FB

September 19, 2022 | 7:45

Këshilla për rutinën e mëngjesit për fëmijët në shkollë

Përgatiti Klaudia Halahula, BA,  Psikologji, Profili  Shëndet Mendor

 

 

Shkolla ka filluar dhe fëmijët që e kanë nisur për herë të parë institucionin e dijes, u duhet të përshtaten me rutinën e re të mëngjesit. Ndërsa fëmijëve të tjerë u nevojitet që t’i rikthehen rutinës që shoqëron fillimin e vitit shkollor. Sipas Centers for Disease Control (CDC), 7.1% e fëmijëve mes moshës 3 dhe 17 vjeç janë diagnostikuar me ankth. Për 2% deri në 5% të fëmijëve kjo gjë përkthehet në ankth të bazuar në refuzimin ndaj shkollës; një rezultat i mundshëm i ankthit të paadresuar ndaj shkollës. Megjithatë, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që jo vetëm të përshtaten me rutinën e shkollës, por edhe t’u mundësojnë atyre një rutinë sa më të shëndetshme dhe të dobishme, duke pakësuar kështu edhe nivelin e ankthit në shkollë.

22

Për më tepër, një rutinë mëngjesi i ndihmon fëmijët të shkojnë në shkollë të gatshëm për të mësuar dhe luajtur. Gjithashtu të qëndruarit të qetë dhe të organizuar në mëngjes, është ndihmuese jo vetëm për fëmijët, por edhe për ju si prindër, sepse kjo gjë do t’ju ndihmojë si ju, ashtu edhe fëmijët tuaj për t’u ndjerë optimistë gjatë ditës, si dhe për të pakësuar stresin.

Për të patur një rutinë sa më efikase mëngjesi, së pari nevojitet që ju të bëni planifikimin e rutinës së mëngjesit për në shkollë, siç mund të jetë krijimi i një orari javor me shënime për t’u kujtuar për gjërat që fëmija juaj ka nevojë për shkollë çdo ditë.

Së dyti, rendisni aktivitetet e përditshme dhe gjërat që duhet të bëni për t’u përgatitur për shkollë çdo ditë. Ju mund t’i ndani këto aktivitete në gjëra që mund të bëni një natë më parë dhe gjëra që duhet të bëhen në mëngjes. Në këtë mënyrë ju do ta ndihmoni fëmijën tuaj që të jetë më i organizuar dhe i qartë për gjërat që duhet të përgatisë për shkollë.

 

Disa gjëra që mund të bëni gati një natë më parë përfshijnë:

Të kontrolluarit se çfarë i nevojitet fëmijës suaj për ditën tjetër.

Rregullimi i çantës së fëmijës suaj.

Nënshkrimi i shënimeve të shkollës.

Të bërit gati uniformën e shkollës.

Të përgatiturit ushqimin që fëmija merr me vete në shkollë.

2

Disa gjëra që duhet të bëhen gati në mëngjes përfshijnë:

Të ngriturit nga shtrati.

Të ngrënit mëngjes.

Larja e dhëmbëve.

Të veshurit

Largimi nga shtëpia në kohë.

 

Në mënyrë që ju të arrini në punë në kohë dhe fëmija të arrijë në shkollë gjithashtu në kohë, duhet që aktivitetet në mëngjes të bëhen në një kohë të caktuar. Pra, teksa planifikoni rutinën tuaj, një ide e mirë është që të mendoni sa kohë marrin këto aktivitete dhe në çfarë ore duhet të ndodhin këto aktivitete.

Kini parasysht’i inkurajoni fëmijët tuaj që të bëjnë më shumë gjëra vet, teksa rriten dhe bëhen më të pavarur. Për shembull, një fëmijë 5-vjeçar mund të bëjë vetë gjëra të tilla si: të vendosurit kutinë e drekës në çantën e tij. Një fëmijë  8-vjeçar mund të vishet vetë, gjithashtu mund të përgatisë mëngjesin e tij dhe të pastrohet.

Shmangni shpërqendrime si televizori, tabletat dhe pajisjet e tjera elektronike, përveçse në rastet kur koha para ekranit është një shpërblim që i ofroni fëmijës kur është bërë gati në kohë. Në rastet kur fëmija shmang rutinën e mëngjesit, kjo gjë mund të jetë një shenjë e shmangies ndaj shkollës, ndaj nevojitet që të flisni me mësuesin apo mësuesen e fëmijës suaj lidhur me këtë çështje.

Rutina e mëngjesit kërkon kohë dhe përkushtim, megjithatë vendosja e një rutine të tillë, duke patur parasysh nevojat e fëmijëve tuaj, ata do të jenë më të motivuar për të patur një vit shkollor sa më të mbarë.

 

Burime:

Raising Children Network

PschyCentral

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top