Në fokus

January 9, 2021 | 8:20

Ja pse jeta normale është akoma larg, pavarësisht daljes së vaksinës

Shumë prej nesh kanë shpresuar që një vaksinë kundër Covid-19 do të jetë përgjigjja e të gjitha lutjeve për vitin 2021, por nuk do të jetë një mrekulli e çastit. Në fakt, më shumë se gjysma e popullsisë ndoshta nuk do të vaksinohen deri në vitin 2022, sipas një raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kate Bingham, kryetare e Taskforcës së Vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar, më parë është shprehur se kishte shumë shpresë që deri në vitin 2022 njerëzit nuk do të kishin nevojë të mbanin maska në fytyrë dhe mund të organizonin festa dhe ahengje familjare, njësoj si dikur. Por kthimi në  gjendje normale do të varet nga shumë variabla si p.sh. sa vaksina aprovohen vitin e ardhshëm, sa janë në dispozicion dhe logjistika e marrjes së tyre në MB dhe shpërndarja për ata që kanë nevojë për to.

Çdo vaksinë e mundshme kërkon një plan të ndryshëm për ta shpërndarë atë në publik sepse secila ka karakteristika të ndryshme. Këto përfshijnë temperaturën në të cilën duhet të ruhet, afati i ruajtjes pasi të hapet dhe mënyra se si duhet të përgatitet para se të aplikohet. Kthimi në normalitet gjithashtu do të varet nga vetë vaksina dhe nëse mund të zvogëlojë transmetimin e virusit – aktualisht, ne dimë që vaksina Pfizer/BioNTech mund të zvogëlojë mundësinë për t’u sëmurur rëndë nga virusi, por nuk dihet shumë për mundësinë e parandalimit të përhapjes së virusit tek të tjerët.

Të dy vaksinat Pfizer dhe Oxford zvogëlojnë incidencën e infeksionit simptomatik dhe kështu ka të ngjarë që të zvogëlojnë vlerën R dhe të kontribuojnë në një reduktim të përgjithshëm të transmetimit, thotë Profesor Paul Hunter, një ekspert mjekësie në Universitetin e Anglisë Lindore. Është e rëndësishme të theksohet se ne nuk e dimë këtë me siguri, për këtë arsye nevojiten të dhëna të mëtejshme.

Profesor John Edmunds, një ekspert nga Qendra për Modelimin Matematik të Sëmundjeve Infektive në London School of Hygiene & Tropical Medicine, përsërit se pa e ditur nëse vaksinat zvogëlojnë transmetimin, është shumë e vështirë të thuash sa shpejt kemi gjasa për t’u kthyer në normalitet, përveç që ka të ngjarë të jetë një kohë e gjatë.

Ai shpjegon: “Mos harroni, ne jemi duke vaksinuar relativisht pak njerëz për momentin , prandaj, duhet bërë një rrugë shumë e gjatë para se të mbrohemi mjaftueshëm nga vaksinimi për të filluar të kthehemi në jetën normale në një mënyrë të sigurt. Në thelb, kjo do të ndodhë kur të mbarojmë vaksinimin, jo kur ta fillojmë atë.”

Pra, çështjes se sa njerëz do të duhet të vaksinohen para se të kthehemi në gjendje normale është aktualisht e pamundur t’i jepet një përgjigje.

Dr. Stephen Baker, një mikrobiolog molekular dhe ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Kembrixhit, thotë se ndërsa është “e shkëlqyeshme” që kemi një vaksinë, për të filluar imunitetin e tufës, ne do të duhet të sigurohemi që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë marrë vaksinën, ose ta ketë kaluar covid-in dhe të ketë një shkallë të qëndrueshme imuniteti për të zvogëluar transmetimin e virusit. Nivelet e imunitetit do të ndryshojnë nga personi në person. Pra, është mjaft e vështirë për ta llogaritur.

Imuniteti i tufës kundër fruthit kërkon që të vaksinohet rreth 95% e popullatës. Ne mund të kemi nevojë për rreth 90% të popullsisë për të arritur imunitetin e tufës për Covid-19, sugjeron Dr. Baker, gjë që është shumë. Vlerësime të tjera sugjerojnë se do të na duhej vaksinimi i 2/3 të popullsisë për ta arritur atë.

“A mund ta arrijmë atë? Epo është një pyetje e madhe sepse ka shumë të panjohura: ne nuk e dimë sa do të zgjasë imuniteti me një vaksinë,” thotë Dr. Baker. “Nëse imunizimi është afatgjatë, kjo është e shkëlqyeshme, sepse do të thotë që ne do të mbrohemi për disa vjet, por nëse është mbrojtje afatshkurtër dhe zgjat 12-24 muaj, atëherë mund të na duhet përsëri një vaksinë tjetër dhe kjo do t’i komplikojë gjërat më shumë.”

Ai gjithashtu thekson se varianti i ri i Covid-19 mund të pengojë punën. “Është e mundur që virusi mund të ndryshojë pak dhe për këtë arsye vaksina të mos funksionojë aq sa duhet, duke bërë që ju të përballeni me problemin e mutacionit, ku njerëzit mund të infektohen edhe pasi të jenë vaksinuar.”

Një vlerësim konservator është se shumica e njerëzve jashtëzakonisht të prekshëm do të imunizohen deri në Mars 2021, dhe nëse jo, atëherë sigurisht deri në verë. Por kjo përjashton një numër të madh njerëzish, ata të moshës 50 vjeç e poshtë që janë në dukje të shëndetshëm.

“Nuk ka ende përmendje të të rinjve për vaksinim”, thotë ai. “Ne mund të argumentojmë se edhe pse këta njerëz ndoshta nuk janë shumë të rrezikuar, ata kanë rrezikun më të lartë për ta transmetuar atë midis moshës 20 dhe 50 vjeç.

“Nëse askush nga ata njerëz nuk do të imunizohet për ca kohë dhe ne fillojmë të kthehemi në normalitet, do të ketë një sasi të madhe të transmetimit midis atyre të moshës 20-50 vjeç.”

Kjo bën që ne të gjendemi para dy mundësive, ose ta pranojmë situatën dhe të vazhdojmë normalisht – potencialisht duke vënë shumë të rinj në rrezik të efekteve afatgjata të virusit, të quajtur Covid i gjatë – ose të përpiqemi t’i vaksinojmë të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndaluar përhapjen e virusit. “Do të jetë e komplikuar”, thotë ai. “Nuk do të jetë aq e thjeshtë sa ne t’i imunizojmë të gjithë deri në verë.”

Kjo nuk do të thotë që 2021 nuk do të jetë pa një lehtësim të mundshëm të disa kufizimeve – njerëzit ka të ngjarë të jenë në gjendje të kalojnë kohë me të dashurit, veçanërisht jashtë gjatë muajve të verës kur transmetimi pritet të bjerë. Por ka të ngjarë që nuk do të jetë një 2021 i lirë nga masat më të rrepta të koronavirusit si distancimi shoqëror, mbajtja e maskave dhe puna nga shtëpia.

“Ne mund të jemi shumë me fat dhe të arrijmë në pikën ku ta eliminojmë atë përmes imunizimit”, thotë Dr. Baker.

“Është e mundur, por do të na marrë shumë kohë. Koronavirusi do të jetë me ne për një kohë të gjatë nëse nuk mund t’i imunizojmë të gjithë dhe të kuptojmë mjaft mirë se si funksionon për të parandaluar rikthimin e tij.”

 

 

 

Burimi / https://www.huffingtonpost.co.uk/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top