Dëshmi

March 23, 2018 | 13:29

Katerina Sheno / Si diell pranveror!

Ajo ka shkëlqimin diellor në fytyrë, një pastërti dhe freski që natyra ia ka falë pa kursim. Si dritë portreti i saj! Kjo ngase dhe vetë mosha ia favorizon. Por nuk është thjesht bukuria fizike ajo që e përkufizon në tërësinë e saj si Katerinë. Me nurin e një princeshe, ajo është po aq delikate edhe në sjellje, e ëmbël dhe po aq e matur në biseda. Të qenit modele ia ka favorizuar edhe më tej përfaqësimin. Jo rastësisht është nga ato të reja që startin e ka nisur me udhën e duhur, agjencitë e vërteta të modës jashtë kufijve. Pavarësisht vështirësive, mundi është një investim me vlerë dhe i shpërblyer në fund.

Katerina Sheno, Modele

Katerina Sheno, Modele

Pamja juaj rrezëllitëse, bën të duket sikur keni diellin me vete. Në fakt çfarë është dielli për ju? Sa ndikon ai në gjendjen tuaj shpirtërore?

Dielli për mua është jeta. Pa të nuk do të ishte asgjë e bukur në këtë tokë, as ne! Ndikon shumë. Më dhuron më shumë buzëqeshje e dëshirë për të punuar më shumë. Më pëlqejnë ditët plot diell e dritë, pasi për mua simbolizojnë shpresën dhe të ardhmen.

Po kur bie shi, cila është gjendja juaj emocionale?

Kur bie shi jam pak më melankolike, mbase dhe romantike. Më pëlqen të rri në shtëpi apo diku ku mund ta shijoj shiun nga një ambient i ngrohtë me dru. Nën shiun e verës më pëlqen të kërcej e vrapoj dhe pa çadër. Në fakt, më pëlqen shumë natyra e faktorët klimaterike si era, shiu, breshëri, bora, pasi secila prej tyre ka një magji të vetën. Me diellin nuk vë asgjë.

Natyra me dimensionet e saj, gjelbërimin, ujin, aromat, duket se na fal harmoni e na bën më motivues. Si ndodh me ju?

Siç e citova pak më lart, unë shijoj çdo gjë nga natyra. Jam nga ato vajza që pres me padurim një udhëtim në fshat apo natyrë. Më magjeps bukuria dhe madhështia që i jep natyra tokës.

Cili është vendi më i bukur dhe i qetë që preferon të rikthehesh shpesh?

Vendi im i preferuar, që nuk do ta ndërroja me asnjë vend luksoz, është Voskopoja e bukur, origjina ime dhe e prindërve të mi. Pikë turistike që magjeps mijëra turistë dhe mua çdo herë e më shumë. Për mua merr vlerat e një vendi të shenjtë, që përpos mrekullive natyrore mbart shumë emocione.

Në botën e modelingut, duke qenë se ju përfaqësoheni nga një kompani me emër, cili është vendi që ju ka lënë mbresa për adrenalinën dhe optimizmin që ju ka dhënë për ta shijuar jetën?

Unë përfaqësohem nga Bindi Model Management, një agjenci e mirënjohur në nivel ndërkombëtar me zyra edhe në Shqipëri. Jam rekrutuar nga agjencia në moshën 14 vjeç trajnuar dhe udhëtimi i parë ka qenë në Azi, Kinë, në moshën 15-vjeçare, duke vazhduar me Milanon e me radhë. Një përvojë e paharrueshme, një largësi e madhe që nisi pak me dyshime e frikë prej moshës së re, por që përfundoi me sukses si një nga përvojat më të bukura të jetës sime.

Vizita në Murin e Madh kinez, një nga mrekullitë e globit. Totalisht një botë ndryshe, që të bën të kuptosh sa e bukur është ajo me shumëllojshmërinë e saj dhe sa me fat jam që jam përzgjedhur për një profesion të tillë!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top