Lexova diku një artikull satirik mbi të ashtuquajturën “Teoria e Kalit të Vdekur”. Metafora është e thjeshtë: nëse kupton se po kalëron një kal të ngordhur, veprimi më i arsyeshëm është të zbresësh. Apo jo?
Megjithatë, sipas artikullit, njerëzit dhe, veçanërisht ekonomitë e vendeve, organizatat apo kompanitë…, rrallë e ndërmarrin këtë hap të thjeshtë. Në vend që të pranojnë se kali është i ngordhur, ata nisin një varg veprimesh irracionale, por shoqërisht të pranueshme.
Blejnë një shalë të re (po, për kalin e ngordhur). Përmirësojnë “dietën” e tij. Ndryshojnë kalorësin. Largojnë kujdestarin dhe punësojnë një tjetër. Organizojnë takime për të diskutuar si mund të rritet shpejtësia e kalit të ngordhur. Krijojnë komitete që e studiojnë problemin për muaj të tërë dhe, në fund, arrijnë në përfundimin e dukshëm: kali është i ngordhur. E krahasojnë me kuaj të tjerë të ngordhur dhe vendosin se problemi qëndron te stërvitja, jo te fakti që është i ngordhur. Hartojnë programe stërvitjeje për të. Madje ndryshojnë edhe përkufizimin e fjalës “i ngordhur”, për të bindur veten se ndoshta ka ende shpresë.
Mësimi i artikullit është i qartë: njerëzit shpesh zgjedhin të investojnë energji në shmangien e pranimit të realitetit, në vend që të përballen me një të vërtetë të thjeshtë dhe të dhimbshme.
Duke e lexuar ngadalë dhe me kujdes, mendova: “Sa shpesh ndodh kështu në marrëdhënie…”

Ka marrëdhënie që kanë përfunduar emocionalisht. Lidhja është zbehur, respekti është gërryer, dëshira është shuar. E megjithatë, njerëzit vazhdojnë të “kalërojnë”.
Blejnë një “shalë të re”: një udhëtim për të shpëtuar martesën, një fëmijë për t’i bashkuar, një investim të përbashkët për t’u lidhur më fort. Përmirësojnë “ushqimin”: më shumë përpjekje, më shumë tolerancë, më shumë heshtje. Ndryshojnë “kalorësin”: “Nëse nuk funksionon kështu, do të ndryshoj unë. Do të bëhem më e/i qetë, më e/i dhembshur, më pak kërkues.” Bëjnë “takime”: analiza të pafundme mbi atë që nuk shkon.
Dhe shpesh, thellë brenda vetes, e vërteta tashmë dihet: marrëdhënia ka përfunduar.
Ky nuk është thjesht mohim. Është një mekanizëm mbrojtës ndaj pikëllimit. Të zbresësh nga kali i vdekur i një marrëdhënieje do të thotë të pranosh se diçka në të cilën ke investuar kohë, emocione dhe identitet ka marrë fund. Do të thotë të përballesh me boshllëkun që mbetet pas. Me frikën, vetminë, ndjesinë e dështimit, me gjykimin shoqëror.
Shpesh nuk qëndrojmë sepse ka ende jetë. Qëndrojmë sepse kemi frikë nga jeta përtej saj.
“Teoria e Kalit të Vdekur”, në kontekstin e marrëdhënieve, na fton të dallojmë nëse marrëdhënia ka ende jetë…, pra ka ndjenja, respekt, dëshirë për përmirësim nga të dyja palët apo nëse ajo ka përfunduar, por ne vazhdojmë të qëndrojmë vetëm sepse nuk duam të pranojmë humbjen.
Ndoshta, në disa raste, akti më i pjekur i dashurisë…, ndaj tjetrit dhe ndaj vetes, është të mos përpiqemi më. Është të zbresim nga kali i vdekur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

