6 Duhet dhe 6 Nuk duhet!
Pushimet arrijnë kulmin kur për shkak të konsumit të tepërt ushqimor, shohim që nuk na bëjnë më teshat. Për këtë arsye kemi edhe probleme të tjera shëndetësore, të cilat nuk na lejojnë të kryejmë lirshëm aktivitet fizik.
Së pari duhet të kuptoni se një regjim ushqimor do t’ju ndihmojë të largoni toksina shumë shpejt duke përftuar dhe cilësi të tjera. Sikurse, nuk do të ndiheni më të lodhur, të rënduar, me dhimbje koke apo pa energji. Sistemi imunitar do të jetë më i fortë, lëkura më e shndritshme, thonjtë më të fortë, flokët me shkëlqim si dhe një tretje e shëndetshme duke garantuar edhe më shumi forca.
6 DUHET
Peshk dhe fruta te thata si (bajame, arra, lajthi, fara luledielli).
Janë të pasura në acide yndyrore Omega-3 që ndihmojnë të largohet yndyra e keqe dhe kolesteroli nga gjaku. Pastrojnë mëlçinë nga yndyrat dhe rrisin kolesterolin e mire që njihet si HDL. Gjithashtu, këto produkte janë të pasura me selen dhe zink, minerale me fuqi të madhe antioksiduese.
Çaj Luiza dhe çaj jeshil
Ato janë të pasura në antioksidantë, likuide. Kanë efekte diuritike që ndihmojnë në largimin e toksinave nga veshkat.
Kos 1-2% yndyrë ose prebiotik
E rëndësishme është mos lini mënjanë produktet bio të bulmetit. Konsumoni 2-3 racione kos natyral ose prebiotik, për të evituar ndjesinë e fryrjes që na jep qumështi. Ato nuk kanë kripë, si djathi dhe përforcojnë florën intestinale.
Perime (fasule, thjerrëza, bizele, qiqra)
Këto produkte plotësojnë nevojat për proteinë, pa e ngarkuar mëlçinë me yndyrë dhe kolesterol. Janë të pasura në vitamina, minerale dhe fibra. Ato ndihmojnë në tretjen dhe pastrimin e toksinave.
Frutat
Nuk bëjmë dot pa to! Janë të pasura në kalium, me efekte të menjëhershme në largimin e toksinave dhe kripën e tepërt. Mos harroni gjithashtu dhe vitaminat. Konsumojini ato pa fund! Janë të pasura në vitaminë C, acid folik, vitamin A, B (karoten), vitamina nga kompleksi B, E por dhe mjaft fitokimikate. Së bashku me mineralet (Fe, Ca, Zn, Mg, Mn, I, K) vitaminat shndërrohen në aleatët më të mirë për detoksifikimin e organizmit tonë. Kanë një përqindje të lartë në likide për të hidratuar trupin dhe janë të pasura me fibra.
Ujë
Është tejet e rëndësishme të konsumohet mjaft ujë pasi nëpërmjet tij largohen toksinat nga veshkat! Sasia duhet të jetë nga 1.5 litër në 3 litër në ditë, kjo në varësi të peshës trupore.
6 NUK DUHET
Evitoni sheqerin!
Gjatë festave, ëmbëlsirat konsumohen mjaftueshëm. Duhet bërë pushim për të çlodhur mëlçinë dhe pankreasin. Andaj, evitoni të ëmblat si biskotat, brioshët, pijet etj.
Evitoni alkoolin!
E dini që mëlçia e ka shumë më të vështirë të tresë alkoolin se çdo nutrient tjetër? Dhe kjo sepse nuk e përballon lehtësisht sasinë e madhe të konsumuar. Prandaj e mira është ta ndihmojmë atë për të bërë pak pushim duke e pastruar sa më shpejt nga toksinat dhe yndyrat shtazore!
Thojini jo mishit të kuq
Mishi i kuq, ashtu si mishi i viçit apo dhe i gicit, janë mjaft të pasur në yndyrë shtazore! E mira është të evitohet konsumimi i tij për disa ditë e më pas të riniset sipas një menyje, fillimisht në sasi të vogla. Por, zëvendësimi i këtyre ditëve mund të shoqërohet nga mishi i pulës, perimet dhe peshku, në mënyrë që trupi ynë të përmbushë nevojat për proteina, hekur, vitamina B12 dhe minerale të tjera!
Thojini jo ushqimeve të përpunuara
Ushqime të tilla si biskotat e kripura, proshutat, salcat e ndryshme, picat, hamburgerët, supat e gatshme, kosi i frutave, pije me gaz, etj, si pasojë e fryrjes që kanë në yndyrë, sheqer, kripë, konservues, ngjyrues dhe të varfra në vlera ushqyese ndikojnë për keq! Ndalini për të mbrojtur veten.
Stop të skuqurat!
Skuqja është forma më e dëmshme për trupin tonë, jo vetëm sepse rrit kalorinë, por prodhon me tepri toksina kancerogjene për sistemin gastrointestinal. Forma më e shëndetshme është gatimi me avull, më pas të ziera dhe në fund të pjekura në furrë. Sigurisht, pa harruar vajin e ullirit që ka vlera ushqyese natyrale.
Jo dietave drastike!
Në kushtet e konsumit me tepri në festa, Organizata Botërore e Shëndetit e ka parë të arsyeshme të rekomandojë rëndësinë që duhet t’u japin, sidomos femrat, konsumit ushqimor. OBSH është kundër dietave drastike por këshillon se regjimi në të ngrënë duhet të ketë një ritëm të atillë, që të ndihmojë në rënien e peshës trupore. Tek femrat pa aktivitet fizik kjo ulje duhet të variojë diku te 0,5kg në javë! Në të kundërt, një ulje e shpejtë në peshë çon në rënie muskulore, më shumë se sa të masës dhjamore. Pra shfaq ndryshime fiziologjike të padëshirueshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.