Kemi dëgjuar shpesh të thuhet për dhimbjen shpirtërore, atë emocionale e psikologjike se ‘mos u mërzit, koha do t’i shërojë plagët’, ose ‘do harrohet, thjesht jepi vetes pak kohë’, e shumë fraza të tilla. Por a është kjo e vërtetë? A shëron koha?
Nga Marsjola Domi, psikologe klinike
JO, përgjigja është JO. Koha nuk shëron! Koha kalon, intensiteti i përjetimit të gjendjes së caktuar negative bie gradualisht në mungesën e ngacmuesve që do ta risillnin një përjetim të ngjashëm. Në momentin e parë që personi do të përballet me një situatë e cila do të shërbejë si një trigger, një ngacmues , atëherë i gjithë përjetimi do të rishfaqet sërish. Kjo nuk ndodh sepse personi është i dobët, ose sepse nuk mund të kontrollojë reagimet e tij. Kjo ndodh sepse ne nuk jemi free will = të lirë për të vendosur si mendojmë se jemi. Truri jonë i merr vendimet përpara se ne të bëhemi të vetëdijshëm për to, kështu që ne nuk zgjedhim të reagojmë në një mënyrë të përshtatshme apo të papërshtatshme në një situatë të caktuar me dëshirën tonë. Ky zbulim u realizua nga eksperimenti që u zhvillua nga Benjamin Libet, i cili zbuloi se vendimi merrej nga truri shumë më herët sesa individi të bëhej i vetëdijshëm për të. Eksperimenti u realizua në një grup individësh ku u kërkohej të vinin re pozicionin e një pike lëvizëse brenda një fushe rrethore të ngjashme me një orë, dhe kur të merrnin vendimin për të ndaluar pikën brenda kësaj fushe të lëviznin gishtin. Këtu Libet zbuloi se vendimi ishte marrë në tru 350 milisekonda përpara se individi të bëhej i vetëdijshme për të.
E duke qenë se truri është një bazë të dhënash, ai do të reagojë në të njëjtën mënyrë sa herë do të përballet me një ngacmues të ngjashëm/ familjar/ të njohur për të, pavarësisht sa kohë e gjatë apo e shkurtër mund të ketë kaluar nga një ngjarje e shkuar, e cila mund të ketë qenë shumë e rëndësishme për dikë.
Ndaj, mos prisni që koha të shërojë ‘plagët’ tona të vjetra, por merrni guximin, gjeni fuqinë dhe kërkoni ndihmë, sepse ekziston një terapi si BWRT, e bazuar në neuroshkencë, e krijuar nga Terenc Watts, ku klienti nuk ka nevojë të japë informacione personale, e cila është shumë e shpejtë dhe efikase, me rezultate permanente, lehtësisht e aplikueshme online, ku ju mjafton të keni dëshirën për të ndryshuar një përgjigje, një reagim ndaj një situate të caktuar, ajo çështje punohet dhe mbyllet aty.
Koha nuk shëron, të kërkuarit ndihmë shëron, psikoterapia shëron.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.