Marrëdhënie

June 24, 2016 | 8:40

Klodian & Dorina Duro: Kur je i dashuruar bën gjëra të bukura edhe në profesion

1E kush nuk e njeh Klodian Duron?! Ish-futbollistin me emër të Kombëtares shqiptare, lojtar i shkëlqyer në Bundesligën gjermane dhe jo vetëm. Prej më shumë se një viti ka mbyllur me sukses karrierën e tij në fushën e gjelbër. Specializimet në UEFA kanë zënë vend në angazhimet e Duros. E meriton të bëhet një trajner sipas të gjitha standardeve që kërkon tregu futbollistik, ambicie që, sipas futbollistit, do përkushtim dhe seriozitet për të arritur performancën më të mirë. Për herë të parë vjen në një rrëfim krejt ndryshe për lexuesit, në një bisedë të çlirët e plot emocione. Klodian Duro na tregon për të mirat e tij, ato që përveç profesionit, e bëjnë ta mbajë kokën pas e të dorëzohet pa kushte. E këtu e ka fjalën për familjen e tij të mrekullueshme, për bashkëshorten, Dorinën, së cilës ia ka mësuar shumë mirë të fshehtat e futbollit dhe, për të veçantën, vajzën e tij të vetme Deana, e cila preferon ta thërrasë babi Dudi. …Ishte vera e vitit 2005. Një ndjesi e fortë brenda vetes ia përforconte edhe më shumë idenë e kthimit njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Edhe pse në kulmin e karrierës, vendi nuk e mbante. Kujtesa kish mbetur në ato çaste të cilat nuk mund të veniteshin lehtë. Arsyeja për të lënë gjithçka pas, në fakt, ia vlente. “Në këtë mes kish vështirësi”, pohon Klodiani, sepse kthimi tek ekipi i Tiranës kërkonte gjithashtu sakrifica. Por, ai e bëri zgjedhjen. E këtu e ka fjalën për motivin që i dha një kuptim të ri jetës së tij në ato çaste. Dorina, atë kohë ishte gjimnaziste, në vit të fundit te “Petro Nini Luarasi”. Pritshmëritë e saj ishin të larta për degën që kishte zgjedhur të ndiqte në fakultet. Klodian & Dorina Duro E megjithatë zemrën nuk e mbajti peng.

Pavarësisht kohëve të pakta pranë njëri-tjetrit, të besuarit tek ajo ndjenjë do t’i kurorëzonte shpejt si çift. Dorina kujton se mungesa e informacionit për futbollin e shtyu të mësonte më tepër edhe për njeriun që, pak nga pak, po e rrëmbente të tërën. Mandej takimet dhe njohja nga afër me një profesion të tillë, dalëngadalë po e bënin gjykuese të aftë. Ish-mesfushori dhe sulmuesi Duro thotë se ishin impulset e brendshme dhe natyrat si çift që i pajtuan ndjesitë e tyre. “Kjo ka qenë pjesa më e bukur. Dorina ishte motivi që unë isha shumë i fortë edhe në futboll. Kur je i dashuruar bën gjëra të bukura edhe në profesion”. Për futbollistët, rrëfen Duro, “është shumë e vështirë të krijosh një lidhje të qëndrueshme. Nuk jemi as të parët dhe as të fundit. Dori nuk njihte asgjë nga futbolli, e kujtonte si lojë. E kemi pasur këtë vështirësi, por, të krijosh një lidhje të fortë, duhet besimi në mes. E kur ai krijohet natyral dhe i shëndoshë, ndiqet nga jetëgjatësia në çift. Kam qenë vetvetja me gjithë gabimet e mia, ky kam kërkuar të jem. Jo çdokush ka anët e mira. Nëse je i vërtetë, çdo gjë krijohet, lind e fortë dhe shkon shumë gjatë”. Në bisedë e sipër, Dorina thotë se: “Klodi është shumë më i duruar se unë, kjo ndoshta dhe për faktin se femrat kanë tjetër ngarkesë në përditshmëri. Por, natyra e tij, të marrit gjërat më me qetësi dhe durim ndikojnë në qëndrueshmërinë e marrëdhënies sonë”. Për Klodian Duron, “fakti i të rriturit në familje tradicionale, me modele përkushtimi dhe mirënjohjeje ndikojnë në një raport të shëndoshë familjar. Sapo mbaroj detyrimet profesionale që kam, rend për të takuar njerëzit e dashur. Aktualisht jemi shumë pranë njëri-tjetrit, përveç katër ditëve që m’u desh të shkoja në kursin e UEFA-s në Zvicër”.

Të ndjekësh ëndrrën me dashurinë pas

Sakrificat për hir të dashurisë i kanë bërë të dy. Falë mirëkuptimit të pozicioneve nga ky gjendeshin dhe për shkak të rrethanave, të dy ndoqën pas filozofinë se ku do të ishte njëri, do të ishte dhe tjetri. Kjo për t’i dhënë secilit shansin e merituar. Kur Klodi ishte lojtar me ekipin kombëtar, vonesat apo mungesat e tij Dorina i mirëkuptonte. “E vetmja periudhë e vështirë në fillim, – thotë ajo, – ishte kur m’u desh të ndërprisja shkollën për të ndjekur pas Klodin me ekipin e Qipros”. Por, fati e desh që studimet në degën “Interior Design” të merrnin udhën e duhur. Ndërkohë që Klodi luante në fushën e blertë, bashkëshortja e tij mundi të ndiqte studimet në Universitetin e Qipros. Por, edhe gjatë kësaj periudhe, mesfushori dhe sulmuesi i njohur Klodian Duro do të kërkohej nga një tjetër ekip i rëndësishëm futbollistik. Bundesliga e Vjenës ishte shkëlqimi i radhës. Dorina edhe këtë herë do të duhej të ndërpriste studimet, sërish në vitin e fundit, pak para diplomës. Por kjo nuk i zbehu aspak pritshmëritë e të dyve. Zgjedhur të qëndrojnë krah njëri-tjetrit, në të mirë dhe në të keq, ata zgjodhën të ishin sërish bashkë. “Ne kemi rënë gjithnjë dakord, pavarë- sisht kushteve, – thotë Duro. – Kur u kthyem në Shqipëri, Dorina solli në jetë vajzën. Mua m’u desh të përkujdesesha për Deanën gati 18 muaj. Karriera nuk ma kishte lejuar kurrë mundësinë të qëndroja pushim kaq gjatë, por e shijova shumë. Isha njëqind për qind i përqendruar te familja ime. Ndërkaq Dori pati mundësi të përfundonte shkollën. Dhe ja ku jemi sërish bashkë, për të vijuar punët. Për fat të mirë e shijojmë jetën në dy. Jemi tipa që u japim zgjidhje problemeve me një menaxhim të mirë”. Të ndash “superfuqitë” apo detyrat e shtëpisë, për secilin ka qenë përkushtim më vete. Për Duron, ndihmesa, ofrimi i rregullit, estetikës në familje nuk ishte problem. “Syri im i do gjërat e rregullta. Kemi dhe gjëra që na përkojnë. Jemi të kujdesshëm. Kjo është trashëguar nga familja, ka të bëjë me modele për të krijuar jetën tënde personale familjare. Edhe këto mënyra sjelljeje e mbajnë afër lidhjen”. Dorina gjithashtu thotë se: “Kur nisëm të bashkëjetonim, Klodi më ndihmonte më shumë nga sa mund ta mendoja. Klodi edhe sot nuk i ka humbur ato ndjesi që një gjë që e bën rrëmujë vetë, ta sistemojë po vetë. Unë u mburrem shpesh dy motrave të mia: Klodi nuk ma lë asnjëherë pasqyrën me ujë në mëngjes. Është i përpiktë”. Të marrësh këshillën e një femre që nuk është nëna jote, për Klodian Duron, ka shumë rëndësi. “Vetë lidhja dhe krijimi i një familje kërkon që shumë gjëra të jenë në të njëjtën linjë. Një njeri që i thotë vetes: ‘I marr unë vendimet për çdo gjë’, nuk mendoj se ka të drejtë. Vetë natyra jonë si meshkuj na vendos para vështirësive. Mund të na ndodhë që të marrim vendime edhe vetë, mendësia, vetë jeta duke të lidhur me shumë realitete. Por, pa i përjashtuar, familja nënkupton diçka të rëndësishme. Ne jemi shumë të kënaqur me jetën, familjen atë që kemi ndërtuar vetë”. Për Dorinën: “Është detyrë e rëndësishme dhe e jona që të dimë çfarë të japim dhe në cilën mënyrë ta japim. Në fillimet e mia nuk kisha fort dijeni për futbollin dhe kjo ishte pengesë. M’u desh disa muaj që edhe unë të përjetoja ashtu si ai çastet e vështira apo të lumtura në profesion. Edhe unë përkushtohesha. Klodi ishte i hapur që të pranonte një mendim timin. Mendoj se çdokush që përqendrohet, fokusohet, do të mësojë, diçka rreth tjetrit dhe arrin të japë mendimin e duhur e të pranohet nga partneri”. Me bindje dhe vetë ish-futbollisti pohon se: “Dori është në gjendje ta kuptojë futbollin siç është sot, një industri shumë e madhe, biznes që prodhon shumë para, por që atë që vë re unë është se femrat, edhe pse nuk e kanë kuptuar shumë futbollin, kanë shqisën e gjashtë, i kanë gjërat më të qarta se ai që është brenda futbollit. E në këto kohë duhet një logjikë e ftohtë, e drejtë për ta kalkuluar mirë”.

Sfida: Të drejtoj ekipin kombëtar!

Ai preferon të mos nxitohet në hapat që hedh. Përpiqet t’i bëjë gjërat më mirë vonë, por saktë. Në aspektin profesional i është dashur kohë e gjatë që bashkë me përkushtimin sportiv, të bënte një shkëputje të gjatë, pothuaj mbi një vit. E ka dëshiruar vetë këtë gjë. Familja ia ka mbushur edhe më shumë këtë hapësirë. “Mendimi im ishte që, edhe pa përfunduar karrierën në fushë, të mbyllja të gjitha kurset e trajnerit. Më pëlqen ky rol, sepse pas futbollit ka shumë detyra ku njeriu duhet t’i bëjë një pyetje vetes: ku e shikon veten dhe çfarë pune dëshiron të bëjë? Unë ia kam bërë shumë herë këtë pyetje vetes dhe realisht kam dëshirë të jem pranë futbollit. Janë dy poste që e shikoj veten se mund t’i bëj. Roli i trajnerit apo ai i drejtorit teknik të një ekipi futbolli. Nuk dua të nxitohem. Dua të gjej njerëzit e duhur, klubin e duhur dhe të marr vendimin e duhur, në kohën e duhur, për të mbërritur në një karrierë që nuk do të jetë e lehtë, por shumë e vështirë, për këtë jam i ndërgjegjshëm. Shkallët duhet t’i ngjitësh të sigurta dhe ngadalë. Kam dhe unë idetë e mia që realisht dua të mbeten gjithmonë të miat në një punë të re. Edhe pse kam luajtur në nivelet më të larta, në rolin e trajnerit është komplet tjetër gjë. Dhe është e ndryshme. Trajner janë bërë edhe ata që nuk kanë luajtur ndonjëherë futboll dhe janë bërë të suksesshëm. Instinkti im ka qenë i prirë dhe unë e pres. Nuk i krijoj vetes stres e padu – rim”. Klodian Duro ka shumë besim te vetja, ashtu si atë kohë kur u bë dikush në futboll. “Unë i për – kas botës së futbollit, prandaj çdo njeriu i uroj të ndjekë atë që ka prirje t’i shkojë nga prapa”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.90

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top