Nga larg, nëntori ngjan si një muaj i qetë, ku pemët zhveshin ngadalë ngjyrat e tyre të arta, ajri bëhet më i ftohtë dhe ditët më të shkurtra. Por nën këtë vello paqeje prej të natyrës, për shumë njerëz fillon një periudhë më e brishtë e shëndetit mendor. Muaji nëntor shënon jo vetëm kalimin nga vjeshta drejt dimrit, por edhe një ndryshim të ndjeshëm në gatishmërinë, energjinë dhe ritmin jetësor.

Në këtë analizë, do të shqyrtojmë se si mungesa e dritës natyrore, ulja e energjisë, izolimi social dhe vetëdija për këtë periudhë ndikojnë në shëndetin mendor.
Mungesa e dritës – Një nga faktorët më të diskutuar nga psikologët në këtë periudhë është ndikimi i dritës natyrore. Sipas psikiatres amerikane Norman E. Rosenthal, e cila në vitet ’80 identifikoi dhe përshkroi për herë të parë Çrregullimin Afektiv Sezonal (SAD), mungesa e dritës diellore në muajt e dimrit çon në një çekuilibër të hormoneve të trurit, veçanërisht melatoninës dhe serotoninës. Melatonina ndikon në gjumin dhe ritmet biologjike, ndërsa serotonina në humorin dhe energjinë tonë. Nëntori, me ditët e tij të shkurtra e shpesh të zymta, ul prodhimin natyror të serotoninës, gjë që lidhet me simptoma të depresionit si lodhja, trishtimi i pashpjegueshëm dhe humbja e interesit për aktivitete që më parë ishin tërheqëse. Trupi kërkon më shumë gjumë, por paradoksalisht, pushimi nuk sjell rikuperimin emocional të dëshiruar.
Ulje e energjisë – Nëntori duket sikur kërkon nga ne të ndalemi. Dhe ndoshta natyra vetë po na fton të ngadalësojmë ritmin. Por për shumë njerëz, kjo “ftesë” nuk përjetohet si çlodhje, por si humbje e energjisë jetësore. Sipas teorisë së homeostazisë psikologjike, trupi dhe mendja përpiqen të ruajnë një ekuilibër të brendshëm. Por kur mjedisi ndryshon papritur, si në rastin e kalimit nga drita në errësirë, nga nxehtësia në ftohtë, ky ekuilibër tronditet. Hans Selye, pionier i studimeve mbi stresin, do ta quante këtë një formë të “stresit ambiental”, që kërkon një përshtatje të brendshme, shpesh me kosto emocionale.
Izolimi social – Me ardhjen e nëntorit, shumë njerëz përjetojnë një zvogëlim të kontakteve sociale. Ditët më të shkurtra, moti i ftohtë dhe nevoja për të qëndruar në shtëpi e bëjnë më të vështirë ruajtjen e lidhjeve sociale. Kjo çon në një ndjenjë të izolimit, e cila, sipas teorisë së psikologut John Cacioppo mbi vetminë, mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor dhe fizik, duke rritur rrezikun për depresion dhe ankth. Në mënyrë ironike, në kohën kur kemi më shumë nevojë për ndjenjën e përkatësisë, jemi më të prirur të tërhiqemi. Dhe ky izolim shpesh nuk ndodh sepse nuk kemi njerëz rreth nesh, por sepse mungon energjia për të ndërvepruar.
Vetëdija dhe pranimi – Në mes të këtij peizazhi emocional të ndërlikuar, vetëdija luan një rol kyç. Psikoterapia bashkëkohore, veçanërisht qasjet si Terapia e Pranimit dhe Angazhimit (ACT) dhe Vetëdija – Bazuar në Terapinë Konjitive, e vendosin pranimin e emocioneve sezonale si hapin e parë drejt shërimit. Duke kuptuar se këto ndjesi nuk janë “dobësi”, por përgjigje natyrale të trupit dhe mendjes ndaj ndryshimeve ambientale, individi mund të marrë hapa për t’u kujdesur për veten: ecje në natyrë gjatë orëve me dritë, aktivitete kreative në ambiente të brendshme, ose thjesht ndarja e emocioneve me dikë të besuar.
Qetësia si formë fuqie
Nëntori na mëson të qëndrojmë me veten. Nuk është rastësi që shumë kultura shohin në këtë muaj një kohë reflektimi, përkujtimesh dhe përgatitjeje për dimrin. Në vend që ta shohim këtë periudhë si rënie, mund të mësojmë ta interpretojmë si një kohë rimendimi, një mundësi për të forcuar lidhjen me veten dhe për të ndërtuar qëndrueshmëri emocionale. Ashtu si natyra qetësohet për të rifilluar më e fortë, edhe ne mund të përdorim nëntorin si një kohë të brendshme pro qetësisë, jo të dorëzimit, si edhe të mbledhjes së forcave për atë që do të vijë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

