FB

October 1, 2024 | 7:05

Kanceri i gjirit: Ti mund t’ia dalësh!

 

Kanceri i gjirit ndryshon jetën, por nuk e ndal. Sepse sa të jemi gjallë, edhe plagët do të na bëjnë më të fortë.

kanceri-i-gjirit

Shkalla e mbijetesës së kancerit të gjirit jep gjithnjë e më shumë shpresë. Megjithatë, ka aspekte për të cilat nuk flitet gjithmonë, si p.sh., limfedema ose frika e një rikthimi.

Kanceri i gjirit ndryshon nga të tjerët në një nivel molekular dhe emocional. Disa raste mund të jenë më invazive, të tjera më pak. Kjo rrugë e vështirë dhe e guximshme shënohet nga një kokë tullace dhe mbresë e një gjoksi që mungon, e cila fsheh një dashuri të pamasë. Por gjëja më e rëndësishme është të jemi gjallë dhe të përballemi me këtë sfidë duke e ditur se së bashku mund t’ia dalim. Shkenca, siç e dimë mirë, na befason vazhdimisht me kërkime dhe zbulime të reja. Trajtimet janë gjithnjë e më të sakta, si në rastin e imunoterapisë, e cila ka për qëllim të nxisë, përforcojë ose shtypë një përgjigje imune nga trupi me synimin për të luftuar qelizat malinje pa dëmtuar indet e shëndetshme. Mjekësia është bërë më e saktë dhe më pak invazive, por rastet e kancerit të gjirit ndjekin njëri-tjetrën ditë pas dite. Sipas disa të dhënave nga World Cancer Research Found, ai vazhdon të jetë më i zakonshmi tek femrat. Edhe nëse shkalla e vdekshmërisë ulet çdo vit, është e pamundur të mos ndalemi tek ndikimi social dhe emocional që vazhdon të ketë kjo sëmundje.

Çdo grua e prekur nga kjo sëmundje ka një emër dhe mbiemër, një histori dhe një tumor me një profil të veçantë biologjik. Megjithatë, ato ndajnë një frikë dhe ankth të pashmangshëm. Të gjitha këto gra të jashtëzakonshme detyrohen të hyjnë në një rrugë të veçantë dhe jashtëzakonisht të vështirë, për të cilën askush, absolutisht askush, nuk është i përgatitur. Për këtë arsye, pjesa dërrmuese përballet me një udhëtim që i ndryshon, i cili bëhet një burim i madh reflektimi dhe frymëzimi. Reflektimi i shpresës që na tregon se ne mund të kapërcejmë gjithçka.

 

Krenare për plagët

Kanceri i gjirit vazhdon të jetë më i diagnostikuari tek femrat. Pavarësisht kësaj, në disa vende, kanceri i mushkërive ka qenë një nga faktorët kryesorë në vdekshmërinë e femrave. Ndërsa shkalla e mbijetesës së kancerit të gjirit mund t’ju japë shpresë, ju duhet të kuptoni se çfarë e shkakton atë. Universiteti i Australisë Perëndimore në vitin 2014 kreu një studim mbi motivimet e dhëna nga gratë ndaj sëmundjes. Pjesa më e madhe e saj lidhej me prejardhjen familjare dhe zakonet e jetës. Megjithatë, studimet klinike shpjegojnë se vetëm 5 deri në 10% e rasteve të kancerit të gjirit varen nga një mutacion gjenetik i trashëguar, ai i gjenit BRCA1 ose BRCA2. Është e qartë se ka faktorë që rrisin rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, por duhet të pranojmë se nuk mund të parandalohet 100%. Parandalimi mbetet strategjia më efektive për ndërhyrjen në kohë.

kanceri-i-gjirit1

Një grua, një histori

Një nga momentet më domethënëse në fushën onkologjike ka qenë zbulimi i heterogjenitetit të kancerit të gjirit. Çdo nëntip ka një trajtim specifik dhe të ndryshëm. Kështu, do të ketë gra me operacione pak a shumë invazive. Me pak a shumë cikle kimioterapie dhe radioterapie dhe më pas, pak a shumë vite trajtim me tamoxifen ose me një ilaç tjetër plotësues. Përveç historisë klinike, ekziston edhe ajo personale. Ka gra shumë të reja, të cilave jeta u ndërpritet papritur. Të tjerat diagnostikohen gjatë shtatzënisë. Shumë refuzojnë të braktisin jetën e tyre profesionale dhe vazhdojnë të përballen me jetën e përditshme të pajisur me shalle dhe cikle kimioterapie. Megjithatë, shumë gra të tjera nuk lejohen të jenë luftëtare dhe mundëse të guximshme. Kanceri metastatik ose i përsëritur i gjirit, për shembull, nuk jep gjithmonë rezultat. Do të ketë përmirësime dhe përkeqësime, por nëse diagnostikohet faza IV, situata është shumë kritike. Historitë e këtyre grave në mënyrë të pashmangshme do të jenë të ndryshme, më delikate dhe të admirueshme.

 

Një udhëtim që transformon aty ku mbeten plagët

Kanceri i gjirit ka shumë plagë që nuk mund t’i shihni apo vlerësoni. Të mos flasim për plagën që ndonjëherë kufizon hapësirën e një gjoksi që mungon. Le të flasim para së gjithash për shenjat që çdo grua që i mbijeton një tumori mbart në heshtje. Frika e vazhdueshme e një rikthimi shpesh mbetet. Pas kryerjes së terapisë me rrezatim, terapisë hormonale, kimioterapisë ose operacionit, është e zakonshme që dëshira seksuale të zbehet. Shumë gra detyrohen të pranojnë një imazh të ri për veten, shumë shpesh me ndihmën sociale dhe profesionale. Në mënyrë të ngjashme, shumë operacione përfshijnë heqjen e gjëndrave limfatike. Kjo mund të ketë efekte serioze afatgjata, të tilla si limfedema. Është një grumbullim i limfës në zonën ku është punuar. Si rezultat, shfaqen inflamacion, dhimbje dhe ulje të lëvizshmërisë. Kjo mund t’i bëjë të vështira edhe aktivitetet e përditshme si larja e dhëmbëve, larja e flokëve ose ngritja e peshave.

Kur një grua mposht kancerin e gjirit, rrugëtimi i saj vazhdon. Ky rrugëtim vazhdon ditë pas dite dhe na mëson të kapërcejmë çdo frikë, të menaxhojmë pasojat, të kujdesemi për veten, për të tjerët dhe për gratë e tjera që gjenden në të njëjtën situatë. Së bashku ne mund t’ia dalim!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top