Çfarë fshihet pas saj dhe kur duhet të paraqitemi tek mjeku? Kur janë dhimbjet e kokës jetëkërcënuese?
Dhimbja e kohës është një nga ankesat më të shpeshta, e cila e paraqet pacientin tek mjeku neurolog e jo vetëm. Ajo mund të prekë çdo moshë dhe është një eksperiencë e veçantë për çdo njeri në varësi të shkakut që e nxit, gjendjes emocionale në periudhën e përjetimit të saj si dhe në varësi të afërsisë shprehëse që ka çdo individ. Studime të shumta janë bërë për dhimbjet e kokës në të gjithë botën dhe është konstatuar se rreth 90% e njerëzve e kanë provuar të paktën 1 herë të vetme në jetë. Ekzistojnë mbi 200 lloje dhimbje koke, që shfaqen në forma të ndryshme. Femrat preken më shumë se meshkujt. Moshat që vuajnë më shumë prej saj janë 25-40 vjeç, por në varësi të faktorit shkaktar do të ketë dhe specifika të ndryshme të cilat mund të diferencohen, diagnostikohen dhe trajtohen në mënyrën e duhur nga mjekët specialistë. Dhimbja e kokës mund të jetë një simptomë ose një sëmundje më vete. Ajo konsiderohet si një simptomë pak specifike, sepse mund të haset në shumë sëmundje. Mirëpërcaktimi i intensitetit të dhimbjes, lokalizimit, mënyrës së fillimit, kohëzgjatjes, bashkëshoqërimi ose jo me shenja të tjera si dhe prania dhe në anëtarë të tjerë të familjes, jo gjithnjë është e lehtë të përshkruhet saktë nga pacientët. Dhimbjet e kokës janë tepër të pakëndshme dhe ulin ndjeshëm cilësinë e jetës. Ndikimi që ajo ka në jetën e përditshme, në mirëfunksionimin e individit në shoqëri dhe në cilësinë e jetës së tij është shumë i madh. Ndaj mirëinformimi, këshillat e thjeshta praktike për masat paraprake e rëndësia se kur duhet të paraqitemi tek mjeku ka shumë rëndësi në edukimin e popullatës për mënyrën e parandalimit e trajtimit në kokë dhe në mënyrën e duhur të dhimbjes së kokës. Dhimbjet e kokës nuk vijnë nga Truri në vetvete, por nga ngacmimi që i ndodh mbaresave nervore, nga prekja nga faktorë të ndryshëm e cipës që e mbështjell atë, enëve të gjakut të këtij regjioni si dhe muskujve që mbështjellin kokën e qafën.
Si klasifikohen?
Dhimbjet e kokës klasifikohen në Primare dhe Sekondare. Por nuk duhen harruar dhe format Mikse ku një dhimbje primare mund të bashkëshoqërohet, nxitet e të bëhet edhe më rezistente në trajtim kur bashkëshoqërohet me një dhimbje sekondare. Në dhimbjet primare të kokës Dhimbja është Sëmundja. Ajo vjen në mungesë të një shkaku të caktuar në lidhje me një dëmtim të dukshëm. Këtu bën pjesë: Migrena e cila prek gjysmën e kokës, krye sisht përreth syrit. Krizat e saj zgjasin 4-72h; Dhimbja Cluster e cila ka një intensitet shumë të lartë, shoqërohet me enjtje, skuqje dhe lotim të syrit, prek më shumë meshkujt dhe mund të zgjasë 15-180 minuta; Hemikrania kontinua është një dhimbje për ditë e javë; Neuralgjia Trigeminale idiopatike etj. Dhimbjet primare ndikohen dhe nga çrregullimet hormonale dhe ato emocionale. Në dhimbjet sekondare Dhimbja është një nga shenjat manifestuese si pasojë e një shkaku të njohur ose lehtësisht të kapshëm në sajë të ekzaminimeve klinike, laboratorike, imazherike dhe njohjes së sëmundjeve bashkëshoqëruese nga të cilat vuan pacienti. Ato mund të vijnë nga një çrregullim hormonal, infeksion (i syrit, sinuseve, qafës e trurit), hipertensioni arterial, anemia, mungesat vitaminike, abuzimi me medikamentet, abuzimi me drogat e ndryshme dhe alkoolin, çrregullimet e gjumit, të ushqyerjes, stresi, imunodeficenca, tumoret si dhe traumat e ndryshme.
A mund të matet Dhimbja?
Jo. Ajo nuk ka një njësi të caktuar matëse. Ndikohet nga:
1. Faktori shkaktues. Mund të përshkruhet si prerëse, shtypëse, pulsuese, shtrënguese, djegëse apo një kombinim i tyre.
2. Gjendja emocionale në të cilën gjendet pacienti në momentin e përjetimit të saj.
3. Aftësia shprehëse që çdo individ ka. Disa persona dhimbje me intensitet të lartë, i mirëmenaxhojnë, sikurse të tjerë dhimbje më të lehta i shprehin në mënyra dramatike. Shkalla VAS (Visual Analogue Scale) është një shkallë që përdoret gjerësisht gjatë ekzaminimit të pacientit, në klasifikimin që ai mund t’i bëjë intensitetit të dhimbjes që është duke provuar në ato momente.
Po cilat dhimbje duhet të na drejtojnë menjëherë tek mjeku dhe cilat mund të jenë dhe jetëkërcënuese?
Një dhimbje shumë e fortë, më e forta që ka provuar ndonjëherë, me fillim të menjëhershëm, e cila fillon të bashkëshoqërohet dhe me mpirje të një apo disa anesive, lëvizje të pakontrolluara të tyre, alterim të shikimit, ngurtësim i qafës e temperaturë, humbje të ekuilibrit, rrëzim i menjëhershëm e deri në humbje të vetëdijes. Një dhimbje e ndryshme nga ato forma të shpeshta të provuara më parë, shoqëruar dhe me rritje të tensionit arterial, djersitje, mbindjeshmëria ndaj dritës dhe zhurmave, dobësi e menjëhershme, ulje të forcës, ndjesi të vjellash deri në të vjella të forta, me fillim të menjëhershëm apo rritje graduale të intensitetit, në qetësi ose pas një eforti fizik.
Si t’i pandalojmë ato e çfarë kujdesi duhet të tregojmë?
Primar është eliminimi i shkakut dhe faktorëve shpërthyes të tij. Paraqitja në kohë tek mjeku dhe zbatimi korrekt i rekomandimeve të marra prej tij. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese, mos abuzimi me veten dhe barnat e marra pa recetë janë çelësi i një trajtimi të suksesshëm i përmirësimit të cilësisë së jetës edhe të personave të cilët e kanë gjenetikisht të caktuar bashkëjetesën me dhimbjen në periudha të caktuara të saj. Mbajtja e Ditarit të Dhimbjes një ose disamujor, në të cilin përshkruhet nga vetë pacienti momenti i fillimit, i mbarimit, kohëzgjatja, intensiteti, mënyra e përhapjes dhe prania e shenjave të tjera paraprake e bashkëshoqëruese të episodeve, është një tjetër element shumë i rëndësishëm në suksesin e trajtimit të tyre. Ushqyerja e shëndetshme, hidratim i mjaftueshëm, ulja e konsumit të kafes, alkoolit, duhanit, evitimi i stresit, ndjekja e një aktiviteti të rregullt fizik, gjumë i shëndetshëm, evitim i faktorëve shpërthyes, përdorim i preparateve të duhura të rekomanduara nga mjeku në varësi të llojit të dhimbjes, preparate të përdorura mundësisht në doza të duhura e për kohë sa më të shkurtër pasi mbipërdorimi i tyre mund të keqësojë e ta bëjë më të vështirë trajtimin e saj. Të mos vetëmjekohen e të paraqiten në kohë tek mjeku specialist është shumë e rëndësishme për këta pacientë!
KLINIKA VERA VIRHOV
KONTAKT (04) 222 6 441 +355 68 60 64 320 +355 68 20 31 903 [email protected]
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.189, muaji Mars
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.