Këngëtari që ka vendosur t’i thotë lamtumirë muzikës, ka dhënë një intervistë për Rolling Stone.
Pas 50 vitesh karrierë të nderuar Al Bano ka vendosur t’i japë fund muzikës në fund të këtij viti. E ka deklaruar shumë herë më parë këtë gjë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë për të, të largohet nga një pasion kaq i fortë saqë e krahason me një nga kënaqësitë më të bukura të jetës.
“Të bësh muzikë është njësoj si të bësh dashuri. Është fantastike. Për mua muzika ka qenë gjithmonë si një tapet magjik. Kur isha 5 vjeç im atë më çonte në fshat për të punuar fushave dhe mbaj mend që këndoja. E njëjta gjë dhe në shkollë: një herë dorëzova një tekst të këngës time në vend të përgjigjeve të detyrës së kimisë. Kur mësuesja erdhi të më kërkonte shpjegime iu përgjigja: ‘kjo është kimia ime’. Sigurisht që atë vit ngela në klasë”.
Me të hequr dorë nga muzika Al Bano ka bërë të ditur se do t’i kushtojë kohë të plotë tokave të tij dhe prodhimit të verës.
Përgatiti: Brikela Daci /http://www.today.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.