Nuk bëhet fjalë për një çështje thjesht estetike, të cilën në mungesë të komoditetit mund ta mbulojmë dhe të ndihemi mirë. Është shumë më tepër se kaq. Plagët kronike të këmbëve shoqërohen me dhimbje, ënjtje dhe dobësim të lëkurës, dhe kjo është serioze. Varicet, siç i njohim në kulturën popullore, kapilarët e kuq apo ulcerat, plagë të hapura në lëkurë, janë tregues se diçka nuk po shkon me shëndetin tuaj, dhe në rastin që ato i vini re me sy të lirë, është e udhës t’i bini pas dhe të merrni konsultën e mjekut specialist për kontrollin dhe vazhdimësinë e tyre.
Në Shqipëri, për fatin tonë të mirë, kanë mundur të hyjnë metodat më të fundit të trajtimit të sëmundjeve të venave të sëmura. Pranë Klinikës Mjekësore Vera Virhov ndiqet një protokoll sipas standardeve perëndimore, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për personat që vuajnë nga këto sëmundje.
Një në 100 persona në botë vuan nga plagët kronike të këmbëve, të shkaktuara nga sëmundjet e venave. Ky raport dëshmon qartë përhapjen e kësaj sëmundjeje, e cila mund të kthehet në kërcënim për jetën nëse mjekimi është i vonuar apo nuk bëhet siç duhet. Arritja te shkaku i këtyre plagëve përcakton edhe skemën e trajtimit të tyre. Sëmundjet e venave të këmbëve janë shumë të shpeshta në popullatë, por vetëm format e rënda të tyre shkaktojnë plagë në lëkurën e kërcinjve. Fatkeqësisht, këto plagë janë shumë rezistente ndaj trajtimit, kanë tendencë të zmadhohen me kalimin e kohës ose të rihapen pas njëfarë kohe që ato kanë qenë të mbyllura. Për këtë arsye, këto plagë njihen si ulcera kronike të këmbëve. Njerëzit që kanë ulcera kronike të këmbëve vuajnë me vite prej tyre. Dy janë llojet e sëmundjeve venoze që mund të shkaktojnë plagë të tilla: tromboza e venave dhe varicet (venat varikoze). Trombozat e venave të këmbëve është sëmundje e rëndë akute që shkaktohet nga bllokimi i venave nga gjaku i mpiksur dhe që shfaqet me ënjtje dhe dhimbje të menjëhershme të gjymtyrës dhe vështirësi për të ecur. Kjo sëmundje mund të rrezikojë jetën e pacientit në rastet kur komplikohet me trombozë në mushkëri (tromboemboli pulmonare). Pacienti që kalon një trombozë të venave të këmbëve mbetet me ënjtje të theksuar të këmbës së prekur. Shfaqja e ulcerave apo plagëve kronike ndodh disa vjet pasi pacienti ka kaluar një trombozë në atë këmbë. Varicet, nga ana tjetër, janë një sëmundje shumë e shpeshtë që karakterizohet nga zgjerimi i venave sipërfaqësore të këmbëve. Edhe në këtë sëmundje, plagët kronike ndodhin kur pacienti ka shumë vite me sëmundjen dhe nuk është trajtuar. Si në rastin e trombozave edhe në rastin e variceve, zhvillimi i plagëve ndodh për shkak të vështirësisë së gjakut për të kaluar në venat e sëmura.
Shenjat që paraqet Ulcerat kronike venoze apo plagët e këmbëve të shkaktuara nga sëmundjet e venave zhvillohen gradualisht. Si rregull, fillimisht shfaqet ënjtja dhe njolla të errëta ngjyrë kafe në lëkurën e pjesës së poshtme të kërcirit. Njollat e errëta zmadhohen dhe theksohen dhe lëkura në këto zona hollohet. Këto janë shenja pararendëse të ulcerave. Në këtë stad, ulcera mund të hapet papritur, pa shkak ose pas një traume fare të lehtë në zonën e dëmtuar. Fillimisht, ulcera është një plagë e vogël, që nuk dhemb, me buzë të çrregullta, me sekrecione të pakta, pa erë dhe me lëkurën rreth e qark pak të skuqur. Me kalimin e kohës, ulcera jo vetëm që nuk mbyllet, por zmadhohet, sekrecionet shtohen ndjeshëm dhe mund të kenë erë të keqe nga rritja e mikrobeve në to. Ulcerat mund të jenë një ose disa në afërsi të njëra-tjetrës. Sa më e madhe bëhet ulcera, aq më e vështirë është të shërohet
Trajtimi i ulcerave kronike
Për të përcaktuar strategjinë e trajtimit të ulcerave kronike të këmbëve, së pari duhet sqaruar nëse shkaku është bllokimi i venave nga tromboza apo zgjerimi i venave, pra, varicet. Në shumicën dërrmuese të rasteve, për këtë mjafton ekzaminimi Eko Doppler, apo siç njihet, ekografia me ngjyra. Në raste më të rralla është e nevojshme të kryhet venografia, pra, grafia e venave të këmbës me kontrast. Trajtimi lokal i plagës me qëllim mbajtjen e saj pastër për të evituar infeksionin, bandazhi me presion dhe çorapet elastike që synojnë të ulin ënjtjen e kërcirit dhe të ndihmojnë lëvizjen e gjakut në venat e sëmura. Në disa raste, ky është i vetmi trajtim që mund të bëhet. Trajtimi me medikamente që përmirësojnë qarkullimin e gjakut është ndihmues gjatë trajtimit të ulcerave të këmbëve. Trajtimi kryesor, që siguron mbylljen e shpejtë të ulcerës dhe ul rrezikun e përsjes së tyre, është trajtimi i vetë venave të sëmura. Në rastin kur shkaktare është sëmundja e variceve, trajtimi është më i thjeshtë dhe më i suksesshëm. Ai synon eliminimin e venave të zgjeruara dhe mund të bëhet sipas rastit me disa metoda, skleroterapi, trajtim me djegie termike (Radiofrekuence apo Laser) apo operacion kirurgjikal. Në shumicën e rasteve, për të arritur rezultate të qëndrueshme, nevojitet kombinimi i disa metodave. Në rastin e ulcerave të shkaktuara nga tromboza, ndërhyrja në venat e mbyllura është më e vështirë. Në këto raste mund të bëhet hapja e venave të bllokuara me rrugë endovaskulare me balona dhe stente dhe në disa raste edhe trajtim i kombinuar me operacion kirurgjikal. Në të gjithë rastet, gjithsesi, për të ulur rrezikun e përsëritjes së ulcerës së mbyllur, është e domosdoshme mbajtja vazhdimisht gjatë ditës e çorapeve elastike të përshtatshme deri poshtë gjurit.
KLINIKA VERA VIRHOV
KONTAKT (04) 222 6 441 +355 68 60 64 320 +355 68 20 31 903 [email protected]
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.189, muaji Mars
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.