FB

June 30, 2021 | 8:45

Kanceri i gjirit, mjeku radiolog Ilirian Laçi: Pse biopsia përcakton diagnozën më të sigurt

 

Sipas statistikave, në gjithë popullatën globale, çdo 29 sekonda diagnostikohet një pacient me kancer gjiri. Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet ne indin e gjirit. Këto qeliza patologjike grumbullohen, formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indet normale të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në indet fqinje, por në stade më të avancuara mund të përhapet në organe të tjera të trupit.

DR. SH. M. ILIRIAN LAÇI, MJEK RADIOLOG

Kanceri i gjirit prek edhe meshkujt, por më rrallë sesa femrat. Kanceri i gjirit në përgjithësi rritet me rritjen e moshës, kryesisht në moshat mbi 50 vjeç, por ka shumë raste kur kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Ndryshimet në disa gjene janë zbuluar të jenë përgjegjëse për 10% të kancereve të gjirit. Faktorë të tjerë që ndikojnë në kancerin e gjirit janë fillimi i hershëm i menstruacioneve, ku femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri. Nga ana tjetër, fillimi i menopauzës pas moshës 55 vjeç, pra, menopauza e vonshme, rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit. Shtatzënia në moshë të madhe ose moslindja e fëmijëve, janë parë si faktorë ndikues në kancerin e gjirit.

Mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha, indi i gjirit i dendur, historitë familjare me kancer gjiri, alkooli dhe pirja e duhanit gjithashtu janë faktorë që ndikojnë në kancerin e gjirit. Vetë ekzaminimi është i rëndësishëm për të zbuluar kancerin e gjirit dhe këshillohet të kryhet vazhdimisht, megjithatë metodat radiologjike të diagnostikimit si mamografia, ekografia, rezonanca magnetike si dhe biopsia janë metoda më superiore.

Është i njohur fakti se edhe agresiviteti i kancerit të gjirit në përgjithësi është më i lartë në mosha të reja, por nga ana tjetër një zbulim i hershëm duke u bazuar në ekzaminimin rutinë, kontrolle periodike (një herë në vit edhe nëse nuk keni asnjë shqetësim) ekografi para moshës 40 vjeç dhe mamografi pas moshës 40 vjeç, por në raste specifike edhe kombinimi i tyre është i mjaftueshëm për zbulimin e kësaj patologjie ne stade fillestare.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë pacientë që kanë shqetësime ose indikacione për ekzaminime dhe ndjekje më frekuente. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është faktor shumë i rëndësishme i ecurisë së sëmundjes së gjirit.

Mamografia është një metodë radiologjike e diagnostikimit të kancerit të gjirit. Kjo metodë diagnostikimi ka vlerë depistuese dhe diagnostikuese. Kryesisht mamografia është një ekzaminim, i cili shfrytëzon rrezatimin “X”, i cili nuk mund ka një dozë minimale rrezatimi, e cila është krejt e justifikueshme për rëndësinë e ekzaminimit. Ky lloj ekzaminimi kryesisht ka vlerë depistuese të femrat e moshës mbi 40 vjeç, pasi dendësia e indit gjëndëror është më e ulur. Ka raste ku për qëllime diagnostike, pra, për të konfirmuar diagnozën, mamografia përdoret në mosha më të reja, madje edhe në meshkuj. Në meshkuj diagnoza e gjinekomastisë apo diagnoza a kancerit të gjirit është patognomonike.

Ekografia është metodë ekzaminimi, e cila përdor valë zanore të frekuencave të larta, të cilat nëpërmjet një sistemi elektronik shndërrohen në imazhe. Ato janë të padëmshme për organizmin e pacientit. Nëpërmjet ekografisë arrihet të identifikohen tumore të madhësive të vegjël, të cilët është e pamundur të zbulohen me anë të vetekzaminimit. Kjo metodë ekzaminimi ka rëndësi depistuese dhe diagnostike. Indikohet kryesisht në mosha të reja, pasi nuk ka rrezatim, lehtë e aksesueshme dhe me kosto të ulët. Sigurisht, është eksperienca e mjekut bazuar në karakteristikat e tumorit për të ndjekur hapat e mëtejshëm të trajtimit të patologjisë.

Rezonanca Magnetike është një metodë, e cila përdor valë elektromagnetike për të studiuar gjirin dhe patologjitë e tij. Deri më sot nuk janë raportuar efekte të dëmshme të rezonancës magnetike. Është metodë e linjës së dytë apo të tretë; në përgjithësi këtë metodë ekzaminimi e kryejnë paciente, të cilat nuk është konfirmuar diagnoza radiologjike me ekzaminimet e linjës së parë që janë ekografia dhe mamografia apo në raste kur është konfirmuar diagnoza radiologjike me ekzaminimet e mësipërme, por duhet bërë një vlerësim më i detajuar mbi numrin e lezioneve tumorale, shtrirjes lokale, limfonodulave patologjike, prekjes së strukturave regjionale etj. Rezonanca magnetike e gjirit realizohet me një lëndë kontrasti, me efekte shumë të rralla te toksicitetit renal apo reaksioneve alergjike, duke u realizuar sipas një protokolli specifik sipas patologjisë së dyshuar. Bazuar në të dhënat radiologjike dhe një kurbe të kontrastimit të gjirit dhe patologjive të gjirit nga lënda e kontrastit, konturet si dhe të dhëna te tjera, gjykojmë për llojin e patologjisë.

Biopsia e tumorit të gjirit nën guidë ekografie apo modalitet tjetër radiologjik është metoda e marrjes së një kampioni (një pjesë tumori) për ta dërguar në laborator për vlerësim histopatologjik, duke vendosur diagnozën definitive të tumorit të gjirit. Kjo metodë bëhet nën asepsi të plotë dhe anestezi lokale (mpirje lokale). Pacientja është koshiente dhe bashkëbisedon me mjekun, duke e bërë këtë metodë shumë të vlefshme dhe pa risk për jetën.

BIOPSI E TUMORIT TË GJIRIT, NËN GUIDË EKOGRAFIKE

Metodat radiologjike të sipërpërmendura nuk mund të jenë të pashkëputura nga njëra-tjetra, pasi ato janë komplementare të njëra-tjetrës, por megjithatë biopsia vendos diagnozën më të sigurt kur realizohet me saktësi. Nga ana tjetër, në mjekësi bashkëpunimi interdispiplinar është shumë i rendesishem, kështu që bashkëpunimi me mjekun radiolog, radiolog interventist anatomopatolog, senolog, onkolog, mjekut të familjes etj. është faktor i rëndësishëm në zbulimin, trajtimin dhe ecurinë e sëmundjeve të gjirit.

 

Titulli i autorit: Diagnoza radiologjike dhe biopsia në kancerin e gjirit

 

Burimi / Panorama Online

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top