FB

July 26, 2021 | 8:14

Kerofobia, frika e të qenit i lumtur

Përgatiti Blerina Hima Mërtiri, mësuese

 

 

Kerofobia (cherophobia) është fobia nga lumturia. Termi vjen nga fjala greke “chero”, që do të thotë “të gëzohemi”. Lumturia është dëshirë pozitive dhe meriton të dëshirohet. Gjithnjë shprehim dëshirë: “Ah sikur…”, “Sa i lumtur do të isha…”,  dhe çdo herë zbulojmë se aty nuk është akoma ajo lumturi që dëshironim.  Sigurisht që dikush që vuan nga kerofobia nuk është një person i trishtuar, thjesht janë njerëz që kanë frikë lumturinë.

-Nëse lumturohem shumë, diçka e keqe do të më ndodhë më vonë.

-Ankth kur jeni të ftuar në takime dhe mbledhje shoqërore.

-Anashkalimi i mundësive që mund të çojnë në ndryshime pozitive të jetës, me frikën se diçka e keqe do të ndodhë.

-Refuzojnë të marrin pjesë në aktivitete “zbavitëse”.

-Mendojnë se të jesh i lumtur do të thotë se do të ndodhë diçka e keqe dhe është humbje kohe dhe përpjekjesh.   

-Gëzimi i tepruar ka pasoja.

Frika nga lumturia mund të përcaktohet si një formë paraprake e ankthit, i cili frenon arritjen e qetësisë. Ajo mund t’i ketë rrënjët e thella, të cilat vijnë nga periudha fëminore. Personi mund të ketë kaluar fëmijëri të vështirë, duke vuajtur nga ndëshkimet, poshtërimet dhe mungesa e vlerësimit në familje, ose mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe pas një çasti lumturie, dhe mendon se mund të ndodhë sërish. Truri e ka regjistruar këtë situatë dhe vazhdon të ekzistojë frika që mund të rishfaqet. Një person i tillë mendon se nuk mund t’i tregojë lumturinë të tjerëve dhe tenton të fshehë gjërat e bukura që mund të ndodhin.

0

Shpesh dëgjojmë shprehjen,“qeshëm ne, po se mos na del me të qarë”, e cila tregon frikë nga lumturia.

Personat introvertë – të mbyllur, të rezervuar, që qëndrojnë zakonisht vetëm ose me një grup të vogël njerëzish – kanë shumë gjasa ta përjetojnë këtë lloj sindrome. Ata ndihen të frikësuar dhe jo qetë në mjedise argëtuese me shumë njerëz. Disa ekspertë e klasifikojnë si një formë të çrregullimit të ankthit, pasi në këtë rast ankthi lidhet me pjesëmarrjen në aktivitete që mendohet se të bëjnë të lumtur.Të njohura janë disa lloj terapish:

-Terapi njohëse për të kuptuar linjat e gabuara të të menduarit dhe identifikimi i sjelljeve që mund të ndihmojnë.

-Strategji të relaksimit, frymëmarrja e thellë ose ushtrimet fizike, hipnoterapi, e cila ndihmon në riprogramimin e nënvetëdijes.

-Ekspozimi ndaj ngjarjeve që shkaktojnë lumturi për t’u bindur se lumturia nuk ka efekte negative etj.

Këto terapi ndihmojnë që lumturia të kthehet në tërësi ndjenjash e emocionesh të trupit dhe mendjes që krijojnë mirëqenie dhe gëzim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top