Si ta kuptojmë dhe trajtojmë këtë periudhë të vështirë dhe natyrale?

Menopauza është një periudhë natyrore e jetës së gruas, e cila zakonisht ndodh midis moshës 45–55 vjeç. Ajo shënon fundin e cikleve menstruale dhe shoqërohet me ndryshime hormonale të thella, kryesisht uljen e niveleve të estrogjenit dhe progesteronit. Këto ndryshime ndikojnë jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në mirëqenien emocionale dhe psikologjike.
Një nga simptomat më të shpeshta gjatë menopauzës është Ankthi, i cili mund të shfaqet në forma të ndryshme: si një shqetësim i vazhdueshëm, ndjesi frike pa arsye të qartë, palpitacione(rrahje te shpeshta të zemrës), pagjumësi, irritim apo mendime negative të shpeshta.
Shpesh dëgjojmë pyetje të tilla si: pse ndodh ankthi në menopauzë?
Disa nga shkaqet e ankthit gjatë menopauzës janë:
▪Ndryshimet hormonale: Estrogjeni ndikon në neurotransmetuesit e trurit, sidomos serotoninën dhe dopaminën, që lidhen ngushtë me gjendjen emocionale. Ulja e tyre mund të rrisë predispozitën për ankth.
▪Simptomat fizike: Djersitjet e natës, valët e nxehta dhe çrregullimet e gjumit përkeqësojnë gjendjen emocionale.
▪Ndryshimet psikologjike: Menopauza shpesh lidhet me ndjenja humbjeje, ndryshime në vetëvlerësim dhe frikë për plakjen.
▪Streset e jetës: Në këtë periudhë shpesh bashkohen përgjegjësi të mëdha familjare apo profesionale, duke e bërë ankthin më të fortë.
Por si mund të përballohet ankthi në menopauzë?
Ka shumë instrumente dhe mënyra për të kuptuar, pranuar dhe përballuar ankthin në menopauzë:
▪Stili i shëndetshëm i jetesës;
▪Aktiviteti fizik i rregullt, ushqimi i ekuilibruar dhe gjumi cilësor ndihmojnë në reduktimin e simptomave.
▪Teknika relaksimi: Meditimi, joga dhe ushtrimet e frymëmarrjes janë shumë të dobishme.
▪Mbështetja sociale: Të folurit me familjen, miqtë apo grupet e mbështetjes ul ndjesinë e vetmisë.
▪Psikoterapia: Terapia kognitive-biheviorale (CBT) është efektive për menaxhimin e ankthit.
▪Trajtimi mjekësor: Në raste të rënda, mjeku mund të rekomandojë trajtim hormonal ose medikamente kundër ankthit dhe depresionit, duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme shëndetësore.

Medikamentet që rekomandohen shpesh nga mjekët psikiatër përfshijnë:
▪Grupin e Anksiolitikëve (Alprazolam, Lorazepam, Bromazepam, Clonazepam, Diazepam), të cilat duhen
marrë në dozat dhe kohën e duhur, me rrezikun e krijimit të varësisë.
▪Grupi i barnave Antidepresive, kryesisht SSRI (Escitalopram, Citalopram, Fluoxetine, Paroxetin,
Sertraline, Fluvoxamin etj,.)Është e rëndësishme të kuptohet se këto mjekime nuk duhet të merren dhe të ndryshohen dozat, pa u konsultuar nga mjekët psikiatër.
▪Në përfundim, vlen të theksohet se Menopauza është një fazë e natyrshme, por shpesh e vështirë për gratë. Ankthi që shfaqet gjatë kësaj periudhe nuk duhet të neglizhohet. Me kujdesin e duhur, kombinimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe mbështetjes profesionale, është e mundur që kjo fazë të përballohet me qetësi dhe mirëqenie.
▪Testet hormonale, matja e tyre në dinamikë, mund të na udhëheqë drejt konsultave me mjekë endokrinologe, psikiatër etj. për të marrë ndihmën e nevojshme e të domosdoshme në raste të veçanta.
▪Rëndësi më të madhe e parësore ka mënyra se si bashkëshorti, familja, shoqëria e kuptojnë këtë fenomen, duke sjellë për pasojë, një klimë pranuese, të ngrohtë e mirëkuptuese. Po kështu mediat dhe të gjitha mjetet e komunikimit duhet të jenë të ndjeshme dhe të japin sa më shumë informacion rreth kësaj periudhe fiziologjike, e cila nga një periudhë e vështirë e jetës të kthehet në një zinxhir të bukur ditësh, plot me aktivitete dhe emocione të papërsëritshme të jetës.
Klinika Mjekësore Vera – VIRHOV
Adresa: Rruga “Islam Alla”, Tiranë
Tel: 04-222 6 441 | Cel: 0686064320 / 0682031903
Email: [email protected]
Facebook: Dr.Genta Dedej/Dr.Edi Tushe/Klinika Vera-VIRHOV
Instagram: @klinika_vera_virhov
email:
web: Klinika Vera-Virhov
Botuar në Revista Psikologjia – Janar – nr.223, viti 2026
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

