FB

October 1, 2024 | 7:06

Kanceri i gjirit, si të ulim rrezikun!

Tetori është muaji ndërkombëtar i luftës kundër “Kancerit të Gjirit”, por për këtë problem duhet të flitet e të punohet jo vetëm gjatë këtij muaji.

kanceri-gjirit

Si muaj sensibilizimi, tetori duhet të shërbejë si dhe çdo rast tjetër për të krijuar partneritet e bashkëpunim më të qëndrueshëm midis të sëmurave dhe politikës, midis mjekëve dhe shoqërisë civile për ndërgjegjësim, humanizëm dhe fuqizim të shoqërisë për një mision të vetëm dhe të mundshëm, atë të luftimit të kancerit të gjirit. Ky kancer mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjes te gratë. Vendet e industrializuara të Amerikës së Veriut dhe të Europës Perëndimore kanë një numër të lartë të rasteve, por ky numër po rritet edhe në Azi e Afrikë, ku historikisht ka pasur më pak. Rreziku rritet me moshën. Rreth 80 për qind e rasteve janë gra mbi 50 vjeçe. Por, e mira është se, ndër llojet e kancerit, ai i gjirit është një nga më të kurueshmit. Në fakt, 97 për qind e grave në Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë zbuluar kancerin në fazë të hershme, jetojnë ende, edhe pse kanë kaluar pesë vjet që nga diagnostikimi.

Njohuri bazë

Kanceri i gjirit shpesh diktohet fillimisht si një gjëndër e pazakontë. Për fat, rreth 80 për qind e tyre janë beninje, domethënë masa që nuk i kanë rrënjët në mish. Shumica janë thjesht qeska të mbushura me lëng që quhen ciste. Kanceri i gjirit fillon me një qelizë anormale, që ndahet në mënyrë të pakontrolluar dhe gradualisht formon një tumor. Disa rriten me shpejtësi, kurse disa të tjera mund të duan dhjetë vjet derisa të diktohen. Shkaqet e kancerit të gjirit mbeten mister. Disa shkencëtarë besojnë se vjen nga një proces i ndërlikuar me shumë faza, i cili fillon me një gjen defektoz, i cili i bën qelizat të sillen në mënyrë anormale, pra të ndahen me shpejtësi, të prekin indet e tjera, t’i shpëtojnë sistemit imunitar dhe të sulmojnë organet jetësore. Nga 5-10 për qind të rasteve, gratë lindin me gjene që i bëjnë më të prira ndaj kancerit të gjirit. Por duket se në shumë raste të tjera, gjenet e shëndetshme dëmtohen nga faktorë të jashtëm, si rrezatimi dhe kimikatet. Një faktor tjetër ka të bëjë me hormonin estrogjen që duket se shkakton disa lloje kanceresh të gjirit. Kështu rreziku që një grua të sëmuret mund të jetë më i madh, nëse ka pasur menstruacione të parakohshme a menopauzë të vonuar, nëse ka lindur fëmijë për herë të parë në moshë të madhe apo nëse nuk ka lindur kurrë ose ka bërë terapi hormonale.

Si mund ta ulni rrezikun?

  • Mosha 20-30 vjeç

Vetëkontroll të gjirit çdo muaj (pas menstruacioneve). Kontroll të gjirit te mjeku çdo 3 vjet.

  • Mosha 40-49 vjeç

Vetëkontroll të gjirit çdo muaj. Kontroll të gjirit te mjeku çdo vit, mamografi çdo 1 apo 2 vjet.

  • Mosha mbi 50 vjeç

Vetëkontroll të gjirit çdo muaj. Kontroll të gjirit te mjeku çdo vit, mamografi çdo vit. Në çdo moshë Ruani peshën e duhur. Mos e teproni me ushqime të yndyrshme. Ushtroni aktivitet fizik. Mos pini duhan. Konsumoni sa më pak alkool.

Njihni gjinjtë tuaj

Gjinjtë duhen kontrolluar vazhdimisht dhe me metoda të veçanta. Prek, kontrollo dhe shiko të gjitha pjesët afër gjirit dhe pjesët e nënsqetullave. Është normale për gjinjtë tuaj që t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Ndaj të kuptuarit se çfarë është normale për ju, do t`ju ndihmojë të njihni dhe të dini çfarë t’i raportoni mjekut. Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri. Ndaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni te gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim.

Pyetje që mund t’i drejtohen mjekut

• Cilët janë faktorët risk për mua?

• A jam më në rrezik se të tjerët nga historia ime familjare?

• Çfarë duhet të bëj për të ulur riskun tim?

• Çfarë ekzaminimesh mund të kryej?

• Çfarë rreziku mund të kem?

• Po nëse rezultatet e mia nuk janë normale, çfarë duhet të bëj?

• Sa shpesh duhet të testohem?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top