Gazetarja e njohur, Çenkuela Hasa e ftuar në emisionin “Shije shtëpie” ka treguar historinë e trishtë të nënës së saj, e cila 17 vite më parë ka fituar luftën ndaj kancerit të gjirit.
Teksa kujtoi periudhën e vështirë dhe orët e gjata që kaloi spitaleve me nënën e saj, gazetarja u përlot duke kujtuar momentin kur ajo vetë ka prerë flokët e nënës së saj duke treguar kështu të gjitha sakrificat që ajo ka kaluar gjatë asaj periudhe në moshë 16 vjeçare.
“Kam qenë 16 vjeç kur nëna u diagnostikua me kancer të gjirit, ajo nuk e zbuloi nga një kontroll rasti, sëmundja kishe agravuar dhe kishte jashtëzakonisht dhimbje. Ne jetonim në qytetin e Cërrikut ku mungonin infrastrukturat, mjekët onkologë, duhet të vije në Tiranë, e për këto arsye ajo nuk kishte bërë kontroll rutinë. Është një luftë që shoqërohet me kosto ekonomike, psikologjike. E gjithë familja përfshihet në këtë vorbull, prandaj është e rëndësishme mbështetja nga familja, mjekët.
Ne ishim vetëm të tre, kisha vëllanë e vogël, pavarësisht se isha adoleshente duhet të më binte barra mbi supe, pasi babai jonë kishte vdekur vite më parë. 17 vite nuk e kisha folur, ndoshta ka dhe miq që akoma nuk e dinë këtë histori, sepse janë trauma që nuk do që t’i rikthehesh pas.
Mund të them që momenti kulmor ka qenë momenti që nëna ime vendosi që të presë flokët sepse ato ishin ngatërruar shumë dhe e mbaj mend atë moment që tha “sot do dal, do mbyll disa punë” që kishte në zyrë, pra punë të familjes dhe “do më presësh flokët”. Unë kam qenë ajo që i kam prerë flokët dhe ai ishte momenti më kulmor për të i dhimbjes sepse nuk e pranonte dot edhe ndryshimin, heqja e gjoksit, prerja e flokëve që i kishte flokë shumë të bukur, me onde, domethënë ishte momenti më kulmor. Pas kësaj, ne filluam që të jemi optimistë kur porositëm paruket, kur i vinte.”
Një tjetër aspekt që Çenkuela prek, është opinioni dhe sjellja e të tjerëve ndaj nënës dhe asaj vetë.
“Isha ajo vajza që e kishta nënën sëmurë, që bëhej me gisht që “shiko ajo ka vënë paruke”, por unë kam qenë shumë natyrë sportive, nuk është se më kanë shqetësuar por realisht dua të them se i kam ndjerë këto gjëra në atë periudhë dhe prandaj edhe vendosa që ta ndaj historinë time sepse pavarësisht se kanë kaluar kaq shumë vite, situata nuk është se ka ndryshuar shumë, veçanërisht nëpër rrethe ku jo vetëm paragjykimi, informacioni ku për këto zonja vazhdon të jetë i vakët dhe media është e vetmja platformë që ato informohen,” përfundon gazetarja.
Burimi / TvKlan
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.