Kalimi i kohës cilësore me partnerin është thelbësor për një marrëdhënie të shëndetshme dhe të lumtur. Nëse duam që lidhjet tona emocionale të lulëzojnë, duhet t’i ushqejmë përditë, t’i kushtojmë vëmendje dhe të bëjmë që tjetri të ndihet i dashur dhe i vlerësuar. Një nga mënyrat më efektive për ta arritur këtë është koha e kaluar bashkë.
Edhe pse duket si diçka e thjeshtë, shumë çifte nuk arrijnë të kalojnë kohë cilësore në mënyrë të qëllimshme. Sipas një studimi në Journal of Family Psychology, mungesa e kohës së përbashkët është një nga problemet më të zakonshme që çiftet duan të ndryshojnë në marrëdhënien e tyre.
Kjo kohë nuk do të thotë vetëm të jesh fizikisht pranë partnerit, por të jesh mendërisht i pranishëm, të dëgjosh me vëmendje dhe të ndash përvoja kuptimplota. Por pse është kjo kaq e rëndësishme?
Pse ka rëndësi koha cilësore në çift?
Në fillimet e një lidhjeje romantike, dëshira për të qenë pranë njëri-tjetrit është e natyrshme. Sipas teorisë së dashurisë së Sternbergut, koha e kaluar së bashku forcon dy përbërës të rëndësishëm të dashurisë: pasionin dhe intimitetin. Koha cilësore nuk është vetëm bashkëjetesë fizike. Ajo krijon një lidhje më të thellë përmes vetëzbulimit (ndarjes së mendimeve dhe ndjenjave) dhe ndërtimit të besimit. Studime në Contemporary Family Therapy tregojnë se çiftet që ndajnë kohë bashkë, flasin dhe bëjnë aktivitete së bashku, raportojnë më shumë kënaqësi dhe ndihen më të afërt me njëri-tjetrin.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur koha cilësore është mënyra kryesore e shprehjes së dashurisë për njërin ose të dy partnerët – pra, kur ndihen më të dashur kur ndajnë momente me kuptim së bashku.
Si të kaloni kohë cilësore me partnerin/en tuaj
Në librin “5 Gjuhët e Dashurisë”, autori Gary Chapman jep disa udhëzime praktike për të forcuar marrëdhënien përmes kohës së përbashkët.
1.Jepini vëmendje të plotë
Nuk mjafton të jesh në të njëjtën dhomë me partnerin. Koha cilësore do të thotë t’i kushtosh vëmendje të plotë, pa shpërqendrime. Lini mënjanë telefonin, fikni televizorin, bëni kontakt me sy dhe dëgjoni me kujdes. Energjia juaj duhet të jetë e përqendruar te ai/ajo.
2.Bëni aktivitete së bashku
Zgjidhni aktivitete që i pëlqejnë të dyve ose merrni pjesë në hobet e njëri-tjetrit. Mund të shkoni në një koncert, të bëni shëtitje në natyrë apo thjesht të gatuani bashkë. Ajo që ka rëndësi nuk është aktiviteti në vetvete, por fakti që po krijoni kujtime të përbashkëta.
3.Dëgjoni me vëmendje
Të dëgjosh me të vërtetë është një akt dashurie. Dëgjoni pa ndërprerje, tregoni interes, bëni pyetje dhe përpiquni të kuptoni ndjenjat e tjetrit. Partneri nuk ka nevojë për këshilla, por për ndjeshmëri, mirëkuptim dhe praninë tuaj të sinqertë.
4.Shprehni veten me sinqeritet
Ndani ndjenjat, përjetimet dhe mendimet tuaja. Partneri juaj dëshiron të dijë se si ndiheni dhe çfarë përjetoni. Vetëzbulimi e afron çiftin dhe krijon një ndjesi sigurie dhe përfshirjeje.
5.Merrni iniciativën
Nëse partneri juaj e vlerëson kohën cilësore, do të ndjehet i/e vlerësuar kur ju merrni nismën për të kaluar kohë bashkë. Propozoni ide, organizoni plane dhe tregoni që jeni të përkushtuar ndaj marrëdhënies.
Si ta bëni realitet në jetën e përditshme
Për shumë çifte, veçanërisht ata me fëmijë, mund të jetë e vështirë të gjejnë kohë për njëri-tjetrin për shkak të detyrimeve të ndryshme. Por, siç thekson një artikull në Rivista di Economia della Famiglia, kjo kohë është e domosdoshme për forcimin e lidhjes dhe përballimin e stresit.
Nëse ndjeni mungesën e kohës cilësore, mos ngurroni ta ndani këtë me partnerin. Komunikimi i hapur dhe i ndershëm është hapi i parë për të bërë ndryshime pozitive dhe për të rritur kënaqësinë në marrëdhënie.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.