FB

November 24, 2025 | 10:00

KËSHILLA / Si të kujdesemi për veten kur jashtë ka më pak dritë?

 

Ka një lloj trishtimi të heshtur që mbërrin me nëntorin. Pa bujë, pa vëmendje. Ajri bëhet më i rëndë, drita ikën më shpejt dhe mendimet nganjëherë lëvizin më ngadalë se zakonisht. Nuk është as dhimbje e thellë, as mërzi e shpjegueshme, është ajo ndjesia e paemër që e ndjejmë në trup, në shpirt, në mënyrën si zgjohemi apo si heshtim gjatë ditës. Por ndoshta, në vend që të kërkojmë ta largojmë këtë stinë, mund të mësojmë si të jetojmë më butë me të.

nentor-grua-kujdes

Ndoshta nëntori nuk është kaq i trishtë, por një kohë për të dëgjuar më shumë veten, për të qenë më të ngadaltë, më të ndjeshëm, më të vërtetë. Çfarë mund të bëjmë? Të mbajmë parasysh këto këshilla që ekspertët e fushës na i sugjerojnë.

Krijo rituale të vogla që të mbajnë me këmbë në tokë

Ndërsa gjithçka rreth nesh ngadalësohet, dhe trupi kërkon më shumë pushim, një mënyrë për të ruajtur ekuilibrin është të krijojmë rituale të qëndrueshme. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish të ngrihesh në 5 të mëngjesit apo të praktikosh yoga çdo ditë (edhe pse mund ta bësh nëse të ndihmon!). Do të thotë të gjesh momente të vogla sigurie: një çaj i ngrohtë çdo pasdite, një dritë e butë pranë krevatit, një libër i lehtë, një ecje e qetë në orët me dritë. Psikologët pozitivë si Martin Seligman kanë vërtetuar se zakonet që lidhen me kujdesin për veten janë një ndër faktorët që ndërtojnë qëndrueshmëri, pra  aftësinë për të përballuar vështirësitë me butësi.

Lëviz, por me mirësi ndaj vetes

Trupi ynë nuk ka nevojë për stërvitje të forta që të ndjehet mirë. Ai ka nevojë për lëvizje të ndjeshme. Disa minuta shëtitje në ajër të pastër, disa ushtrime të buta në mëngjes apo thjesht një zgjatje trupore në mes të ditës mund të ndihmojnë në rritjen e niveleve të dopaminës dhe serotoninës, hormonit të lumturisë. Në vend që ta shohësh aktivitetin fizik si detyrë, shihje si dhuratë për trupin që po përpiqet të mbajë ritmin me ndryshimin e stinës.

Shkruaj, qoftë dhe vetëm dy fjali

Nëntori është një muaj i mirë për t’i dhënë zë ndjenjave, edhe nëse ato janë të paqarta. Mbajtja e një ditari emocional, apo edhe thjesht shënime të shkurtra për atë që ndjen apo vëren, mund të bëjë një diferencë të madhe. Sipas studimeve të psikologut James Pennebaker, shkrimi reflektues ndihmon në përpunimin emocional dhe redukton stresin. Pyete veten çdo mbrëmje: “Çfarë ndjeva sot?”; “Për çfarë jam mirënjohës?”; “Çfarë më dha qetësi, qoftë dhe për pak çaste?”.

Lidhu me njerëzit

Edhe kur dëshira për të folur me të tjerët është e ulët, një mesazh i shkurtër, një telefonatë e papritur apo një takim i thjeshtë me dikë që e kupton, mund të sjellë dritë në ditë të zymta. Siç e thotë edhe Brené Brown, “Lidhja është arsyeja pse jemi këtu.” Mos prit gjithmonë që të tjerët të bëjnë hapin e parë. Ndonjëherë, një “si je?” e sinqertë mund të hapë një bisedë që rikthen ngrohtësinë.

Ji vetvetja

Kjo periudhë nuk ka pse të jetë produktive, e mbushur me qëllime apo arritje. Mjafton të jesh. Vetëpranimi, sipas psikologes Kristin Neff, është një nga format më të shëndetshme të mirëqenies psikologjike. Kur ndihesh më i lodhur, më i zbrazët apo më i ndjeshëm, mos e gjyko veten! Këto ndjesi janë pjesë e përvojës njerëzore, jo shenja dobësie.

Në vend që të luftojmë kundër errësirës së nëntorit, mund të mësojmë të ndezim dritat tona të brendshme: kujdesin, ndjeshmërinë, qetësinë, praninë. Sepse ndonjëherë, më shumë se drita, na duhet ngrohtësia.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top