Mihal Luarasi: Pas Festivalit të 11-të, 7 vjet në burgun e Ballshit
Dhjetori i vitit 1972, situata ku u zhvillua Festivali 11 në Radio Televizion. Udhëheqësi shkon me pushime në Vlorë. Ramiz Alia “harron” të kontrollojë evenimentin e fundvitit. Biseda kofidenciale me Piro Kondin: “Po përgatitet një goditje e madhe në kulturë dhe art”. Qëndrimi i Nefo Myftarit e Todi Lubonjës.
Shileri erdhi në skenën shqiptare me më të famshmen dramë të tij. Ishte viti 1957 dhe regjisori i sapo diplomuar në Hungari kishte marrë mbi vete eksperimentin më të madh të jetës së tij artistike, t’i tregonte platesë me spektatorë veshëngritur një “Intrigë e Dashuri” të padëgjuar më parë. Suksesi i pritur, apo i papritur nëse ka qenë i tillë, nuk vuri më dyshim planet e tij për të ardhmen. Ai ishte ylli i ri i regjisurës shqiptare…
…Pesëmbëdhjetë vite më pas situata do të ishte krejt e ndryshme. Viti 1972 do të karakterizohej nga “lulëzimi i shfaqjeve të huaja”. Nga frekuenca aktive e Radio-Tiranës dëgjohej muzikë “Country&Rock”. Vetë muzika shqiptare po tentonte të ishte sa më pranë modelit perëndimor. Nga Lindja e Largme, veç armatimit, nuk na vinte ndonjë gjë tjetër për t’u pasur zili, në mos po eksporti solli “dacibaot” dhe një implementim alla shqiptar të Revolucionit Kulturor. E në këto ditë festive, të një fryme të skajshme liberale, Festivali 11 do të kulmonte me muzikë të hareshme e klithma melodrame më pas. Mihal Luarasi, regjisori nga më të njohurit të skenës shqiptare, rrëfen për “Shekulli”-n gjithçka ndodhi në ditët e pasura për krijimin e një festivali modernist, gjë që shkaktoi për të dhe familjen e tij një dramë, rikuperimin e së cilës e ka bërë vetëm elementi kohë:
A ishte një atmosferë liberale në fillim të fiteve ’70?
Mendohej që ishte e tillë, por nuk është e vërtetë që kishte një frymë liberale. Vërtet pati një bisedë mes Enver Hoxhës dhe Agim Meros që ishte sekretari i Parë i KQ të Rinisë, për të futur një frymë të re, por nuk u bë asgjë nga ato që u tha atje. Mirëpo kjo gënjeu shumë njerëz.
Ndërkohë ajo që u cilësua si pika kulmore ishte Festivali i 11 në RTSH?
Në fakt Festivali 11 nuk ra nga qielli. Pra nuk ishte një befasi. Por kujtohet mirë edhe sot për faktin se ai u godit. Duhet të rikujtoj se po unë isha regjisor edhe i festivalit të 10 në RTSH. Edhe ai, po të flasim me gjuhën e kohës, ishte po aq modernist apo revizionist sa dhe pasardhësi.
Përse Festivali 10 i shpëtoi goditjes?
Sepse nuk i kishte ardhur koha. Por mund të kujtoj një fakt. Në një takim informal, apo miqësor, me Manush Myftiun, që ishte dhe Sekretari i Parë i Tiranës, duke iu referuar Festivalit të 10 ai më tha: “Isha për një udhëtim jashtë shtetit. Si gjithmonë radion time portative e mora me vete, sepse dëgjoj gjithmonë “Radio Tiranën”. Kur u ktheva dhe zbrita në aeroport e ndeza radion. Për çudi dëgjoj muzikë moderniste. Mendova mos pa dashje kisha ndërruar frekuencën. Por jo, ishte festivali juaj”. Pra dua të them që edhe Festivali 10 ishte po as modernist sa dhe i 11-ti.
Cili ishte roli i drejtuesve të RTVSH-së në atë kohë?
Todi Lubonja nuk kishte shumë muaj që kishte ardhur si drejtor. Nefo Myftiu kishte bërë një ndryshim të madh në radio, si drejtoreshe e saj. Në atë periudhë transmetohej edhe muzikë perëndimore, por me kufi. Të dy këta drejtues ishin njerëz me shumë kulturë. Atmosfera para festivalit ishte e lirshme. Ai që ndiqte më nga afër provat ishte Todi Lubonja. Nuk bënte shtrëngime për tekstet, as për muzikën, skenografinë e kostumografin. Ai i shihte të gjitha lëvizjet e mia në skenë por nuk më bënte vërejtje. Drejtues artistik ishte Nikolla Zoraqi.
Ju dolën probleme të ndonjë karakteri tjetër gjatë provave?
I vetmi problem që kishin në atë kohë ishte se ku do t’i gjenim copat për të qepur veshjet që kishim planifikuar. Në një nga këto ditë Nefo Myftari më jep një ide që kishte të bënte me një ekspozitë që bëhej atje ku më pas u emërtua “Shqipëria sot” ku kinezët kishin ekspozuar mallra të ndryshme e sidomos copa shumë të mira. Ekspozita kishte përfunduar dhe kinezët i kishin lënë të gjitha mallrat në Shqipëri. Aty gjetëm copat që dëshironim. Kështu u gjet zgjidhja.
Ndërkohë ky Festival pati dhe risi?
Ajo që ndryshova ishte prezantimi. I vura në lëvizje dy prezantuesit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun. Madje bashkë me Bujarin shkruam skenarin ku prezantuesit dialogonin me këngëtarët. Nuk doja që të kishim thjesht një anonçim të këngëve siç ishte bërë deri në atë kohë. Edhe juria përbënte risi, sepse u bënë lidhje drejtpërdrejt me rrethet.
Ndërkohë ende nuk keni marrë asnjë vërejtje…?
Çështë e vërteta edhe ne na bëri përshtypje ky liberalizëm. Mes nesh thoshim: “Këtu do të ketë ndonjë gjë që s’po na bën askush një vërejtje” Madje edhe heqja nga Drejtor i Përgjithshëm i Thanas Nanos që njihej si konservator, ishte një problem më vete që na bënte të dyshonim. Pra ne të gjithë mendonim se, gjithsesi, liria që na u dhurua ishte e tepërt.
Ramiz Alia i pa provat gjenerale?
As Ramiz Alia dhe askush tjetër nga Byroja Politike nuk erdhën të shihnin provat e Festivalit. Nëse do të kishte ardhur Ramizi, me siguri do të kishte bërë vërejtje. Mendoj se do ta shtynte nja dy ditë festivalin por do të rregullonim diçka që kishte lidhje me kostumet e skenografinë. Por asnjëri nga të mëdhenjtë nuk u duk në provën gjenerale. Rmizi erdhi vetëm në Festival dhe në përfundim të tij tha këto fjalë të cilat Todi Lubonja i ka shkruar në librin e tij me kujtime: “Mos ndoshta këngët e këtij festivali janë si bonbone me sheqer që kanë brenda helm?”. Por ai e mbylli me kaq, nuk bëri më vërejtje të tjera.
Po Enver Hoxha…?
Ato ditë Enver Hoxha ndodhej familjarisht me pushime në Vlorë. Vetë Sulo Gradeci, shefi i sigurimit të Sekretarit të Parë, shkruan në kujtimet e tij se Enveri do të informohej nga vajza e tij Pranvera, që do t’i thoshte: “Eja të shikosh se capo bëhet në Tiranë”. Pas dy ditësh Enver Hoxha kthehet në Tiranë. Në 9 janar 1973 bëhet mbledhja e parë e zakonshme e Presidiumit të Kuvendit, ku Enveri ishte anëtar i thjeshtë. Në këtë mbledhje ai goditi festivalin duke e quajtur si “shfaqe armiqësore”. Kjo fjalë e tij nuk u bë publike.
Në Plenum IV Enver Hoxha tha: “Todi Lubonja mblodhi në Korçë njerëz të deklasuar, si një farë Minush Jero dhe Mihal Luarasi. Këtë të fundit e kurorëzoi dhe në televizion”. Por në dy reshta Enveri bëri tre gabime. Asnjëri nga ne të dy nuk ishte i deklasua. Minushi kishte aktivitet të gjerë në Vlorë, gjatë luftës. Unë 14 vjeç dola malit partizan. Unë s’kisha pse grumbullohesha në Korçë se kisha lindur në Korçë. Todi nuk më kurorëzoi në televizion sepse unë u lidha me televizionin që kur filluat emisionet e para eksperimentale.
Biseda me Piro Kondin
“Enveri po përgatitet për një goditje të madhe”
Gjatë intervistës së tij për “Shekullin” Mihal Luarasi thotë: “Të nesërmen e fjalës së Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit, na thërrasin ne të gjithë pjesëmarrësit e festivalit në një mbledhje të madhe ku na u tha: “Do të flitet për Festivalin”. I deleguar nga Komiteti Qendror ishte Piro Kondi. Ne të gjithë menduam se do të na lavdëronin për punën e mirë, pasi në drejtimin tonë kishin ardhur shumë letra të cilat na vlerësonin. Unë u futa në zyrën e drejtorit ku gjeta Todin, Nefon dhe për rastësi edhe Ismail Kadarenë. Aty më thonë: “Shoku Enver e ka hedhur poshtë festivalin”. Ndërsa Nefo Myftari më rekomandoi: “Mos u ul në presidium se do digjesh, por ulu në sallë”. Dhe unë u ula në një vend pranë Kadaresë. Mbledhja filloi. Si rregull i atyre viteve ishte që në fillim fliste masa. Më pas e mori fjalën Piro Kondi i cili tha: “Ju po flisni vetëm fjalë të mira për Festivalin. Por në Komitetin Qendror kanë ardhur disa letra nga të rinjtë e Lushnjës të cilat thonë se këngët e këtij festivali nuk janë këngë shqiptare. Unë bëj autokritikë që nuk e kam kontrolluar festivalin. Shikojeni dhe ju me këtë sy kritik”. Atë çast ngrihet Nikolla Zoraqi e i thotë: “Shoku Piro edhe ne kemi marrë shumë letra, por ato vetëm na lavdërojnë”. Piro Kondi e kishte shtëpinë jo shumë larg asaj ku banoja u unë, e në përfundim bëmë një copë rruge së bashku. Aty ai më tha: “Mihal mos u mërzit. Shoku Enver po përgatitet për një goditje të madhe ndaj influencave të huaja në vendin tonë. Jo vetëm pantallonat kauboj, minifundet e flokët e gjata, por këto kohë janë shtuar shumë edhe vjedhjet e xhepave. Festivali është një kokë turku. Duhet një pretekst. Pastaj do harrohet në aq shumë gjëra që do goditen”. Mirëpo nuk ndodhi kështu. U harruan shumë gjëra, por Festivali 11, jo”.
Dëshmia
Transformimi, nga regjisor u bëra bojaxhi me 7 kategori
“Ato ditë një tjetër mbledhje e madhe u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Megjithëse isha anëtar i Kryesisë së Lidhjes unë nuk u ftova në mbledhje. Mbledhjen e drejtonte Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli si i sapozgjedhur në krye të Lidhjes. Aty ndodhi një fenomen. Ramiz Alia me shumë dinakëri i vuri artistët kundër njëri-tjetrit. Dhe ia arriti qëllimit. Në atë mbledhje u godit i gjithë arti shqiptar. Pas kësaj u krijuan grupe të “rinjsh revolucionarë” që bënin kontrolle kudo, grisnin pantallonat kauboj, ndalonin që vajzat të viznin minifunde dhe qethnin të rinjtë që mbanin flokët e gjata. Madhe qethën dhe një djalë të një anëtari të Byrosë Politike sepse nuk e njohën. Në fund të marsit 1973 duke shkuar për në TVSH rrugës takoj Nefo Myftarin e cila më thotë: “Mos shko në televizion sepse je pushuar nga puna dhe do të të dëbojnë me ceremoni”. Në një nga këto ditë i them Vangjush Furxhiut që të lajmëronte Todi Lubonjën të vinte në shtëpinë time, meqenëse unë isha me grip e s’dilja dot. Kur Todi erdhi unë i shpjegova situatën. Atëherë Todi më tha me një dialekt tiranasish “Është për t’u hek, jo për të vdek”. Por mua nuk më ngrohu kjo shprehje e tij. Me sa duket një dekoratë që i dhanë Todit me rastin e 50 vjetorit të lindjes e kishte vënë në gjumë. Natyrisht në një situatë të tillë ne të gjithë kishim bërë autokritika. Më pas më kërkuan që të bëja një autokritikë në zyrat e Komitetit Qëndror. Gjeta një pretekst të mos shkoja. U thashë: “jam i sëmurë”. Pas kësaj. Pipi Mitrojorgji, një nga aparatçikët e KQ thërret bashkëshorten time, Edi Luarasin, që vazhdonte punën në Teatër, e i thotë: “Meqenëse Mihali na qenka sëmurë dhe nuk vjen dot, i thuaj të përgatiti një autokritikë me shkrim ku të thotë se edhe dramën “Njollat e murrme” e ka vënë në skenë i ndikuar nga Todi Lubonja”. Natyrisht as këtë nuk e bëra. Të nesërmen në vjen urdhri për të shkuar për riedukim në një kantier ndërtimi në Ballsh. Atje punova ca kohë në një betoniere. U arrestova i pari nga i gjithë grupi. Dola në gjyq pas gjashtë muajsh hetuesi. U dënova me 8 vjet burg. Kudo që flitej për mua më dukej sikur flitej për një njeri tjetër. Burgu i Ballshit ishte më shumë një kamp ku mbaheshim rreth 1000 veta nga të cilët nga 200-300 i njihja. Plenumi i IV nuk ishte fillimi i sulmit, ai ishte konkluzioni pasi gjatë atyre muajve goditja ishte bërë në të gjitha fushën e kulturës dhe artit. Enver Hoxha i bëri cilësimin si “Rrufjan politik” Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës. Todi pas u arrestua rreth dy vjet pasi u largua nga drejtimi i Televizionit dhe u dënua me 13 vjet burg. Ndërsa Fadil Paçrami u dënua me 15. Bëra 7 vite burg, pasi për shkak të një amnistie përfitova një vit, unë dhe Minush Jero. Pasi u lirova u bëra bojaxhi, ku mora kategorinë e 7-të, ku bashkë me dy punonjës të tjerë kemi lyer të gjitha kopshtet dhe shkollat e Tiranës nga dy herë. Këta dy persona ishin të vetmit që më flisnin, pasi askush tjetër nuk m’i hidhte sytë”.
Regjisori i veprave që u dënuan
Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Pas tre ditësh spektaklin e pa Enver Hoxha dhe e dënoi si vepër armiqësore. Më 1972 në teatrin A. Moisiu të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Paçramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u ndesh përsëri me goditjen që u bë në Letërsi dhe Art. U dënua me tetë vjet heqje lirie.
Shkatërimi i arkivës
Mihal Luarasi thotë: “Goditja ishte aq e pamëshirshme saqë bobinat e regjistrimit të Festivalit të 11 u dogjën. U zhduk gjithashtu gjithçka flitej për të, partitura e tekste këngësh. Mbeti në arkivën e Kinostudios vetëm një kronikë rreth këtij festivali. Në vitin 2003 Tish Daija i dorëzoi Arkivit të Shtetit 16 partitura të këngëve nga festivali të cilat i kishte ruajtur me shumë fanatizëm gjatë gjithë këtyre viteve. Këtë vit, me rastin e 40 vjetorit të Festivalit 11 do të këndohen 11 nga këto këngë, pikërisht në festivalin 51 të funddhjetorit 2012”
Çmimet e Festivalit 11 në RTSH
Kënga fituese ishte “Erdhi pranvera” e kompozitorit Pjetër Gaci, me vargje të poetit Fatos Arapi, kënduar nga Tonin Tërshana. Në vendin e dytë u rendit kënga “Udhët e jetës”, kënduar nga Lindita Sota, kurse në vendin e tretë kënga “Kush më njeh mua”, kënduar nga Ema Qazimi. Në festival morën pjesë edhe këngëtarë të tjerë të njohur të asaj periudhe, si V.Zela, Sh.Merdani, J.Aliaj, L. Kondakçi, Z. Saraçi, F.Radi S.Qatiti, B. Alibali etj., të cilët kënduan këngë, të kompozitorëve të njohur, si T.Daia, A.Krajka, A.Peçi, F.Deda, K.Laro, A.Lalo, F.Shehu, A.Xhunga, E.Shengjergji…
http://leonardveizi.blogspot.al/2017/10/mihal-luarasi-pas-festivalit-te-11-te-7.html
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.