Nga Angela Kosta*
“Sa peshon një lot? Loti i një fëmije kapriçoz peshon më pak se era, ai i një fëmije të uritur peshon më shumë se gjithë toka”. (Gianni Rodari)
Kisha kohë që udhëtoja me tren për në Milano, por ajo ditë më ka mbetur në kujtesë dhe nuk do të më çrrënjoset kurrë nga mendja. Ndodhesha në stacionin e Milanos në Rogoredo dhe teksa prisja ardhjen e trenit, iu përkushtova leximit të një libri me poezi. Isha përqendruar tek vargjet e mrekullueshme, teksa ndjeva se dikush më kapi nga bërryli. Ktheva kokën dhe pashë një djalë të zbehtë në fytyrë nga papastërtia, me flokë të shpushpuritur gjithë zbokth, rrobat e grisura e të palara, dhe sytë e tij, ato sy të cilët nuk do t’i harroj kurrë sepse nuk do të munden të më hiqen nga mendja. Nuk ishte nevoja të shikoja dorën e tij të shtrirë teksa priste disa të shkoqura; ishin pikërisht ato sy që ulërinin urinë e kushedi prej sa orëve e pse jo të ditëve mendova me keqardhje të thellë.
E pyeta sa vjeç ishte dhe si e kishte emrin? – Aron, jam 9 vjeç , – m’u përgjigj shkurt, sikur dëshironte mos ta harxhonte frymën apo ato pak energji që i kishin mbetur. I dhashë disa euro e vetëdijshme se nuk do ta ndryshonin aspak gjendjen e tij të mjerë, por gjithsesi do t’ia shuanin urinë të paktën për disa ditë. Aron vështroi paratë, i preku sikur dëshironte të sigurohej se ishin të vërteta, i shtrëngoi fort në dorën e mbledhur grusht dhe i futi shpejt nën çorap. Më falenderoi me buzëqeshjen e tij fëmijërore por të burrëruar njëkohësisht dhe pasi më përshëndeti, vijoi drejt parkut. – Aron! – e thirra në çast. Ai ktheu kokën dhe u kthye për të ardhur drejt meje. – Merri këto! – i thashë teksa i zgjata paninen e mbledhur në letër dhe shishen me ujë. Ai u përtyp pastaj e hapi rrëmbimthi letrën dhe kafshoi një copë. Teksa bëri ta kafshonte përsëri, u mendua një çast, hezitoi dhe e mblodhi përsëri në letër paninen. – Haje – i thashë, sapo e bleva. – Do e ndaj me vëllezërit dhe motrën time, – m’u përgjigj duke ngritur supet. Janë të vegjël dhe kanë gjithmonë uri, – vazhdoi të më thoshte me zërin e tij fëmijënor teksa unë mendoja sesa i madh i dukej vetja dhe sa shumë ishte burrëruar para kohe nga skamja. Vështrova orën e dorës dhe teksa mendova se treni nisej pas gjysmë ore, i thashë: – Eja me mua Aron! Ai ngriti kokën dhe bëri të më pyeste se ku do ta çoja. – Shkojmë tek ky klubi këtu afër, të blejmë panine edhe për vëllezërit e motrat e tua, – iu përgjigja ëmbël. – Kam paratë që më dhuruat zonjë, – më tha pa më lënë të mbaroja mirë. – Eja! – i thashë. Ato shpenzoi nesër! Ai më ndoqi në heshtje dhe teksa prisja radhën, ndieja vështrimet e njerëzve të cilët më shihnin me kuriozitet apo habi, dhe ndoshta pyesnin veten se çfarë donte ai djalë i varfër në shoqërinë time? Aq më bënte. Sikur shoqëria t’i zhdukte këto paragjykime, sikur varfëria të zhdukej nga planeti, sikur… më erdhi radha ndaj pyeta Aronin, realitetin që zhduku në çast dëshirën “sikur”, sa panine duhej të porosisja? – Pesë! – m’u përgjigj me gishtat e dorës. Porosita dyfishin, dhe teksa i lashë qesen në dorë, i buzëqesha dhe i thashë t’i çonte në shtëpi. Më falenderoi me ngazëllim në sy dhe u largua. Teksa ecte, (gati tërhiqte këmbët nga pafuqia), mendova se supet e tij, edhe pse ishte ende fëmijë, mbanin peshën e kohës së vështirë: skamjen. E shoqërova me sy derisa u përzie me turmën e njerëzve dhe nxitova të marr trenin.
Gjatë udhëtimit, nuk mendova gjë tjetër veç Aronit dhe vëllezërve e motrave të tij, të cilët i stërmundonte uria në këtë botë të ashpër dhe të padrejtë. Mendimi im u ndal gjithashtu në faktin se as mund të krahasohet bollëku dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, me atë të Aronit dhe shumë fëmijëve të tjerëve kudo në botë. Rruzulli tokësor duhej të ishte njëlloj për të gjithë: pa mjerim, pa luftëra, pa sëmundje, ashtu siç e krijoi Zoti dhe Natyra por që njeriu e transformoi në planet shfrytëzimi ndaj të pafuqishmëve dhe mjeranëve.
*Angela Kosta, Akademike, Drejtore e revistës fizike në dygjuhësh MIRIADE, gazetare, shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.