Nga Orjona TRESA
Është vetëm 7 vjeçe dhe bën mrekulli me trupin e saj. Këmbët i bën si telefon pas kokës, palos gishtat në anën e kundërt të dorës, realizon gjithashtu figura të vështira siç janë kapja e bërrylit të dorës me gjuhë apo të kapë hundën me gjuhë. Këto dhe plot ekzekutime që për një 7-vjeçare janë më shumë se akrobaci, një pasion që nuk di të ndalet. Një plastikë mahnitëse kjo, e evidentuar gjatë një periudhë njëvjeçare.

Quhet Kejsi Bardhi, jeton në Tiranë dhe po rritet çdo ditë profesionalisht nga një stërvitje e ngjeshur në Cirkun Kombëtar. Gjatë kësaj periudhe ajo është bërë pjesë edhe e fundjavave të shfaqjeve artistike, duke performuar mjeshtërisht e duke ekzekutuar bashkërisht me mjeshtra me emër të Cirkut Kombëtar. Gjatë një bisede më detajuese me nënë e Keisit, Manjola Çela (Bardhi) zbuluam disa detaje për 7-vjeçaren, akrobate e talentuar, e vlerësuar për plastikën, elasticitetin dhe ekzekutimet e shkëlqyera me trupin e saj të vogël.

Prej sa vitesh merret Keisi me akrobaci?
Keisi që prej një viti merren në mënyrë profesionale me akrobaci, duke u stërvitur me mësuesen profesioniste Bruna Demollari. Jo stërvitje zhvillohet 4 herë në javë me nga 2 orë në ditë, në palestrën e Cirkut Kombëtar.
Si e zbuluat talentin e saj?
Keisi që e vogël ka qenë një fëmijë i shkathët, por dhe unë jam marrë edhe vetë me të, duke i bërë ushtrime të vogla, ku teksa rritej më habiste me plastikën e saj. Këmbët i bënte si telefon i çonte deri mbas kokës, gishtat i paloste nga ana e kundërt e dorës, sparkatë, kapjen e bërrylit të dorës me gjuhë, kapte hundën me gjuhë etj.
Ka një model të trashëguar apo e ka të lindur si aftësi?
Në fakt, unë kam pak plastikë, por jo sa Keisi. Ajo është e mahnitshme me plastikën që ka. E ka të lindur, siç thotë dhe mësuesja e saj.

Kur u bë pjesëmarrëse e Cirkut Kombëtar?
Para një viti, duke parë gjithë këtë plastikë që ajo kishte, vendosa, pse jo, që Keisi t’i merrte mësimet dhe stërvitjen në mënyrë profesionale.
Sa kohë shpenzon ajo për t’u stërvitur?
Në fakt, Keisi nga mësuesja e saj është cilësuar si një punëtore e madhe dhe këmbëngulëse në ushtrimet që i jepen përpos faktit që shoh në çdo kohë, ajo nuk rri si gjithë fëmijët e tjerë. Keisi stërvitet në çdo moment që i jepet rasti, nuk them dot një orë fikse. Përveç dy orëve në palestër, ajo s’ka moment që s’e gjen duke u ushtruar, madje dhe kur bën detyrat apo kur shikon një film.
Cila është e veçanta e saj në interpretim, sepse duhet thënë, një akrobate duhet të ketë një ekzekutim mahnitës?
Në fakt cilësitë kryesore që ajo ka, janë: plastika, forca dhe puna. Janë tre komponentë që e bëjnë të jetë e suksesshme, siç shprehet dhe trainjerja e saj, Bruna Demollari.

Ka një model ku i pëlqen të fokusohet? Cili apo cila është ajo?
Në fakt Keisi sheh shumë modele që i pëlqejnë në internet, por më të preferuar ka një akrobate nga Salzburgu i Austrisë, Stefanie Millinger.
Sa shfaqje numëron në repertorin e saj njëvjeçar?
Në shfaqjen “Si ngjyrat e ylberit”, Keisi deri tani ka dhënë shfaqje çdo të shtunë dhe të diel, ku numëron 18 performanca gjithsej.
Cilat janë vlerësimet që ka marrë për moshën e saj dhe nga kush?
Në fakt, vlerësime ka marrë shumë, si për shembull, kujtoj kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili kur ka parë fotot e Keisit është mahnitur, duke i bërë një postim në faqen e tij në Instagram dhe Facebook, televizione të ndryshme kanë pasur interes për talentin e saj të spikatur dhe sigurisht nga trainerët e Cirkut Kombëtar nga ana profesionale ku dhe e përzgjodhën edhe për shfaqjen që është akoma në skenë.
Çfarë planesh ka në vazhdim?
Ajo do të vazhdojë shkollën me pritshmëri për rezultate të larta, dhe padyshim do i përkushtohet cirkut dhe kërcimit. Kërcimi është gjithashtu pasioni i saj. Në fakt, Keisi është fëmijë i paparashikueshëm, dhe ka shumë pasione njëkohësisht, e në të ardhmen mund të më surprizojë me të papritura. Por, për të ardhmen e afërt po mendojmë të marrë pjesë në “Italia’s got talent, dhe pse jo, të jetë pjesë edhe e Cirkut Ndërkombëtar. Le të shpresojmë që Zoti të realizoje ëndrrat e saj.


© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.


