FB

July 13, 2023 | 8:09

Klinika Vera Virhov / Dukuria e “imprinting” dhe ushqyerja me gji

Ushqyerja me gji është konsideruar gjithmonë si thelbësore dhe e pazëvendësueshme, që ka ndikim pozitiv afatshkurtër dhe afatgjatë në shëndetin e foshnjës dhe nënës.

M0deli aktual i gjidhënies është larg asaj çfarë këshillohet, pavarësisht se të gjithë e pranojnë dobinë dhe domosdoshmërinë e saj. Shkaku për këtë duhet kërkuar së pari tek personeli shëndetësor, i cili në mënyrë të qëllimshme apo të paqëllimshme nuk nxit dhe nuk informon nënën që sapo ka lindur në drejtim të një gjidhënie të suksesshme dhe së dyti, në përpjekjet për të realizuar gjidhënien, shumë nëna dhe mjedisi rreth saj e nxisin nënën të përdorë formulën si sukses në ushqyerjen e të voglit.

Ushqyerja me gji mbart shumë të mira për foshnjën dhe nënën Ne jemi të vetmit gjitarë që përdorim qumështin e gjitarëve të tjerë për të ushqyer të voglin tonë. Qumështi i nënës është specifik për llojin dhe si i tillë është zhvilluar nga natyra për të përmbushur nevojat ushqimore për të vegjlit tanë. Qumështi i nënës nuk plotëson vetëm nevojat energjitike por dhe ato biologjike, të domosdoshme për një rritje të përshtatshme dhe të shëndetshme. Imprinting ose dukuria e mbresës (e të lënit gjurmë) 

Fjala imprinting (fjalë në anglisht që përkthehet gjurmë, mbresë) e përdorur nga Konrad Lorenz (çmim Nobel për Mjekësi) për të përcaktuar një mënyrë përvetësimi të një sjelljeje të caktuar që mund të vendoset vetëm pak orë pas lindjes (në 36 orë pas lindjes), ose në një periudhë të jetës, të quajtur sensitive, kritike, kur dhe individi është në gjendje të fitojë një sjellje të caktuar. Shkencëtari provoi tek vetja se çfarë ndodh në imprinting: “Lorenz ishte duke vëzhguar zogjtë e patës që sapo po dilnin nga veza. Të parin që pa zogu ishte Lorenz-i dhe zogu iu vu pas atij sepse ai ishte tashmë nëna e vet dhe nuk kishte diskutim për këtë!” Lorenz u befasua që shumica e zogjve të sapodalë prej vezës nuk e njohin të afërmin e vet në mënyrë instinktive. Ai zbuloi se paraqitja e një objekti të çfarëdoshëm tridimensional në fushën e pamjes së një zogu të sapolindur do të njihet si prind. Kjo mund të ndodhte në një kohë të caktuar pas lindjes, zakon isht afër ditës së lindjes. Pra, imprinting (dukuria e mbresës, e ngjarjes që lë gjurmë) është një lloj sjellje që shfaqet tek të gjitha qeniet e gjalla sa herë që bie në kontakt me stimuj të caktuar në një periudhe të caktuar të zhvillimit të vet. Është një lloj kompromisi midis një pridispozicioni të lindur dhe një të fituar: për një sjellje të caktuar kemi një predispozicion të lindur por kjo sjellje shfaqet vetëm në qoftë se biem në kontakt me stimujt e duhur dhe në një periudhë shumë të përcaktuar të zhvillimit. Në qoftë se stimujt janë jo të duhurit, atëherë dhe sjellja mundet përjetësisht të jetë e gabuar, të paktën tek kafshët ndodh kështu. Shembuj të imprinting të gabuar Në qoftë se dhisë ia largon të voglin e vet për pak minuta pas lindjes dhe pastaj ia afron përsëri, keci i vogël nuk do të ushqehet kurrë me gji nga mamadhia. Përkundrazi në qoftë se do të ekspozohet vetëm për 30 sekonda pas lindjes me dhinë, edhe po të largohet keci përgjithmonë, mamadhia do ta kërkojë atë për të gjithë jetën. Në qoftë se një zog që ndërton fole (p.sh. dallëndyshja) do të vendoset pas lindjes me një zog që nuk di të ndërtojë fole (p.sh. korbin), kjo dallëndyshe nuk do dijë kurrë të ndërtojë një fole si simotrat e veta. Deshët e rritur nga dhitë e kanë më të vështirë të ndërzeheshin me delet.

Pse është keq imprinting i gabuar?

Një nga shqetësimet kryesore është se mund të ndërhyjë në aftësinë e një kafshe për të krijuar marrëdhënie shoqërore natyrore. Për shembull, nëse një rosë njeh një njeri si “nënën”e vet, ajo mund të lidhet shumë me njerëzit dhe të mos jetë në gjendje të ndërveprojë siç duhet me rosat e tjera. Kjo mund të çojë në probleme për kafshën kur ajo lëshohet në natyrë. Këto kafshë e kanë të vështirë për t’u rehabilituar dhe mund të mos përshtaten në grupimin e tyre natyror shoqëror, çfarë është e dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e kafshës 

Imprinting tek njeriu

Tek njerëzit janë vërejtur dukuri analoge por gjithsesi ato mund të modifikohen në njëfarë mënyre nga përvojat vijuese. Foshnja njëditore ndikohet nga përvojat e saja dëgjimore të para lindjes dhe preferon tingullin e zërit të nënës së vet se sa zërin e grave të tjera. Njëkohësisht ka një predispozitë të qartë për t’iu përgjigjur imazheve të ngjashme me fytyrën dhe zhvillon me shpejtësi një preferencë për detajet e fytyrës së nënës së vet. Fëmija bën shumë përpjekje për të mbajtur kontakte me nënën dhe shqetësohet kur ndërpritet shkëmbimi i sjelljes me nënën. Reagime të ngjashme sociale, si dhe tek kafshët, shfaqen lehtësisht në foshnjën e njeriut, kur nuk ekspozohen ndaj gjirit të nënës, i paracaktuar gjenetikisht dhe biologjikisht, por ndaj objekteve mashtruese, siç janë, biberoni, thithat artificiale, gishti, etj. Në mënyrë të veçantë, kur kjo ndodh menjëherë pas lindjes ose gjatë fazës së vigjilencës në vijim. Kur foshnja mund të zgjohet pas lindjes, por nëna është në gjumë, personeli, ose njerëzit që i rrijnë pranë nënës, e qetësojnë tek “nëna e rreme”, që është gishti i vet të cilin e fut në gojë, ose një “bedel” (biberon, etj), ose një pikë qumësht, sepse ka “uri”. Vendosja e fëmijës vetëm në gji, është shumë e rëndësishme, sepse e kundërta, mund të shkaktojë një konfuzion dhe zhgënjim të dukshëm emocional dhe që ka si rrjedhojë një zëvendësim të papërshtatshëm të thithit të nënës me objektin “mashtrues”, objektin bedel. Shqetësimi nga privimi i gjirit të nënës mund të çojë në një zhvendosje, ridrejtim të emocioneve, në drejtim të zëvendësuesit të gjirit, duke nxitur kështu rrezikun e fragmentimit të nënës dhe mos rivendosjen e ushqyerjes me gji 

 

Përfundim

Vendosja në gji dhe kapja e gjirit nga ana e foshnjës është momenti i parë i zhvillimit emocional të fëmijës dhe gur themeli për një ushqyerje optimale me gji dhe nxitjen e zhvillimit të suksesshëm evolucionar të tij.

 

KLINIKAVERA VIRHOV

KONTAKT (04) 222 6 441 +355 68 60 64 320 +355 68 20 31 903 [email protected]

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.189, muaji Mars

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top