Çfarë është gëzimi dhe si ta gjej atë? Kjo është një pyetje për të cilën të gjithë do të donim të gjenim një përgjigje. Ne e mbushim jetën tonë me lista, sfida dhe ide që besojmë se do të na çojnë drejt lumturisë.
Ka nga ata që punojnë nga agimi deri në muzg për të marrë paratë që do t’i lejojnë të bëjnë atë që i bën të lumtur. Të tjerët rrezikojnë të lënë gjithçka dhe të ndjekin ëndrrën e jetës së tyre; dhe pastaj ka nga ata që jetojnë me shpresën për të gjetur gëzim dita-ditës.
Jeta moderne na shpërqendron
Në ditët e sotme, ne jetojmë një jetë aq të plotë sa nuk është aq e vështirë të ndihesh i humbur. Jetojmë në një fazë shqetësimi të vazhdueshëm për punët tona, për arritjen e suksesit, për të blerë gjithnjë e më shumë dhe për të kënaqur nevojat tona. Rezultati është se, në fund të ditës, ne jemi aq të lodhur dhe të zënë sa nuk i vërejmë as burimet e lumturisë që na rrethojnë. Para syve na kalojnë çaste gëzimi, por nuk i shohim. Jemi të bindur se gëzimi vjen në kohën e duhur. Sipas besimeve popullore, kjo ndodh kur nuk ka tragjedi, shqetësime ose mangësi.
Në realitet, lumturia përbëhet nga momente të shkurtra të shpërndara gjatë gjithë ditës. Mos besoni se do të jeni të lumtur kur të humbni 15 kilogramë ose kur të arrini pagën që synoni.
Burimet e vërteta të lumturisë gjenden në veprime të vogla : të kesh një akullore me miqtë, të përqafosh fëmijët, të shikosh fytyrën e partnerit kur zbulon letrën e dashurisë që ke lënë të fshehur për të…
Shkoni në kërkim të momenteve tuaja të gëzimit
Lumturia nuk është konstante. Ndoshta, edhe pasi të keni humbur ato kilogramë të tepërt që ju munduan aq shumë, do të gjeni menjëherë një qëllim të ri për të arritur.
Lumturia nuk është një qëllim përfundimtar ku ekziston përsosmëria. Në realitet, ka të bëjë më shumë me të kuptuarit e asaj që jeta na rezervon, ta zbulojmë dhe ta vlerësojmë atë.
Nuk e keni idenë se ku të filloni për të gjetur gëzimin dita-ditës? Ndiqni këto këshilla dhe do të filloni të shihni gëzim në jetën e përditshme:
Jetoni në të tashmen
Shkëputeni nga rrjetet sociale
Dilni me miqtë tuaj
Flisni me familjen tuaj
Lironi veten nga e kaluara
Ji mirënjohës
Shpesh ata që nuk janë në gjendje të gjejnë arsye për të qenë të gëzuar, gjithashtu nuk janë në gjendje të vlerësojnë atë që kanë. Nëse nuk vlerësojmë gjithçka që kemi, duke humbur kohën duke u ankuar , panorama jonë do të bëhet e errët.
Ne jetojmë në një shoqëri kaq konsumiste saqë jemi të etur për të blerë diçka të re çdo ditë. Duke vepruar kështu, është e lehtë të besohet se lumturia gjendet në zotërimin e të mirave materiale.
Sa herë sot keni treguar mirënjohje për punën tuaj? Ndoshta thjesht u ankuat sepse duhet të ktheheni nesër?
Herën tjetër që do ta gjeni veten të bllokuar në trafik, mos filloni të ankoheni: merrni frymë thellë dhe mendoni për një gjë të vogël për të cilën jeni mirënjohës.
Mos prit lumturinë, kërkoje atë!
Është e përshtatshme të ankohemi vazhdimisht për atë që nuk kemi, atë që nuk na pëlqen. Por kjo nuk është e dobishme në kërkimin e gëzimit të përditshëm. Në vend që të ndiqni këtë model negativ, ndërroni marshin dhe kërkoni arsye të reja për të buzëqeshur.
Në fund të fundit, lumturia është një qëndrim, por nuk do ta gjeni rastësisht gjatë rrugës: do t’ju duhet të dilni dhe ta kërkoni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.