FB

July 7, 2023 | 7:40

Klinika Vera Virhov / Kolla, patologjia që mundon më fort të vegjlit, por që ka pafund zgjidhje

Dr. Enkeleda KRYEZIU ZEKTHI, Mjeke Alergologe dhe Imunologe Klinike, për të rritur dhe fëmijë

Një nga shqetësimet e mëdha që ne prindërit i druhemi fëmijëve, është pikërisht situata kur gjendja e tyre shëndetësore preket nga kolla. Veçanërisht kur ajo bëhet gulçuese dhe shoqërohet me sekrecione. Nuk lëmë recetë popullore pa provuar për t’ia lehtësuar shenjat. Por në gjendjen kur situata duket alarmante, nuk mund të varet më nga ne zgjidhja. Mjeku pediatër është referuesi i parë i përcaktimit të diagnozës, i cili na udhëheq mbi ecurinë që duhet të ndjekim. Dhe vetëm falë tij mund të kuptojmë nëse fëmija ynë ka nevojë për kurim të lehtë apo më të fortë, siç është përdorimi i antibiotikut. Pediatri na mundëson të njihemi me gjendjen klinike të të voglit, duke përjashtuar disa shkaktarë dhe duke plotësuar me të tjerë se përse ka reagim me kollë organizmi i fëmijës. Në klinikën mjekësore Vera Virhov, doktori shumë i dashur i të vegjëlve, Edi Tushe, zbaton një protokoll të atillë ku çdo fëmijë bëhet bashkëpunëtor, dhe shërimi edhe më i lehtë. Në zinxhirin e bashkëfunksionimit mjekësor në Vera Virhov, ndër patologjitë që lidhen me rrugët e frymëmarrjes pjesë e rëndësishme e kësaj hallke bëhet dhe mjeku alergolog dhe imunolog. Doktoresha Enkeleda Kryeziu Zekthi kujdeset që zgjidhjet të jenë sa më optimale në kushtet që si fëmija, edhe i rrituri të kenë lehtësim të gjendjes shëndetësore. Përmes këtij artikulli ajo na ndihmon të kuptojmë shenjat klinike të kollës, shkaktarët dhe si ta trajtojmë atë gjithnjë nën kujdesin e mjekut specialist

Kolla – Me një episod kolle ushtrohet një presion i madh, i cili ndihmon që të dalin jashtë pluhura, baktere dhe viruse. Kolla në vetvete nuk është një sëmundje, por një refleks apo sistem mbrojtës që shërben për të mbajtur të lira rrugët respiratore, për t’i pastruar ato nga sekrecionet ose nga substanca të inhaluara në mënyrë të pavullnetshme. E rëndësishme është të njohim tipet e ndryshme të kollës, nga ajo akute në atë kronike dhe patologjitë e tjera që mund t’i bashkëngjiten. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi të aftë që të mund të gjejmë terapinë adekuate medikamentoze dhe hapat e tjerë që na ndihmojnë deri në shërim të plotë të fëmijës.

Kolla Akute: Shenjat e Pertusit dhe Laringitit – Në qoftë se kemi një kollë që zhduket brenda 3-javëve kemi të bëjmë me një kollë akute, e cila shumë shpesh mund të lidhet me fenomene të pertusit ose të laringitit. Pertusi është një sëmundje bakteriale ngjitëse, që manifestohet me episode të shpeshta kolle, deri aty sa në disa raste çon në mungesë të frymëmarrjes. Tek latantët shenjat më të pranishme klinike janë apnea dhe cianoza. Në këto raste nuk ka terapi tjetër alternative përveçse asaj me antibiotikë, ku sa më herët të nisen aq më shpejt do të shihet përmirësimi i simptomave dhe i sëmundjes. Duhet të përmendim që tek fëmijët e vaksinuar këto shenja janë shumë të lehta.

Laringiti – është një sëmundje që prevalon kryesisht në stinën e dimrit, ku si shkaktar kryesor ka infeksionet virale. Një nga simptomat tipike është kolla zhurmuese. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të qetësojmë fëmijën. Preferohet të mbahet në pozicionin ulur për të përmirësuar frymëmarrjen. Nëse kemi një fëmijë që nuk po përmirësohet (nuk ushqehet, nuk arrin të flasë nga kolla, nuk arrin të flejë) do të thotë që kemi një laringit që sjell vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe që duhet të shkojë menjëherë tek mjeku. Medikamenti i parë janë kortizonikët në rrugë orale ose me aerosol, të përshkruara gjithmonë nga mjeku pediatër.

Kolla Kronike: Një simptomë e Astmës bronkiale dhe e kollës somatike (psikogjenike) – Nëse kolla zgjat më tepër se 8 javë, kemi të bëjmë me një kollë kronike. Ndër shkaktarët kryesorë janë Astma Bronkiale dhe Kolla Somatike. Astma Bronkiale mund të shfaqet në mënyra të ndryshme që nisin nga kolla, sibilancat, alterime të frymëmarrjes deri dhe në klinike më të rëndë si bronkospazma. Kemi të bëjmë me një mekanizëm të kontraktimit të pareteve bronkiale, i cili mund të rezultojë që të ketë nevojë të trajtohet vetëm nga qendrat e specializuara si: urgjencat spitalore ose për raste më të rënda deri dhe në terapi intensive, të cilat do të kenë të nevojshme një skemë të personalizuar mjekimi me dozat dhe kohëzgjatjen e duhur. Në rastet që kemi të bëjmë me një kollë të shkaktuar nga astma bronkiale, terapia më e mirë si fillim është ajo me aerozolo-terapi, nëse është e nevojshme dhe terapi të tjera që mund të merren në rrugë orale.

Kolla Somatike: ose kolla psikogjene është shkaktari i dytë i Kollës Kronike pas Astmës Bronkiale – Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një shkak organik. E gjejmë shpesh tek fëmijët e moshave mbi 6 vjeç. Kjo kollë karakteristike ka që është e tipit bezdisës, njësoj sikur kemi të bëjmë me një refleks (Tik) me një zhurmë që shpesh ngjan me një kollë si zhurma e një trombe. Në pjesën më të madhe të rasteve simptomatologjia ikën vetëm duke i kushtuar vëmendje fëmijës. Në rastet më të vështira nevojiten konsultat me mjekun psikolog, pse jo dhe me mjekun psikiatër infantil.

Kolla nga refluksi Gastro-esofagal – në rastet që kemi të bëjmë me një kollë të thatë bezdisëse, e cila zgjat më tepër se 8 javë, ku shumë shpesh e gjejmë të shoqëruar me faringite dhe me alterime të zërit, mund të kemi të bëjmë me një proces inflamator i cili nuk merr shkas nga ajri i ftohtë, smogu, tymi i duhanit, nga bakteret apo viruset, por nga aciditeti i lëngjeve gastrike tek personat të cilët kanë probleme të refluksit gastro-esofagal ku lëngjet gastrike ngjiten lart në ezofag, faring dhe deri në grykë. Në këto raste, përveç edukimit të fëmijës me vakte të shpeshta dhe me sasi të vogla, mungesa e të ngrënit 2 orë para se të shkojë në shtrat, inklinimit të shtratit, eliminim të fast-foode-ve, ushqimeve me aciditet të lartë, i rëndësishëm një kontakt shumë i ngushtë me mjekun Gastrohepatolog.

Kur duhet të shqetësohemi?

Nëse episodet e kollës nuk shqetësojnë ritmin e jetës së përditshme të fëmijës dhe zhduken brenda katër ditëve, kemi të bëjmë me një fenomen të zakonshëm. Në këto raste nuk është i nevojshëm takimi me mjekun pediatër. Në të kundërt, kur kemi një kollë perzistente, e cila nuk e lë fëmijën që të kryejë ritualet normale të ditës, në rastet që e kemi edhe të shoqëruar me temperaturë kryesisht më të lartë se 39°C, është e domosdoshme që të paraqiteni tek mjeku. Kur kolla fillon rishtazi dhe në mënyrë shumë të rëndë, kujdes, mundet të kemi të bëjmë me gëlltitjen e ndonjë objekti të huaj. Në këtë rast, si fillim, fëmijës nuk duhet t’i afrohemi dhe vetëm ta inkurajojmë që të kollitet fort. Në këto raste praktikohet Manovra e HEIMLICH dhe lajmërohet urgjent njësia e emergjencës.

Terapi për kollën – Lloji i mjekimit që do të zgjedhim është në varësi të tipit të kollës. Antibiotikët janë të nevojshëm vetëm nëse mjeku juaj dyshon për praninë e një infeksioni bakterial. Refluksi i kollës shumë shpesh shkaktohet nga rrjedhja e sekrecioneve nazale mbrapsht në gojë. Vlen të nënvizojmë që lavazhi nazal në shumicën e rasteve zgjidh më së miri problemin e kollës.

 

KLINIKA VERA VIRHOV

KONTAKT (04) 222 6 441 +355 68 60 64 320 +355 68 20 31 903 [email protected]

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.190, muaji prill

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top