Informacion i rëndësishëm për nënat e ardhshme
Shtatzënia është një periudhë shumë e veçantë, ku shëndeti i nënës dhe i foshnjës janë të lidhura ngushtë. Disa vaksina që këshillohen gjatë shtatzënisë mbrojnë jo vetëm nënën, por edhe foshnjën pas lindjes, përmes kalimit të antitrupave nga placenta.

Dr. Edi Tushe Pediatër
Shoqata Amerikane e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (ACOG) rekomandon vaksinimin gjatë shtatzënisë kundër:
- RSV (Virusi respirator sincicial)
- Gripit (Influenza)
- COVID-19
- Kollës së mirë (Pertusis – përmes vaksinës TDAP)
Këto vaksina janë studiuar gjerësisht dhe konsiderohen të sigurta dhe efektive.
Vaksina kundër RSV (Virusi Respirator Sincicial)
RSV është një virus shumë i shpeshtë që mund të shkaktojë infeksione të rënda të frymëmarrjes tek foshnjat, veçanërisht në muajt e parë të jetës.
Kush rekomandohet të vaksinohet?
Gjatë sezonit të RSV, rekomandohet vaksinimi me Abrysvo (Pfizer) për gratë shtatzëna që:
- janë midis javës 32 dhe 36 të shtatzënisë;
- nuk kanë lindje të planifikuar brenda 2 javësh;
- nuk janë vaksinuar kundër RSV në një shtatzëni të mëparshme;
- nuk planifikojnë që foshnja të imunizohet pas lindjes(Beyfortus ose Enfonsia).
Pse është e rëndësishme?
- Vaksina ndihmon që foshnja të lindë e mbrojtur nga format e rënda të RSV.
Zvogëlon rrezikun për shtrim në spital dhe komplikacione serioze.
Nëse nëna nuk vaksinohet, foshnja duhet të marrë imunoglobulinë specifike kundër RSV pas lindjes.
Pra, mbrojtja mund të bëhet ose gjatë shtatzënisë (te nëna), ose pas lindjes (te foshnja).

Vaksina kundër gripit (Influenza)
Gripi gjatë shtatzënisë mund të jetë më i rëndë dhe të sjellë komplikacione si për nënën ashtu edhe për foshnjën.
Çfarë këshillohet?
Vaksina e gripit rekomandohet për të gjitha gratë shtatzëna, në çdo tremujor, sapo vaksina të jetë e disponueshme gjatë sezonit të gripit.
Përfitimet:
- Mbron nënën nga format e rënda të gripit.
- Ul ndjeshëm rrezikun që foshnjat nën 6 muaj të përfundojnë në urgjencë, ose në spital për shkak të gripit.
- Antitrupat kalojnë te foshnja dhe e mbrojnë pas lindjes.
- Vaksina e gripit që merret nga hunda (me virus të gjallë) nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë, por mund të përdoret pas lindjes, edhe gjatë gjidhënies.
Vaksinimi kundër COVID-19
Edhe pse kohët e fundit ka pasur rekomandime të ndryshme nga institucione të ndryshme, ACOG vazhdon të nxisë vaksinimin kundër COVID-19.
Kur mund të bëhet vaksina?
- Në çdo moment gjatë shtatzënisë
- Pas lindjes
- Gjatë gjidhënies
- Kur planifikohet shtatzënia
Pse këshillohet?
- Gratë shtatzëna kanë rrezik më të lartë për forma të rënda të COVID-19.
- Vaksina mbron shëndetin e nënës dhe të foshnjës.
- Nuk është shoqëruar me komplikacione serioze për shtatzëninë.
- Efektet anësore janë zakonisht të lehta (dhimbje lokale, lodhje) dhe jo më të shpeshta se tek gratë jo shtatzëna.
Vaksina TDAP (Kolla e mirë, Tetanozi, Difteria)
Kjo vaksinë është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e foshnjës në javët e para të jetës, sidomos kundër kollës së mirë (pertusis).
Pse këshillohet?
- Mbron nënën nga infeksione serioze.
- Antitrupat kalojnë te foshnja dhe e mbrojnë pas lindjes.
- Kolla e mirë mund të jetë shumë e rrezikshme, madje fatale për të porsalindurit.
Kur bëhet?
- Midis javës 27 dhe 36 të shtatzënisë
- Idealja: java 28–32
- Rekomandohet në çdo shtatzëni, edhe nëse nëna është vaksinuar më parë.
TDaP apo DTP?
- TdaP është versioni për të rriturit dhe përdoret në shtatzëni.
- DTP është versioni për fëmijët dhe nuk përdoret gjatë shtatzënisë.

Mesazh për nënat e ardhshme
Vaksinimi gjatë shtatzënisë është një akt dashurie dhe mbrojtjeje për veten dhe për foshnjën tuaj.
Vendimi merret gjithmonë në bashkëpunim me mjekun, duke u bazuar në informacion të saktë dhe të besueshëm shkencor.
Klinika Mjekësore Vera – VIRHOV
Adresa: Rruga “Islam Alla”, Tiranë
Tel: 04-222 6 441 | Cel: 0686064320 / 0682031903
Email: [email protected]
Facebook: Dr.Genta Dedej/Dr.Edi Tushe/Klinika Vera-VIRHOV
Instagram: @klinika_vera_virhov
email:
web: Klinika Vera-Virhov
Botuar në Revista Psikologjia – Janar – nr.223, viti 2026
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

