Lifestyle

November 12, 2020 | 8:45

‘Kapitulli i Xhuljanit’ një mësim për fëmijët se ç’do të thotë të futesh nën lëkurën e tjetrit. Askush nuk e ka jetën fushë me lule

Mbi një milion njerëz në gjithë botën kanë lexuar romanin “Mrekullia” dhe u ka hyrë fort në zemër Agi Pullmani, një djalë i zakonshëm, me një fytyrë të pazakontë. Por të gjithë e mbajnë mend edhe Xhuljanin, shokun e tij të keq dhe mizor.

Tashmë në “Kapitullin e Xhuljanit” vetë ai do të na rrëfejë historinë që nga njohja e parë me Agin, armiqësinë që ndjeu ndaj tij, talljen me fytyrën ndryshe të tij, si dhe grindjet me shokët e tjerë. Por pse e nëpërkëmb Xhuljani shokun e klasës? A është vërtet i lig ai apo ka diçka më tepër në këtë mes?

1Ndërsa lexuesi përballet me anën e errët të Xhuljanit, do të zbulojë jo vetëm frikërat e tij dhe përpjekjet për t’i fshehur ato nën petkun e djalit “të fortë”, por edhe ndjeshmërinë e një djali që zbulon mirësinë brenda vetes, teksa dëgjon e kupton historinë e trishtë të gjyshes së vet. Nëpërkëmbja dhe dhuna janë vetëm dy prej aspekteve kryesore në këtë libër të dytë, por dalëngadalë do të zbulojmë që e keqja nuk vjen vetëm nga fëmijët. Ndonjëherë, edhe prindërit, të nisur nga dashuria e madhe për ta, bëjnë gabime, duke i mbështetur veprimet e tyre jo të mira.

Në “Kapitullin e Xhuljanit” tregohet që njeriu mund të ndryshojë dhe të

gjejë të mirën e pendesën e sinqertë brenda vetes.

Kritika

Ndonëse fillimi i librit është tepër i parashikueshëm, historia e Xhuljanit

është e mbushur me befasi që theksojnë temën e dhembshurisë jo vetëm ndaj viktimës, por edhe ndaj dhunuesit. Fëmijët do të mësojnë se ç’do të thotë të futesh nën lëkurën e tjetrit, kur të zbulojnë se çfarë e shtyn Xhuljanin të sillet aq keq. School Library Journal

Lexuesit e njohin Xhuljanin si “i forti” që e bëri të vuajë Agin, por kjo histori hedh dritë mbi anët e errëta të tij, duke nxjerrë në pah të vërtetën e tij. Booklist

I thellë dhe njerëzor, në shumë pak faqe, rrëfehen kaq shumë emocione. I shkruar mjeshtërisht. Joy Court, eksperte editoriale për fëmijë

Që të gjithë – të rinj e të moshuar – duhet të lexojnë “Mrekullinë. Kapitullin e Xhuljanit” i jep vlerë edhe më të madhe historisë së “Mrekullisë”. Na sjell ndër mend rëndësinë e dhembshurisë në jetën e përditshme. BBC Radio 4

Një ide gjeniale që do t’i gëzojë të gjithë admiruesit e “Mrekullisë”. Sun

R.J.Palacio

R.J.Palacio

Autorja jeton në Nju Jork me bashkëshortin dhe dy djem. Ajo ka një eksperiencë të gjatë pune si drejtore artistike dhe dizenjatore kopertinash për autorë të ndryshëm. “Mrekullia” ishte libri i saj i parë. Falë suksesit të jashtëzakonshëm ai u ndoq edhe nga dy libra të tjerë, të frymëzuar nga i pari: The Julian chapter dhe Mr. Brown’s precepts book. Tashmë, lexuesit shqiptarë mund të kenë në dorë “Kapitullin e Xhuljanit”.

Fragmente nga libri

… Ndonjëherë urrejmë ato gjëra, të cilat i kemi frikë…

… Sillu mirë me të tjerët, se askush nuk e ka jetën fushë me lule…

… Kur e pashë për herë të parë Agustinin, nuk e di, por desha të mbyllja

sytë me duar e t’ia mbathja me ulërima. E di, është e shëmtuar kjo që

po them dhe kërkoj falje. Por është e vërteta. Dhe kushdo që thotë se

nuk i vjen kështu, kur shikon për herë të parë Agi Pullmanin, ta dini

se gënjen. Seriozisht e kam…

… Por jeta ka një të mirë, ndonjëherë, mund t’i ndreqim gabimet. Mund

të mësojmë prej tyre. Ato na ndihmojnë të bëhemi më të mirë…

… Se bëre një gabim, nuk do të thotë që je njeri i keq…

Titulli: Kapitulli i Xhuljanit

(Mrekullia vijon)

Autore: R. J. Palacio

Përktheu: Ilir Baçi

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2020

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top