Një sy gjumë i shpejtë në disa kultura konsiderohet të jetë një shenjë e përtacisë, ndërsa në kulturat e tjera, si në Japoni, shihet si shenjë e përkushtimit në punë. Cilido qoftë besimi juaj, ne të gjithë e kemi provuar se bërja e një sy gjumë të shpejtë është freskuese dhe nxit shkathtësinë tonë mendore, madje edhe shkenca rekomandon që ta bëni.
Ja se sa kohë duhet të dremisni dhe cilat janë përfitimet:
10-20 minuta: Për një nxitje të shpejtë të vigjilencës
Sipas ekspertëve, një dremitje prej 10-20 minutash ju jep nxitje më të mirë për të përballuar ditën. Është ideale për rritjen e vigjilencës dhe ngritjen e niveleve të energjisë. Kohëzgjatja e shkurtër e një dremitje të tillë është projektuar për të parandaluar që dremitësit të kalojnë në gjumë të thellë. Kjo mundëson që të mos ndiheni të trullosur, pas zgjimit të menjëhershëm.
Por, siç e dimë të gjithë, ngritja nga gjumi pas një dremitje të tillë është e vështirë, prandaj rekomandohet që të dremisni ulur në pozicion vertikal. Gjithashtu, të dremiturit pas drekës, rreth orës 3 ose 4, do t’ju ndihmojnë në largimin e dëshirës për ushqime të pashëndetshme dhe reduktimin e hormoneve të stresit që e bëjnë që trupi të shtojë në peshë.
30 minuta: Thuajini lamtumirë lodhjes!
Dremitja për 30 minuta mund ta bëjë edhe më të vështirë daljen nga gjumi, ama për përfitimet që ajo jep ja vlen të zgjoheni me zor. Një dremitje e tillë e shkurtër ka treguar se përmirëson funksionimin e kujtesës, ul stresin, rrit fokusin, ul rrezikun e diabetit dhe parandalon demencën.
Ekspertët thonë se ju do t’i bëni disa të mira vetes nëse bëni një sy gjumë prej 30 minutash në mes të ditës, pasi trupi dhe truri, pasi kanë qëndruar zgjuar për 7-8 orë, duhet të rinovohen.
60 minuta: Për përpunimin e aftësive njohëse të kujtesës
Nëse puna juaj përfshin shumë aktivitete mendore, kjo mund të jetë kohëzgjatja ideale e dremitjes për ju. Me një orë gjumë, ju gjithashtu bëni një gjumë të thellë, i cili ndihmon në përtëritjen e trurit dhe rrit aftësinë e tij njohëse, si dhe aftësinë e tij për të kujtuar fakte dhe shifra.
Gjithashtu ju ndihmon të luftoni mërzinë. Nga ana tjetër, megjithatë, hyrja në gjumë të thellë do të thotë se ju do të zgjoheni duke u ndjerë pak të trullosur dhe duhet të kaloni pak kohë deri sa të vini në vete.
90 minuta: Cikël i plotë gjumi
Ky është një gjumë i plotë i cili përfshin të dy fazat, të lehta dhe të thella të gjumit. Ju gjithashtu mund të përjetoni edhe REM-in (lëvizjen e shpejtë të syve), një fazë e lidhur me ëndërrimin.
Sipas studiueses të gjumit Dr. Sara Mednick, një gjumë prej 90 minutash është i dobishëm për shëndetin fizik dhe mendor. Përmirëson kujtesën dhe rrit kreativitetin. Dhe pjesa më e mirë është se është më e lehtë të zgjoheni nga ky gjumë pa u ndjerë të trullosur.
Përfitimet e dremitjes:
- Zvogëlon ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga probleme të zemrës
- Redukton stresin kardiovaskular
- Redukton presionin e gjakut
- Zvogëlon rrezikun e diabetit
- Ndihmon në humbje peshe
- Parandalon demencën
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.