Ekspozimi i fëmijës pa kriter para ekraneve, i rrezikon ata në reduktim të stimujve gjuhësore dhe sociale.
Tashmë të gjithë profesionistët po flasin për risqet që sjell ekspozimi i fëmijëve ndaj ekraneve dixhitale, sidomos në foshnjëri e deri në moshën 2 vjeç, që shikohet edhe si kufiri i fillimit të ekspozimit ndaj tyre. Megjithatë duhet patur kujdes edhe me mënyrën apo kohën që prezantohen ekranet dixhitale ndaj fëmijëve. Prindërit të cilët kanë fëmijë që shfaqin një vështirësi në komunikim (si pasojë e diagnozave të ndryshme) duhet të bëjnë veçanërisht kujdes në marrjen e këtij hapi.
Po ashtu, edhe prindërit e fëmijëve me zhvillim tipik dhe pa problematika të pranishme në komunikim, duhet të tregohen të rezervuar dhe të kujdesshëm në ekspozimin e fëmijëve të tyre ndaj telefonëve, tabletave, kompjuterave, televizorëve apo pajisjeve të tjera teknologjike. Kjo sepse përveç faktit që rrisin rrezikun për të patur dëmtime në shikim dhe ekspozohen ndaj rrezeve të dëmshme të tyre, gjithashtu mundet të ndikojnë edhe në cilësinë e komunikimit. E vërtetë është që ne marrim shumë informacion nga këto burime teknologjike, por një fëmijë ka nevojë që prindërit apo një person i rritur të jetë aty që t’ua interpretojnë informacionin në mënyrën e duhur dhe të nxisin të menduarit logjik të fëmijës si dhe aftësitë analizuese të situatave të ndryshme që paraqiten në ekran.
Në këtë mënyrë shmangim rrezikun e krijimit të disa situatave si:
• Fëmija keqinterpreton ato që shikon dhe përsërit veprime apo sjellje të cilat mund të jenë të papërshtatshme;
• Shfaq interes të ulët për të krijuar bashkëbisedime dhe ndërveprim verbal; • Shfaq mungesë përqendrimi në aktivitete të ndryshme;
• Nuk zhvillon arsyetimin logjik dhe të menduarin kritik;
• Shfaq vështirësi në reagimin e duhur ndaj situatave reale.
Personalisht rekomandoj që koha para ekraneve edhe pas moshës 2 vjeç të jetë minimale (jo më shumë se 30 min apo një orë në ditë) dhe në praninë e një të rrituri si dhe ekspozimi të fillojë në mënyrë graduale, jo të menjëhershme. Ideale do të ishte që të gjithë kohën e lirë të mundshme fëmijët ta kalojnë me lojëra, lodra, bashkëmoshatarë dhe aktivitete që ju nxisin imagjinatën si edhe aftësitë komunikuese dhe sociale të tyre.
KLINIKA VERA VIRHOV , Rruga “Ismail Alla”, Tiranë
KONTAKT (04) 222 6 441 +355 68 60 64 320 +355 68 20 31 903 [email protected]
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.192, muaji Qershor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.