MIRJETA MBRATI, FIZIOTERAPISTE
Kifoza është një gjendje patologjike e shtyllës kurrizore që paraqitet si një lakim i rrumbullakët në rrafshin sagital (pamja anësore e shtyllës kurrizore), ku këndi i shtyllës kurrizore është mbi 45 gradë. Kjo shtyllë e lakuar mund të ndahet në disa shkallë, duke filluar nga forma më e lehtë deri tek ajo më e rëndë. Shkalla e parë e kifozës konsiderohet si forma më e lehtë dhe mund të kurohet relativisht shpejt. Në këtë rast, kthesa e pasme e shtyllës kurrizore është rreth 31-40 gradë. Shkallë e dytë e kifozës konsiderohet e moderuar, kur niveli i përkuljes arrin deri në 60 gradë. Ndërsa shkalla e tretë e kifozës është më e vështira, me nivelin e përkuljes më shumë se 60 gradë.
Simptomat e kifozës ndryshojnë në intensitet dhe variojnë sipas shkallës së kifozës
Disa nga simptomat e zakonshme të kifozës janë postura e keqe, dhimbja në kurriz, probleme të frymëmarrjes, lodhja e shpehtë dhe ndikimi emocional. Individët me kifozë shpesh kanë një posturë të keqe, me kurrizin e përthithur përpara dhe shpinën e dalë. Kjo ndikon në pamjen e rrumbullakët të kurrizit në profil. Dhimbja në zonën e kurrizit është një simptomë e zakonshme, e cila mund të jetë e vazhdueshme ose shfaqet vetëm në pozicione të caktuara ose aktivitete të ndryshme. Kifoza e rënduar mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, duke shtypur organet e brendshme të trupit. Gjithashtu, kjo gjendje mund të shkaktojë lodhje të shpejtë dhe të ketë ndikim emocional tek individët, duke shkaktuar ankth, depresion ose zemërim për shkak të ndryshimit të pamjes fizike dhe ndjenjës së pakënaqësisë me pamjen estetike të trupit. Fizioterapia luan një rol të rëndësishëm në rehabilitimin e kifozës dhe përmirësimin e posturës dhe funksionimin e trupit. Përdorimi i teknikave të specializuara të fizioterapisë ndihmon në korrigjimin e posturës dhe forcimin e muskujve përmes ushtrimeve stretching dhe terapisë manuale. Këto ndërhyrje janë të rëndësishme për të përmirësuar lëvizshmërinë, elasticitetin dhe për të zvogëluar dhimbjet.
Në shumicën e rasteve, trajtimi i kifozës nuk kuron ndërhyrje të veçantë. Kifoza e shkaktuar nga qëndrimi i dobët (kifoza posturale) zakonisht mund të korrigjohet duke përmirësuar qëndrimin dhe duke kryer ushtrime të rregullta. Nëse kifoza është e lehtë deri në mesatare, trajtimi konsiston në përdorimin e analgjezikëve për lehtësimin e dhimbjeve, ushtrimet e rregullta dhe seancat e fizioterapisë për forcimin e muskujve të shpinës. Për adoleshentët me kifozë të lehtë deri të moderuar, mund të rekomandohet mbajtja e një korseje shpine për të parandaluar përkeqësimin e kurbës deri sa kockat janë ende në rritje.
Nëse kifoza është shkaktuar nga faktorë të tjerë, si kifoza e Scheuermann ose kifoza kongenitale, trajtimi varet nga faktorë si mosha, seksi, lakimi i kurbës dhe fleksibiliteti i kurbës. Në raste të tilla, kirurgjia mund të kërkohet për të korrigjuar shtyllën kurrizore.
Në fund të fundit, është e rëndësishme që çdo individ që ka simptoma të kifozës, të konsultohet me një fizioterapist për një vlerësim të saktë dhe për të marrë rekomandimet e duhura për trajtimin e saj. Trajtimi i hershëm dhe kujdesi i rregullt janë thelbësore për të parandaluar përkeqësimin e kifozës dhe për të ruajtur një shëndet të mirë të shtyllës kurrizore.
KABINETI I FIZIOTERAPISË NË KLINIKËN VERA-VIRHOV OFRON:
- TERAPI MANUALE
- ELEKTROTERAPI
- TERAPI FIZIKE REHABILITUESE
- TRAJTIMIN E KIFOZAVE DHE SKOLIOZAVE
- TECAR TERAPI
- LAZERTERAPI
- ULTRASOUND TERAPI
- TERAPI ME KUPA
- SHOCKWAVE TERAPI
- MASAZH TERAPEUTIK
Adresa: KLINIKA VERA-VIRHOV RRUGA “ISLAM ALLA”, TIRANË
TEL. 068 6064 320 – 04-222 6441
Publikuar në revistën nr. 193, Korrik 2023
https://www.facebook.com/klinika.veravirhov.3
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.