Që janë çifti më i dashur në tërë Mbretërinë e Bashkuar, kjo nuk ka diskutim, por po aq ata janë dhe çifti më i përfolur sa i takon martesës së tyre. Kate dhe William nuk do të ishin kaq në qendër të vëmendjes, nëse nuk do të kishin një jetë po kaq aktive. Por ajo që i dallon dhe i bën të ndjehen të dashuruar në çdo hap dhe lëvizje që ata ndjekin, është pikërisht dakordësia dhe partneriteti që çifti Middelton dhe Duka i Kembrixhit kanë me njëri-tjetrin.
Në çdo mision a nismë me një qëllim të caktuar përkundrejt pozitave shoqërore që kanë, ata i sheh dorë për dore, duke nënkuptuar njëherësh se gjërat e mëdha arrihen me mbështetjen e njeriut më të afërt, njeriut të zemrës. Dhe ku ka mirëkuptim, pozitivitet e prani pa kushte, ka edhe harmoni. Ata vijojnë të kryesojnë tabloidet kryesore me titujt si çifti më i dashur në Angli, dhe jo vetëm. Ndër titujt kryesorë, “William dhe Kate, ‘përralla e vërtetë’ vazhdon…”.
Mbi të gjitha, një vëmendje me elegancë për të preferuarën, protagonisten e ëmbël dhe tërheqëse, Kate Middleton. Kjo jo vetëm për performancën që ajo ka në publik, por edhe si një nënë e përkushtuar në modelin rritës për të voglin e saj trevjeçar, George. Jo rastësisht ish-kryeministri David Cameron, pati thënë pak kohë para se Kate të sillte në jetë të voglin: “Jam i sigurt se do të jenë prindër madhështorë”.
Koha po e vërteton dalëngadalë se çifti që ka fituar zemrat e britanikëve, po i njehson me tregues vlerat e një familjeje të shëndoshë. Më 29 prill të 2011 çifti kurorëzoi lidhjen e tyre. Dashuria, e cila kish nisur më herët, tashmë e ka kaluar pesëvjetorin e parë, një periudhë që njihet si kritike në bashkëjetesën gjatë martesës. Por duket se edhe ky prag ka kaluar me sukses, kohë gjatë së cilës erdhën shumë shpejt në jetë dy fëmijët e tyre, i pari George, në 22 korrik të 2013 dhe e dyta vajza, Charlotte, në 2 maj të vitit 2015. Ajo që është e sigurt, është se William dhe Kate po shkruajnë kapitujt e historisë së tyre të dashurisë nisur që në kolegj. Çifti u takua për herë të parë në vitin 2001 kur ndiqnin universitetin St. Andrews në Skoci. Fejesa e tyre u deklarua në nëntor të vitit 2010. William i kish bërë propozimin për martesë Kate përgjatë një fundjave në Kenia duke i dhuruar të njëjtën unazë fejese që babai i tij, Charles i kish dhuruar mëmës së tij, princeshës së ndjerë Diana: një bizhu prej ari të bardhë me një gur zafiri me vlerën e 14 diamantëve rrethorë. Në harkun kohor të këtyre pesë viteve, çifti i pëlqyer nga të gjithë, madje dhe nga Mbretëresha Elisabetë, ka sjellë një frymëmarrje të re e të freskët në pallatin mbretëror, pas viteve të errëta që pasuan me vdekjen e Dianës.
Një çift i thjeshtë
Kate Middleton dhe Princi William janë çifti më i vërtetë në Angli. Por janë po aq dhe një çift mëse normal. Ata jetojnë bashkë me fëmijët e tyre (edhe një vjehrrë). Ja gjërat për të cilat ata tregojnë se kanë një jetë të thjeshtë. Ndoshta?!
1.Shkojnë bashkërisht si familje me pushime në mal.
2.Kate-it i mjafton një buqetë lulesh për të qenë e lumtur.
3.Luajnë sport bashkë dhe bëjnë tifo në çift.
4.Bëjnë foto si familje bashkë me qenin e tyre.
5.Bëjnë foto me turistët dhe fansat, të cilët i adhurojnë.
6.Ajo bën shaka me gjyshen e William-it.
7.Bëjnë si të marrë me shkopin magjik të Harry Potter.
8.Qeshin para telekamerave dhe nuk janë aspak të sikletosur.
9.Gjuetia është një pasion që e ndajnë së bashku për t’u çlodhur.
10.Bëjnë grimasa të sinkronizuara dhe janë të çlirët.
11.Ai i rregullon xhupin dhe i kushton dashurie vëmendjen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.