FB

April 20, 2021 | 8:34

Këshilla rreth metodave për të mësuar

Nga Filloreta Gashi, psikologe për fëmijë dhe adoleshentë

 

 

Menjëherë pas lindjes, fillojmë të mësojmë sjellje, veprime, dukuri, fenomene, njerëz dhe gjëra të ndryshme që janë përreth nesh, dhe veten po ashtu. Procesi i të mësuarit është i veçantë dhe specifik për ҫdo individ, secili individ në varësi të aftësive të tij/saj ka metoda, mënyra të ndryshme se si e merr, përpunon dhe praktikon të mësuarit. Shpeshherë mësojmë gjëra që na duken të lehta sidomos në kohën e teknologjisë, marrim informacione të ndryshme për pak kohë, thjeshtë mjafton një klik dhe para vetes kemi atë që ne kërkojmë direkt apo në mënyre jo direkte. Ne këtë informacion nuk e përpunojmë, nuk e ruajmë dhe nuk e praktikojmë pasi na duket i lehtë dhe i mësuar. Në këtë rast ne po bëjmë mësim pasiv, dhe jo të frytshëm në jetën dhe praktikën tonë.

Të mësuarit aktiv është mënyra më e mirë por, më e rrallë e marrjes së informacionit. Përmes kësaj mënyre të të mësuarit nxënësi nuk mëson vetëm duke dëgjuar, lexuar apo parë, por është aktiv tërë kohën duke marrë shënime, duke i krahasuar ato informacione të reja më të vjetrat, duke e klasifikuar informacionin në varësi të rëndësisë, bënë një përpunim të mirë të informacionit duke e lidhur me të kaluarën, të tashmen dhe praktiken në jetën reale. Andaj kjo mënyrë e të mësuarit na siguron ne se jemi duke bërë të mësuar të suksesshëm dhe produktiv në jetën tonë.  Vetëm praktika na bën të përsosur, kjo aplikohet jo vetëm për atletët dhe muzikantët, por gjithashtu edhe për fjalorin dhe formulat e vështira. Më poshtë do të gjeni këshillat më të rëndësishme se si të mësoni me sukses.

Rrugët që na çojnë drejt objektivave të mësimit janë të shumta. Përshtypjet sensore luajnë një rol të rëndësishëm tek të mësuarit. Çdo person ka organe sensore të zhvilluara në mënyra të ndryshme, të cilat reflektohen tek llojet e të mësuarit:

Lloji vizual (pamor)

Ai/ajo mëson duke vizualizuar materialet e mësimit, hartat mendore, grafikët dhe posterët e mësimit.

Për nxënësit është shumë me rëndësi ilustrimi i librit, detyrave dhe prezantimi me përshkrime vizuale. Pasi që kjo u mundëson atyre të jenë më të vëmendshëm gjatë orës mësimore apo procesit të të mësuarit duke e mbajtur të lidhura së paku dy shqisa p.sh: duke parë dhe dëgjuar apo duke parë dhe bërë.

Lloji dëgjimor

Leximi me zë të lartë i teksteve, shpjegimi verbal dhe “të folurit me veten” e lejon këtë lloj të mësuari që të mësojë më mirë. Ky lloj i të mësuarit është më klasik dhe abstrakt në ofrimin e mësimeve në shkollë. Kjo metodë vlen për të gjithë nxënësit dhe nuk i diskriminon ata me probleme në të parë apo në kufizimin e lëvizjeve fizike. Përmes dëgjimit, ne marrim informacionin e ri te cilin më pastaj mund ta praktikojmë në jetën tonë.

Lloji komunikues

Ai/ajo mëson më mirë nëpërmjet bashkë bisedimeve dhe diskutimeve, duke u marrë nga pikëpamja gjuhësore me materialin e mësimit. Ai/ajo ka nevojë që gjërat t’i shpjegohen në mënyrë që t’i kuptojë ato sa më mirë.

Në këtë lloj të komunikimit duhet të kemi parasysh funksionimin e punës në grup, kur nxënësit e kuptojnë punën në grup, ata do të mund të mësojnë dhe shkëmbejnë informacione më mirë dhe më shpejtë se sa kur ata mësojnë individualisht apo vetëm.

Lloji motorik

Ky lloj i “të mësuarit duke i bërë gjërat” e përpunon informacionin më mirë nëpërmjet lëvizjes. Ai/ajo nuk mëson duke qëndruar ulur në tavolinë, por duke qëndruar në këmbë ose duke ecur dhe duke i bërë vetë veprimet, për shembull, duke i provuar ato, duke punuar në grup dhe duke interpretuar rolin (role play).

Duke qenë se, shumica prej fëmijëve janë lloje të përziera, është mirë që gjatë mësimit ne t’i adresohemi sa më shumë që të jetë e mundur kanaleve sensore, në mënyrë që, ata të mësojnë sa më maksimalisht me sukses. Në rastin më të mirë, materialet e reja të mësimit duhet të paraqiten duke përdorur qasje të ndryshme: në mënyrë akustike nëpërmjet leksioneve. Vizualisht nëpërmjet imazheve, posterave ose videove. Eksperimentet, lojërat dhe puna në grup ofrojnë një mundësi për t’u marrë me çështjet e reja. Provoni me vetë fëmijën tuaj se cila përqasje funksionon më mirë sipas rasteve tuaja individuale.

1

Disa këshilla për të mësuar me sukses

Menaxhimi i kohës

Planifikoni kohën e mësimit në mënyrë fikse. Pushimet e shkurtra ndërmjet mësimit ju ndihmojnë që të përqendroheni në një periudhë më afatgjatë. Pas 30 minutash mësim bëni një pushim prej 5 minutash, pas një deri në një orë e gjysmë mësim bëni një mini-pushim prej 15-20 minuta dhe pas tri orësh mësim bëni një pushim më të gjatë (maksi) të paktën për një orë. E rëndësishme: Mos e tundoni trurin duke parë televizor ose duke luajtur me lojëra në kompjuter gjatë pushimit tuaj. Mënyra më e mirë për të gjetur ekuilibrin me mësimin është që të ushtroheni në ajër të pastër.

Vendi i mësimit / dizajnimi i vendit të punës

Tek vendi i mësimit duhet të jenë vetëm ato gjëra që janë të nevojshme për mësimin. Shpërqendrime të tilla si celulari, tv, radio etj., nuk i përkasin tavolinës së punës gjatë mësimit. Për më tepër, vendi i punës duhet të jetë i qetë dhe i ndriçuar mirë. Ndriçimi natyral është gjëja më e mirë për sytë, kështu që, tavolina e mësimit duhet të jetë pranë dritares.

Ushqyerja

Truri përdor një pjesë të madhe të energjisë sonë. Kështu, është shumë e rëndësishme që t’i furnizoni qelizat e trurit me të gjitha substancat e nevojshme. Baza për një performancë të mirë dhe aftësinë për t’u përqendruar, janë disa vakte të ekuilibruara, të vogla me drithëra, me shumë perime dhe me fruta. Peshku, mishi dhe vezët janë një plus tjetër për performancën e trurit. Është mirë që, pas ushqimit të bëni një pushim të shkurtër – siç e dimë të gjithë, një stomak i mbushur nuk ka dëshirë të mësojë.

3

Motivimi

Motivimi është njëri ndër faktorët kryesorë i cili luan rolin kyҫ në procesin e të mësuarit. Çdo herë në jetë ne gjejmë arsye apo nxitje për të bërë diҫka qoftë ajo nga një motivues i jashtëm apo i brendshëm. Tek nxënësit duhet të kemi parasysh qoftë si prindër apo mësimdhënës që t’i motivojmë ata gjatë procesit të të mësuarit. Kur fëmijët apo nxënësit nuk ndihen të nxitur për të mësuar ne duhet të përdorim energjidhënës të cilët arrihen përmes aktiviteteve apo lojërave të shkurtra të cilat nxisin përqendrim dhe aktivitet në detyrë duke i bërë ata më të relaksuar dhe të dashur për të mësuar në vazhdim. Tjetra mënyrë është t’i motivojmë duke i shpërblyer ata me dhurata të vogla apo edhe lëvdata në kohë dhe mënyrë të përshtatshme. Këto dy metoda të motivimit zakonisht mund të praktikohen tek fëmijët e nivelit fillorë, klasa 1-5, kurse me nxënësit apo fëmijët më të rritur preferohet që t’i nxisim ata me rezultatet që do të vijnë pas procesit të suksesshëm të të mësuarit. Po ashtu edhe tek këta nxënës apo fëmijë herë pas here duhet të praktikojmë edhe energjidhënësit edhe lëvdatat në mënyrë që motivimi të mos bjerë dhe të shmangim lodhjen.

 

Pasi të kemi arritur të plotësojmë nevojat fiziologjike ( gjumë, pastrim), kemi caktuar orarin për të mësuar dhe jemi të motivuar për të nxënë, atëherë mund të praktikojmë këto metoda:

Theksim dhe shënim

Gjatë leximit mund të nënvizoni apo edhe të mbani shënime për gjëra që juve ju duken të rëndësishme. Pas përfundimit të leximit t’i mbledhim këto theksime apo shënimet t’i krahasojmë me leximin e njësisë mësimore dhe të gjejmë mungesën e nevojshme për të shtuar, në mënyrë që në fazën tjetër të ndalemi në shënimet tona duke e pasur më të lehtë të mësojmë kuptimin dhe praktiken. 

Ndarja

Ndarja e njësisë mësimore në paragrafë dhe pjesë është një metodë e lehtë e të mësuarit të suksesshëm. Fillimisht e lexojmë njësinë në mënyrë të tërësishme pastaj e ndajmë atë në 3-4 pjesë, pastaj e mësojmë pjesën e parë dhe e përsërisim, pas përsëritjes së pjesës së parë kalojmë tek të mësuarit e pjesës së dytë, pas të mësuarit të pjesës së dytë e përsërisim pjesën e parë dhe të dytë dhe kalojmë tek pjesa e tretë e kështu me radhë. E rëndësishme në këtë metodë është që të bëjmë pushime në mes pjesëve të mësuara në mënyrë që pjesa e parë të mos e pengojë të mësuarit e pjesës së dytë apo edhe anasjelltas.

2

Reflektim dhe pyetje

Pasi të mësoni mund të bëni një reflektim mbi materialin e lexuar se si mund ta zbatoni në jetën tuaj.  Po ashtu mund t’i bëni vetes pyetje për të nxjerrë sa më mirë kuptimin e njësisë së mësuar, pyetjet mund të jenë “ Po sikur” “ Si mund të bëjë” “Pse”.

Stuhi mendimesh

Para se të filloni të mësoni mund të nxirrni hipoteza të ndryshme lidhur me materialin që e keni përpara dhe që doni ta mësoni. Duke u bazuar nga përvojat e kaluara dhe atë se çfarë doni të dini, mund të nxirrni hipoteza dhe pyetje të ndryshme të cilat do t’i plotësoni gjatë të mësuarit dhe të cilat do të iu mbajnë të vëmendshëm gjatë leximit.

Mësimi i bazuar në lojë

Mësimet të cilat mund t’i kthejmë në lojë duke mos e humbur konceptin do të jenë më lehtë të kapshme nga fëmijët dhe të rriturit, pasi do të lidhen në të ardhmen me praktikim dhe kujtim të ngjarjes dhe individëve.

Zgjatim i shpjegimit

Përmes kësaj metode njësia mësimore e cila mësohet në tërësi i shpjegohet një personi i cili nuk e di. Gjatë shpjegimit do të kuptohen boshllëqet dhe nevojat për plotësim.

Diskutimi

Përmes diskutimit të temave të caktuara me persona të cilët e kanë mësuar materialin e njëjtë atëherë procesi i mësimit të informacioneve të pa kuptueshme dhe përsëritja e atyre të cilat i kemi mësuar do të përvetësohet mirë dhe do të jetë shumë më e lehtë në riprodhim apo praktikim.

Përsëritje e herëpashershme

Përsëritja e herëpashershme e materialit të mësuar do të mundësoj që informata nga kujtesa afatshkurtër të kalojë në kujtesën afatgjate dhe të jetë më e sigurtë që do të përdoret në nevojat dhe jetën tonë apo te nxënësit do të jetë shumë më e lehtë ripërsëritja në klasë edhe pas një kohe të gjatë.

Testimi apo vlerësimi

Shpesh herë ne i urrejmë testet dhe vlerësimet sidomos nxënësit pasi që ato na ofrojnë stres dhe ankth gjatë përgatitjes dhe plotësimit në shkollë. Por testet dhe vlerësimet mund t’i bëjmë edhe vetë pas çdo njësie mësimore. I përpilojmë pyetjet pas leximit dhe pa material përpara mundohemi t’iu përgjigjemi atyre pyetjeve të nxjerra nga mësimi i mësuar. Përmes kësaj metode ne shprehim atë çfarë kemi kuptuar dhe e vërejmë se sa kemi nevojë të shtojmë kohë tjetër për të mësuar materialin e caktuar.

Të mësosh një lëndë apo aftësi është artë, andaj metodat e lartë shënuara do t’ju ndihmojnë që të bëheni më të mirë në artin e të të mësuarit. Përshtateni ose kombinoni metodat në varësi të aftësive dhe lëndës që ju e mësoni. Ata që e kanë artin e të mësuarit edhe do të lulëzojnë në jetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top