Vera është stina e dytë dhe më e ngrohtë e vitit. Për shumë njerëz, vera është stina e preferuar, sepse është periudha e pushimeve, detit, diellit dhe aktiviteteve në natyrë. Disa nga arsyet që e bëjnë verën akoma më atraktive janë:
Vera vë në pah bukuritë natyrore në thuajse çdo vend – Ajo karakterizohet nga mot me diell, natyrë e bukur dhe gjelbërim. Studimet e ndryshme psikologjike kanë arritur në përfundim se këto elemente kanë ndikim pozitiv në shëndetin mendor të njerëzve.
Vera është stina e plazhit gjatë të cilës njerëzit pushojnë më gjatë dhe i shijojnë rrezet e diellit, përmes të cilave trupi i njeriut merr Vitaminën D. Përveç plazhit, motin e ngrohtë të verës mund ta shijoni edhe në zona tjera të gjelbëruara, siç janë malet, të cilat të japin freski.
Vera është një nga katër stinët e vitit – Sipas astronomisë, vera fillon me solsticin e verës (rreth 21 qershorit në hemisferën veriore, dhe rreth 21 dhjetorit në atë jugore) dhe mbaron me ekuinoksin e vjeshtës (rreth 21 shtator në hemisferën veriore, dhe rreth 21 mars në atë jugore). Megjithatë, stina e verës njihet si periudha e muajve të plotë të qershorit, korrikut dhe gushtit në hemisferën veriore, dhe atë të muajve të dhjetorit, janarit, dhe shkurtit në hemisferën jugore.
Disa nga problemet më të shpeshta janë:
Dehidrimi: Një ndër pasojat e ekspozimit ndaj temperaturave të larta (të nxehtit) për një kohë të gjatë është dehidrimi, humbja e lëngjeve të trupit, si pasojë e të cilës ndodh edhe trashja e gjakut. Dehidrimi ndikon negativisht në funksionet organore të trupit, sidomos te ata persona që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkës etj, dhe në të tilla raste shoqërohen me çekuilibrime jo të vogla në organizëm.
Goditja nga dielli (Heat Stroke): Nga qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet e diellit apo kryerja e aktiviteteve sportive në temperatura të larta shkakton atë që në gjuhën mjekësore njihet si goditja nga dielli (Heat Stroke), e cila kategorizohet si urgjencë mjekësore. Goditja nga dielli shoqërohet me temperaturë shumë të lartë trupore, çrregullime hemodinamike të mprehta, çrregullime metabolike si dhe turbullime të niveleve të ndryshme të ndërgjegjes.
Infeksionet ushqimore: Në verë, për arsye të vapës dhe djersitjes, kemi një rritje drastike në konsumimin e lëngjeve përfshirë këtu ujë,lëngje frutash, pije alkoolike etj. Po kështu duke qenë se Vera është edhe periudha e pushimeve dhe qëndrimeve me orare të zgjatura jashtë ambienteve të shtëpisë, nën shoqërinë e miqve, jemi të prirur të konsumojmë më shumë ushqime të gatshme si dhe të frekuentojmë më shumë restorantet apo edhe fast food-et.
Por kujdes, në rast se këto ushqime nuk ruhen apo gatuhen në kushte të caktuara, në përputhje me masat e sigurisë ushqimore, për shkak të temperaturave mjaft të larta, ka rrezik të madh për kontaminimin e tyre, duke shkaktuar infeksione që grupohen në infeksione të lidhura me ushqimet dhe pijet e kontaminuara.
Pickimet nga insektet apo kafshime: Kënaqësinë në stinën e verës e shprehim edhe me udhëtimet e shpeshta dhe të gjata. Por udhëtime të tilla krahas kënaqësisë që na dhurojnë na ekspozojnë për një kohë të gjatë jo vetëm ndaj të nxehtit, por duke shkuar në vende të ndryshme mund të rritet edhe mundësia e ekspozimit ndaj pickimeve nga insekte apo zvarranikë të ndryshëm si mushkonja, këpusha, grerëza, gjarpërinj, etj. të cilat bëhen shkak infektimesh nga baktere, viruse, toksina mjaft të rrezikshme për jetën.
Në këto ditë të nxehta vere, për të evituar që trupi të dehidrohet, pra të humbasë lëngje, duhet të pini sa më shumë lëngje, ku si zgjedhje primare të jetë uji. Por tregoni kujdes me ujin, duhet të jetë i kontrolluar dhe i pastër.
Pakësoni orët e gjata të ekspozimit në diell, sidomos në orët ku rrezet janë më të rrezikshme, midis orëve 11:00 – 17:00. Mbani veshur veshje të gjëra, të lehta,mundësisht të pambukta dhe me ngyra të hapura. Përdorini syze për të mbrojtur sytë dhe kapele për kokën. Mënyra më e thjeshtë për të parandaluar infeksionet me origjinë ushqimore, pra ato që lidhen me pijet apo ushqimet, është larja e duarve, mbajtja e një higjene personale dhe ruajtja e ushqimeve në frigorifer. Ushqimet që teprojnë nga vaktet duhet të ruhen në frigorifer dhe duhet të ruhen në ambjent të veçuar nga mishi apo peshku i ngrirë.
Përpara se të vendosni të konsumoni ushqim jashtë shtëpisë, sigurohuni të zgjidhni vende ku tregtohen ushqime dhe pije të kontrolluara. Për kujtesë, jini të vëmendshëm edhe ndaj higjenës së personit që ju shërben (veshjen, dorezat) apo edhe kushtet e tregtimit (pastërtia dhe higjena e ambientit përreth, kushtet e ruajtjes së ushqimeve që ai/ajo tregton, etj). Refuzoni konsumin e ushqimit nga persona dhe vende që nuk plotësojnë kushtet normale të sigurisë ushqimore.
Çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur nga pickimet apo kafshimet?
Për disa shkaktarë infektues rekomandohet kryerja e vaksinës siç është tetanozi për tërbimin, ndërsa për rastet e tjera të pickimeve… parandalimi më i mirë është kujdesi, pra duhet treguar kujdes për të mos u ekspozuar, përdorni spërkatës kundra pickimit nga insektet dhe nëse jeni duke përjetuar ndonjë shenjë të tipit reaksion alergjik nga pickimi shoqëruar me puçrra, ënjtje, skuqje, vështirësi në frymëmarrje, atëherë duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore të specializuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.