Nga Hysen Kica, shkrimtar
Në rrugën e gjatë të ecjes së njerëzimit nuk ka patur kurrë barazi dhe më tepër ka sunduar ligji i pyllit, sesa i qytetërimit. Të gjithë të pafajshmit kanë thirrur e vazhdojnë të thërrasin për drejtësi, por nuk i dëgjon askush. Mua më duket se kjo padrejtësi rëndon më shumë mbi femrat.
Që në fëmijëri femrat shqiptare ndjehen jo të barabarta në shumë familje, ku ka edhe plot raste që përdhunohen edhe nga babai i tyre, nga shokët e babait, shokët e mamit e të vëllait, nga kushërinjtë apo nga komshinjtë. Pastaj shantazhohen dhe detyrohen edhe të prostituojnë. Nuk më duket e drejtë të themi se shumë femra lindin prostituta. Opinioni shoqëror, sidomos në zonat rurale, jo vetëm që i frenon të mos padisin, por i ngarkon me një barrë të rëndë sociale e morale. Shumë vajza të përdhunuara nuk e përballojnë ndeshjen me realitetin, nuk guxojnë t’u tregojnë prindërve, mundohen të shmangen dhe ta harrojnë, por përdhunuesit nuk ndalen në rrugën e tyre të krimit. Mendojnë se janë superior mbi viktimat e tyre, i kërcënojnë me të gjitha mënyrat dhe i vendosin para situatave të pakapërcyeshme nga viktimat. Në situata të tilla të pashpresa, ka edhe plot vajza që i japin fund jetës së tyre me një mënyrë tragjike; ka vajza që shpresojnë se një ditë kjo gjendje do të arrijë fundin pa e marrë vesh të tjerët, por ka edhe vajza që nuk gjejnë më rrugëdalje dhe kthehen në vrasëse.
Jetën e duan të gjithë dhe luftojnë për ta mbrojtur atë me të gjitha mënyrat.
Vajzat shqiptare gjenden para shantazheve të tilla, qëkur janë në shkollë. Shumë mësues u kërkojnë marrëdhënie seksuale që t’i kalojnë ndryshe… nuk kalojnë! Shumë vajza vijnë nga zona me prapambetje të theksuar ekonomike e kulturore dhe detyrohen të prostituojnë për të siguruar të ardhurat e nevojshme ekonomike, që u nevojiten për të kryer studimet e larta. Këto raste gjuajnë ata që quhen “biznesmenë” dhe u hedhin prangat e varësisë ekonomike e seksuale këtyre vajzave të mjera, pavarësisht se janë më të moshuar edhe se prindërit e tyre.
Poshtërsitë nuk kapërcehen më kurrë. Edhe të kërkojnë një vend pune në shtet apo në privat, shumë vajza duhet të shndërrohen në “dashnore” të punëdhënësve. Ndryshe nuk ka as punë dhe as perspektivë për të ardhmen e tyre.
Plaku “dashnor“ bëhet edhe xheloz. Nuk i lejon të dashurojë e të ndërtojnë jetën e tyre familjare. I torturon, i kërcënon, i lidh, ua djeg mishin me cigare, u ngul thikën apo plumbin, u merr jetën dhe… I hedh në humnerë. Opinioni dhe ligji dënojnë viktimën e mjerë dhe jo kriminelin, se ai është “ bos “ dhe e blen pafajësinë.
Ka edhe plot vajza, sidomos në zonat e thella malore, ku nuk arrijnë dot të vazhdojnë as shkollën e mesme. Në rastet më të pafata, ato mbeten të mbyllura në shtëpi dhe shumë herë edhe të pamundura të martohen. Pasi kalojnë vitet e rinisë, ato trajtohen si të huaja e të ofenduara edhe në shtëpinë e prindërve të tyre. Kështu shuhen të gjitha ëndrrat dhe shpresat e tyre të bukura për jetën. Shndërrohen në krijesa të pafata e të mjera, shndërrohen në teprica të botës njerëzore, nuk gjejnë më vend ku të jetojnë dhe mund të bien pre e trafikantëve apo mashtruesve, të cilët gjuajnë çdo rast të tillë.
“Pranoj gjithçka, – thoshte një vajzë që kishte arritur në kulmin e depresionit, vetëm të më marrë dikush e të më largojë nga shtëpia e prindërve”.
Kam mësuar se pothuaj në gjithë shtetet europiane u sigurohen kurse kualifikimi, punë dhe banesë të gjitha vajzave që mbushin moshën 18 vjeç dhe që nuk e kanë mbështetjen e prindërve. Për gjithë kohën që janë të papunë ato mbahen me asistencën sociale. Këto janë realitete shumë humane, që mbështeten jo vetëm në nivelin ekonomik, por edhe nivelin kulturor e ligjor të tyre. Shkalla e qytetërimit të një kombi përcaktohet edhe nga qëndrimi ndaj femrave.
Po në Shqipëri?!
Femrat janë fizikisht më të dobëta, por edhe më të goditura nga opinioni apo edhe thashethemet. Nuk është e vërtetë se kemi shtet të varfër, që nuk ka fonde për t’i ndihmuar femrat, por ka mungesë dëshire. Ndoshta edhe shteti kërkon t’i shfrytëzojë ato! Ndoshta gabohem, por kam dëgjuar se edhe vajzat e jetimores i nxjerrin në rrugë sapo mbushin moshën 18 vjeç. Ku dhe si duhet të jetojnë vajzat shqiptare?!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.