Posta

October 31, 2017 | 15:14

POSTA / Im shoq na ka braktisur për kumarin, si ta shpëtoj nga kjo varësi?

burri

Foto ilustruese

Kam nevojë për mendimin e psikologes. Jam 30 vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Jam e martuar prej 12 vjetësh me bashkëshortin, dhe 11 vjet që jetojmë jashtë Shqipërisë, çdo gjë në jetën time ka qenë le të themi e qetë, por jeta bashkëshortore ka qenë gjithmonë një ferr i vërtetë. Burri imë është tip i qetë, punëtor, por që ka vite që luan kumar. Jemi zënë, jemi grindur shumë herë, por asnjëherë nuk kthen. Gjithmonë përfundon duke thënë: unë kështu jam, po deshe gjej dikë tjetër nëse nuk të pëlqej unë. Unë as e kam çuar ndonjëherë nëpër mend ta tradhtoj, por ai gjithmonë e më shumë po më largon nga vetja. Me fëmijët nuk do të merret fare, as t’i nxjerrë ndonjëherë apo të më ndihmojë me edukimin e tyre, sikur nuk është fare këtu. Dhe kur unë i them, që kështu nuk shtyhet më, jam vetëm dhe e lodhur, e stresuar me dy fëmijë, vetë nënë e vetë baba, është i dashur me fëmijët në mënyrën e tij, që unë nuk arrij ta kuptoj. Gjithmonë kur lë punën, ose do dalë me shokë, ose do shkojë të luajë atë ves të mallkuar. Në shtëpi nuk na mungon asgjë, pasi nga ekonomia jemi vërtetë shumë mirë. Edhe kur vjen në shtëpi, nuk dëshiron të merret as me fëmijët e as me një gje tjetër. Kur ia kërkoj këtë, nis debati. Kurrë nuk di të më thotë një fjalë të mirë apo të më pyesë se si e kalova ditën. Unë nuk jam një femër që nuk e mbaj veten, gjithmonë jam e rregullt me pamjet time fizike. Dikur çmendej pas meje dhe sot nuk më shikon dot me sy. Situata është mjaft e tensionuar dhe çdo ditë ka vetëm sherr mes nesh. Ju lutem më jepni një mendim, pasi nuk mundem dot më me këtë situatë.

Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Përgjigje:

E nderuar letërshkruese, faleminderit për këtë përshkrim me detaje të situatës dhe ndjesive tuaja. Kjo më ndihmon të kuptoj më mirë çfarë realisht ju shqetëson. Në të gjitha rastet kur më është drejtuar një pyetje me problematikën e kumarit , jam munduar të shpjegoj çfarë është kumari dhe si perceptohet nga pikëpamja e personit që luan kumar. Sot dua ta përmbledh më shkurt këtë pikë, që ju të kuptoni se nuk është faji juaj që bashkëshorti juaj e ka këtë problem. Personat që janë të varur nga kumari, nuk zgjedhin të jenë të tillë. Varësia e kumarit është një sëmundje, e cila nuk mund të trajtohet lehtësisht pa ndërhyrjet specifike. Në ndryshim nga rastet e tjera që më janë drejtuar me një pyetje të tillë, ku bashkëshortët premtojnë se do ndryshojnë, por nuk e bëjnë asnjëherë, bashkëshorti juaj as nuk e merr mundimin ta bëjë një premtim të tillë. Duke ju thënë këtë, dëshiroj që të kuptoni që sjellja e tij tashmë është jashtë kontrollit , dhe varësia ndaj kumarit është kthyer një mënyrë e mirëfilltë e të jetuarit. Kjo do të thotë që bashkëshorti juaj është aq shumë i fokusuar në varësinë e tij sa ka humbur lidhjen me realitetin. Dhe më vjen keq që kjo situatë, ju ka vënë në dyshime për aftësitë apo tërheqjen tuaj fizike si femër.

E dashur femër! Nuk është faji juaj për problemet e partnerit tuaj. Nuk është faji juaj, që është krijuar kjo distancë mes jush! Dhe përsëri ju them, nuk është faji juaj për papërgjegjshmërinë dhe pakujdesinë që tregon bashkëshorti juaj.

Ai tashmë nuk arrin të kuptojë se çfarë po shkaktojnë sjelljet e tij. Nuk mundet të kuptojë.

Pra në këtë pikë, mbetet që vetë ju të arrini të shikoni realitetin e jetës suaj. Të vlerësoni gjendjen tuaj familjare dhe në bazë të pritshmërive që keni vetë ju për jetën të merrni vendimet e duhura.

A ju mjafton kaq sa keni dhe kështu si jeni tani? A ekziston mundësia për një trajtim në një qendër rehabilitimi të bashkëshortit tuaj? A janë në dijeni familjarët e tij dhe familjarët tuaj për këtë problematikë? Dhe çfarë propozojnë? A ka shpresë për një rrugëzgjidhje pozitive, në të mirë të familjes? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mund t’ju japin një orientim për të ndihmuar veten dhe fëmijët tuaj.

Unë personalisht jam e mendimit që, një jetë e shëndetshme bashkëshortore dhe familjare është kur partnerët japin dhe marrin nga njëri-tjetri, ku gjen mbështetje dhe ofron mbështetje, ku ka komunikim dhe ndërveprim, ku ka 2 prindër që u përgjigjen fëmijëve dhe jo vetëm njëri prind. Nuk mund të lë pa përmendur dhe intimitetin që është një pjesë shumë e rëndësishme në marrëdhënien mes një çifti. N.q.s të gjitha këto pika mungojnë, atëherë çfarë mbetet ?

Unë nuk mund të vendos për ju, askush nuk e ka të drejtën të vendosë për jetën e dikujt. Ju jeni Zot i jetës suaj. Ju takon ju të merrni vendimet .Mjafton të sqaroni me veten, çfarë dëshironi nga kjo jetë, çfarë mund ta toleroni dhe çfarë jo dhe cili është kufiri që i vendosni durimit?!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com