Komunikimi është punë e përditshme rutinore. Të gjithë ne kemi të drejtë dhe nevojë të dimë se ç’ndodh rreth nesh, dhe për gjithçka që ka lidhje me ne. Pa komunikim e gjithë ajo që e kemi mësuar dhe atë të cilën e mendojmë nuk do të ekziston, ndërsa çdo gjeneratë e ardhshme do jetë më e varfër në aspektin e përvojës dhe dijes. Pa komunikim nuk do të mbeten as organizatat, as udhëheqja e as menaxhimi.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Ekzistojnë shumë konceptualitete të ndryshme për procesin e komunikimit. Komunikimi si përcjellje e informatave nga dhënësi deri tek marrësi me kusht që marrësi ta kuptojë atë,kurse në organizatë ose institucion ai është mjet i cili lidh njerëzit në realizimin e qëllimit të përbashkët. Do të thotë që komunikimi nënkupton dërgim, pranim dhe kuptim të informatës. Komunikimi është procesi i kalimit të informacioneve nga burimi përmes rrugëve te pranuesi si dhe kalimin e reagimit të pranuesit përmes rrugëve deri te burimi.
Termi “komunikim”, rrjedh nga latinishtja (communis) që do të thotë “e përbashkët”,kërkon që të gjitha palët të kuptojnë një gjuhë të përbashkët që mund të shkëmbehet.
Komunikimi është proçes i dërgimit dhe marrjes së mesazheve dhe në procesin e vetë i cili përfshin dy ose më shumë persona kur te paktën njëri prej tyre dëshiron të komunikojë.
Komunikimi është si vepër e vogël skenike, e cila ka më së paku dy aktorë: dërgues dhe pranues të porosive. Porositë të cila dërgohen duhet të jenë të qarta, të sakta dhe të kuptueshme për atë për të cilin janë dërguar porositë.
Rëndësia e komunikimit
Studimi i procesit të komunikimit është i rëndësishëm sepse trajnon, koordinon, këshillon, vlerëson dhe mbikëqyr koordinimet brenda organizatës janë mjete të rëndësishme për koordinimin e punës së departamenteve të veçanta. Komunikimi i pastër është një sfidë si në jetën profesionale dhe në atë personale. Të dish të komunikosh me të tjerët është një tipar që mund tu falë sukses në çdo fushë të jetës tuaj. Po ashtu gjuha e trupit është një mjet po aq i rëndësishëm sa gjuha e folur,kur duam të përcjellim një mesazh të caktuar.
Komunikimi njerëzor si proces dhe si akt
Komunikimi si proces është me kompleks dhe më i ndërlikuar nga ç’mund të na duket: është më i qëllimshëm, më i organizuar, me sistematik dhe më i zgjatur në kohë, që nis dhe vazhdon për një periudhë relativisht të gjatë ose dhe më të gjatë dhe shumë më të gjatë se kaq. Si i tillë, ai ngjason me një zinxhir të tejzgjatur, ku çdo hallkë është një akt i veçantë i tij, një hap në rrugën e gjatë të komunikimit, drejt objektivit apo rezultatit të dëshiruar.
Por, edhe si një akt i vetëm, komunikimi nuk është i lehtë. Për të komunikuar mirë ose, siç shprehemi rëndom, “për të qenë të komunikueshëm”, s’mjaftojnë vetëm disa udhëzime në formë recetash. Këto edhe mund të ndihmojnë, por, ajo çka duhet për tu resuar rreth dërgimit dhe marrjes së një mesazhi është të kuptuarit e asaj që ndodh kur komunikojmë, si dhe aftësia për t`iu përshtatur rrethanave të komunikimit.
Rëndësia e komunikimit njerëzor
Qenia njerëzore as që mund të përfytyrohet jashtë kompleksit të komunikimeve. Sipas shumë studimeve, rezulton që rreth 75% të ditës e shpenzojmë në komunikim, por kjo sasi kohore është thjesht sasi, që nuk shpreh cilësinë e komunikimeve tona. Cilësia e tyre mund të jetë e diskutueshme. Në mjaft raste mund të lërë për të dëshiruar, të jetë me mangësi apo defekte serioze dhe të bëhet shkak për të ulur efektivitetin e komunikimit, për ta penguar apo shmangur atë nga rrjedha normale.
Si shprehje të këtyre devijimeve në komunikim, interpretohen shume nga mosmarrëveshjet, keqkuptimet. grindjet, situatat e mbarsura me një frustracion të theksuar, që shpesh shpërthejnë në kontakte të hapura dhe në skandale, në revolta dhe në akte dhune, në divorce dhe në prishjen e marrëdhënieve të prindërve me fëmijët etj.
Por, disa studiues vënë në dukje, midis të tjerave, se komunikimi ndikon edhe në zhvillimin fizik apo në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të njeriut. Kështu, p.sh., Steward (1986), sjell të dhëna, që tregojnë se njerëzit e izoluar, që nuk komunikojnë me të tjerët, që u pëlqen vetmia dhe rrinë në vetmi, që duan të komunikojnë, por nuk dinë të komunikojnë, sepse shkallën e zhvillimit të aftësive komunikative e kanë të ulët dhe shprehitë e komunikimit te ata janë të varfra, konsiderohen të predizpozuar për të vdekur me shpejt, për tu prekur më lehtë nga sëmundje të rënda.
Rëndësia sociale e komunikimit spikat, sidomos, në punë. Këtu dhe kryesisht këtu, përmes marrëdhënieve, në interes dhe realizimit të detyrimeve dhe përgjegjësive të punës që kryet, lind natyrshëm ndërveprimi me të tjerët, në këtë kontekst komunikimi arrin shkallën më të lartë.
Sipas Muchnore dhe Galvin (1983):“komunikimi përmes operacioneve të punës dhe për punën, klasifikohet ndër aftësitë më të rëndësishme “për të ecur përpara”.
Në këtë aspekt sipas këtij autori zhvillohen këto elemente të komunikimit:
Aftësitë e të folurit, nëpërmjet përdorimit të fjalëve të kuptueshme për të tjeët, shqiptimin e saktë, formulimin e pyetjeve për të marrë informacion, kërkimin e shpjegimeve, qartësinë e mesazheve, për organizimin sa më të mirë të punës, për shfrytëzimin e kohës së punës dhe për mbylljen e ciklit të punës, me rendimentin dhe cilësinë e kërkuar.
Aftësitë e të dëgjuarit, që si tregues kishin mobilizimin vëmendjes, për të dëgjuar dhe kuptuar të tjerët, për kapjen dhe zotërimin e informacionit faktik, për identifikimin e pikave kryesore, për dallimin e opinioneve nga faktet, për të përfituar nga pyetjet dhe përgjigjet, nga diskutimet dhe debatet për mbarëvajtjen e punës.
Aftësitë për të ndërtuar marrëdhënie humane, për të bashkëpunuar në grup, për të vlerësuar mendimet dhe ndjenjat e tjetrit, për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve, për të mbajtur dhe për të zhvilluar marrëdhënie shoqërore korrekte.
Përkufizimi i komunikimit njerëzor
Problemi rreth kuptimit të komunikimit human është mjaft i diskutueshëm, është aq i diskutueshëm, saqë termit “komunikimit human” i jepen shumë kuptime si:
Shkëmbim përvoje
Proces krijimi dhe kuptimi
Përpjekje e njeriut për të bashkëjetuar me përvojën e tij (çdo njeri përfaqëson një akt unikal komunikimi).
Por më qartazi dhe më shkurt komunikimi human është: “Procesi që mundëson krijimin e klimës së mirëkuptimit midis dy ose më shumë personave”.
Kuptohet që komunikimi human është më i gjerë, më kompleks dhe më i ndërlikuar se kaq.
Ku duket karakteri i ndërlikuar i komunikimit njerëzor?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta marrim edhe po qe se i referohemi formës me të thjeshtë të komunikimit human, siç është ajo e komunikimit midis dy personave.
Le te përfytyrojmë një model komunikimi, që i përket kësaj forme, ku si palë në komunikim janë P1 dhe P2. Që të dy personat janë burime dhe aktor të komunikimit.
Secili mund të japë dhe mund të marrë mesazhe. Komunikimi mund të nisë nga P1 ose P2. Ky çast, ndoshta i parëndësishëm, mund edhe të mos ngulitet mirë, si në rastin, kur mëngjeseve, pasi jemi çuar nga gjumi, nuk mbajmë mend se si ka nisur “biseda”, nuk kujtohemi nëse na kanë folur te tjerët apo kemi folur vetë të parët. Pra, kuptohet se kjo është çështje rastësie, që nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që ne jemi njëherazi edhe dërgues edhe marrës të mesazhit, por edhe vëzhgues të sjelljes gjatë kohës që flasim, ndaj secilës edhe reagojnë.
Duhet theksuar edhe fakti që në këndvështrimin ndërveprues, ne ndryshojmë në varësi të rezultateve të procesit të komunikimit: pjesëmarrësit në komunikim bëhen të ndërvarur dhe komunikimi i tyre s’mund të analizohet jashtë kontekstit të marrëdhënieve, ku ende janë vendosur.
Brenda kontekstit të këtyre marrëdhënieve, në modelin e mësipërm, të zgjedhur enkas për ilustrim, personi i parë (P1) është dërgues – marrës, kurse personi i dytë (P2) është marrës – dërgues i mesazheve. Ata dhe funksionet e tyre janë të integruar në komunikim, dhënia dhe marrja e mesazheve ndërthuren dhe këmbehen brenda një procesi të vetëm. Midis tyre nuk ka kufij ndarës.
Gjatë komunikimin në shkollë duhet të kemi parasysh:
1.Të mos jetë aspak fyes
Të jetë i çliruar nga fjalët, shprehje, qëndrime dhe veprime që bien ndesh me normat e pranuara bashkërisht.
Të mos fyejë askënd dhe asnjëherë nëpërmjet fjalëve, shprehjeve, tonit apo ideve përçmuese.
Në komunikimin e tij verbal ose joverbal të shprehë dhe të motivojë qëndrime që shprehin kulturë dhe respekt për bashkëbiseduesin dhe dëgjuesit.
Të zhvishet nga fraza e fjalë parazitare që shprehin apo burojnë nga gjendje emocionale negative.
T’i adresohen njeri-tjetrit sipas emërtimit që lidhet me pozicionin e secilit në shkollë si p.sh mësues……, drejtor……, administrator……, president……, etj.
2.Duhet të respektojë individualitetin e gjithsecilit.
Të mos jetë diskriminues.
Të jetë i natyrshëm, i lirshëm, pa cenuar apo lënduar individin por duke e respektuar tërësisht dinjitetin e tij.
Të mos cenojë intimitetin e jetës dhe personalitetit të individit.
3.Duhet të mos çoj në lindjen e konflikteve midis personave.
Të edukojë tolerancën dhe shprehitë e nevojshme të pjesëmarrjes në një debat.
Të priret drejt shmangies së konflikteve midis individëve dhe kur këto lindin, të priren drejt zgjidhjes së drejtë të tyre.
Të zhvishet nga fraza, ide e qëndrime ironizuese, që cenojnë personalitetin e individit.
4.Duhet të shërbejë për mirëkuptim, bashkëpunim dhe raporte të mira me njeri-tjetrin.
Të krijojmë gjendje emocionale pozitive.
Të kontribuojë për forcimin e mirëkuptimin dhe të miqësisë midis individëve pjesëmarrës.
5.Duhet të mbizotërojë kudo fryma demokratike
Të mos jetë diktues, por bindës larg qëndrimeve autoritare.
Të mbartë e transmetojë vlera demokratike si humanizmi, tolerance, pritja për dialog, vetëkontroll.
Të jetë i çlirët, i vërtetë, jo i shtirur
6.Duhet të shprehë dhe përforcojë vetëkontrollin e vetëpërmbajtjen.
Të demonstrojë dhe edukojë shprehitë e nevojshme për vetëkontroll.
Të parandalojë, dhe kur shfaqen, të ndikojë në zbutjen e qëndrimeve emocionale negative.
Kjo aftësi duhet edukuar gradualisht te të gjithë nxënësit dhe duhet të karakterizojë drejtuesit dhe mësuesit e shkollës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.