.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.