“Ju jepni shumë pak kur jepni nga pasuria juaj. Është kur jep nga vetja që jep vërtet”. Kahlil Gibran
Dhe kështu jemi pothuajse aty, koha e vitit që shumë njerëz e presin me kaq shumë gëzim dhe entuziazëm ka ardhur: periudha e festave të fundvitit. Duke nisur që në një dhjetor, përfshihemi nga kjo atmosferë duke kujtuar ngjarjet domethënëse që kanë karakterizuar rrugëtimin tonë, ndryshimet e ndërmarra, njerëzit që na shoqëruan në udhëtimin tonë. Disave u pëlqen të imagjinojnë se çfarë i pret në vitin e ri dhe ndërkohë, lëkundemi në një vorbull gazmore që lajmëron fillimin e festave. Ajo që shoqëron këtë atmosferë, që në ditët e para të muajit, është zgjedhja e dhuratave që do të blihen.
Por pse jemi të detyruar të blejmë diçka? Për studiuesit, nis nga tradita fetare, dëshira për t’u plotësuar disa kërkesa më të vegjëlve, e mandej është zhvilluar edhe për më të rriturit. Duke e lënë mënjanë traditën, ky mendim në thelb i vlefshëm, duket se në kohët moderne është shndërruar si një detyrim, (qoftë edhe financiar), më shumë se sa një objekt shenjë dashurie. Por jo gjithçka duhet të lidhet me vlerën e materies. Ndaj dhe pedagogjistët tërheqin vëmendje kur shprehen se “duhet të mësohemi dhe t’i mësojmë fëmijët me “pak por të vlefshëm”. Është një pasuri e pafund, të cilën ata meritojnë ta përjetojnë që kur janë të vegjël. Dhe nuk ka asnjë gabim në këtë.
Synimet tona janë gjithmonë zgjedhje dashurie, por ndonjëherë na kaplon entuziazmi dhe na ndodh ta ekzagjerojmë pak. Por nëse ndalemi për të reflektuar, do të kujtojmë gjithashtu nga përvoja jonë personale se janë “gjërat e vogla” ato që bëjnë vërtet ndryshimin.
Ajo që ka ndryshuar vërtet në shoqërinë e sotme është se ne mendojmë se mund të blejmë gjithçka. Megjithatë, ka gjëra që mund t’i marrim… vetëm nëse japim. Le të ndalemi për një moment dhe të mendojmë se si ta kalojmë vërtet mirë këtë periudhë të vitit. Çfarë mund t’u japim njerëzve të afërt për t’i bërë ata të ndihen mirë? Dhënia e kohës, për shembull, nuk duhet të mbetet një utopi.
Koha në shoqërinë e sotme është diçka vërtet e çmuar. Nuk kemi asnjëherë momente të lira: pikërisht për këtë, kur zgjedhim t’ia kushtojmë dikujt, ia shtojmë vlerën. Kur vendosim të ndajmë disa orë me një person, qoftë familjar, mik, ne po dhurojmë një pjesë të vetes, po ia bëjmë vetes si dhuratë. Dhe në realitet, është më e thjeshtë nga sa mendojmë.
Nëse nuk duam të shkëputemi nga rrënjët e festave mund të gjejmë mënyra! Mundet një biletë udhëtimi që përfshin të gjithë familjen për disa ditë! Një vizitë në muze, park argëtimi, për fëmijët më të vegjël, një biletë koncerti nga grupi i preferuar për fëmijën adoleshent, disa prerëse biskotash për t’i bërë me gjyshen etj.. Gjyshërit mund të jenë vërtet më të lumtur nëse zgjedhim të kalojmë disa orë më shumë me ta, ndoshta duke u ulur për të biseduar dhe duke i dëgjuar me interes të sinqertë. Miqtë dhe familjarët do të habiteshin kur të dinin se ne kemi zgjedhur t’u dhurojmë atyre një moment të veçantë duke bërë diçka që të gjithëve u pëlqen (shëtitje në mal, një kafe në bar apo një drekë apo darkë në restorant).
Eksperienca së bashku, kohë për të tjerët, kohë edhe për t’i dhënë vetes, atë që na ofron toka jonë e dashur (gjithçka që na kthen në natyrë na mban pranë thelbit tonë të vërtetë, me ritmet natyrore të njeriut). Megjithatë kujdes… këto janë dhurata që na kushtojnë më shumë për sa i përket mundit dhe mendimit. Është shumë më e lehtë të blesh një objekt me nxitim sesa të reflektosh se çfarë do të ishte vërtet e mirë për një person të dashur për ty. Por rezultati mund të shihet më pas dhe kompenson gjithçka. Marrëdhëniet janë dhurata më e madhe që mund t’u bëjmë, të tjerëve dhe vetes. Vajzat dhe djemtë e vlerësojnë kalimin e një dite me familjen e tyre shumë më tepër sesa një lodër.
Jemi të vetëdijshëm se kemi shumë pak kohë mes punës dhe rutinës së përditshme. Le t’i kushtojmë momentet që mundemi, nuk kemi nevojë për gjëra të mëdha, është mendimi ai që ka rëndësi. A janë të ndaluara objektet materiale? Është e qartë se jo, nuk duam të marrim masa ekstreme… nuk ka asgjë më të bukur se sa t’i dhurojmë diçka që e dimë se personi që duam t’i bëjmë një dhuratë do t’i pëlqente shumë. Do të thotë që e njohim, se kujdesemi për të dhe se e kemi në mendimet tona.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.