Mirëqenie

September 22, 2018 | 10:28

Kontrolli shëndetësor periodik, moralisht i detyrueshëm

Sa rrezikojmë duke mos u kontrolluar sistematikisht? Shqipëria renditet ndër vendet me numër të lartë të të sëmurëve për frymë kundrejt vendeve të BE-së. Kjo sipas statistikave njihet si neglizhencë në kulturën e kujdesit shëndetësor. Sipas teknikes së laboratorit dhe sociologes në Euroklinik, Mamica Gogo, kjo ndodh pasi si popullsi ushqehemi pa kontroll, nuk merremi me aktivitet sportiv, e mbi të gjitha, nuk bëjmë kontrolle sistematike mjekësore. 

Cilat janë analizat që duhen bërë saktësisht sipas gjendjes shëndetësore, moshës, gjinisë, llojit të punës, peshës fizike, etj., znj.Gogo i përcjell përmes kësaj interviste, që sipas saj vjen dhe si detyrim ndaj njerëzve, për t’i ndërgjegjësuar ata të fusin në programin e tyre edhe kontrollin mjekësor periodik, njësoj siç programojmë pushimet verore apo dimërore.

Përse duhet të kontrollohemi në mënyrë sistematike me analiza standarde laboratori?

Sa herë na ndodh të ankohemi se na dhemb koka, na dhembin kockat, na merren mendtë, kemi kriza nervore, ndjehemi pa arsye e shumë të lodhur, se nuk bëjmë gjumë të rehatshëm etj. Në shumicën dërrmuese të këtyre rasteve nuk ka asgjë konkrete për t’u shqetësuar. Ndoshta pak rrufë, ndoshta një ditë e lodhshme pune, ndoshta kemi natyrë alergjike, ndoshta konsum i tepërt i duhanit, i kafesë shkaktojnë shqetësime të cilat shpesh kalohen lehtë dhe pa nevojë medikamentesh apo konsultash mjekësore. 

Mirëpo ne nuk mund t’ia lëmë në dorë rastësisë shëndetin tonë, sepse statistikat flasin qartë. P.sh: Shqipëria numëron më shumë se 65 000 diabetikë të çfarëdo moshe, rreth 3000 raste zbulohen çdo vit, ose sëmundjet kardiake, të cilat shkaktojnë rreth 9000 viktima çdo vit në vendin tonë dhe shumë e shumë sëmundje të tjera. Në përgjithësi, Shqipëria futet në vende me numër të lartë të të sëmurëve për frymë kundrejt vendeve të BE-së. Dhe për këtë ka vetëm një përgjigje. Ne shqiptaret, nuk kemi kulturën e kujdesit shëndetësor. Ushqehemi pa kontroll, nuk merremi me aktivitet sportiv, e mbi të gjitha, nuk bëjmë kontrolle sistematike mjekësore.

Edhe për ata që punojnë dhe në vendin e punës i kërkohet një raport mjekësor për aftësinë në punë, shpesh është një raport fiktiv dhe shumë i limituar në ekzaminime. Kujdesi për shëndetin është çështje kulture dhe edukate, dhe shumë më pak çështje ekonomike. Secili nga ne shpenzon për gjëra me rëndësi të vogël e ndërsa për shëndetin që është jetik ne nuk shpenzojmë. Mjaft të ndryshojmë prioritetet në jetën tonë dhe mos mjaftohemi me kontrollet rastësore që kemi bërë para 5 apo 10 vjetësh, apo me kontrollet kur marrim patentën. Njeriu çdo ditë të jetës është i ekspozuar ndaj sëmundjeve. Çdo gjë që prek, që ha, që pi, mosha, qëndrimi, ndryshimi temperaturave, një aksident i vogël, stresi e shumë faktorë të tjerë, mund të shkaktojnë dëme në organizmin tonë.

Cilat janë analizat e kontrollit bazë që secili prej nesh mund të kryejë dhe një herë në sa kohë është e mira të kryhen?

Analizat e kontrollit janë të disa kategorive. Ekzistojnë analiza Gjaku, Hormonale, Bio-Kimike, Alergologjike dhe Imunologjike.

Për të përmendur disa:

  • Glicemia Esëll, Glicemia 2 orë pas buke, Hemoglobina e Glukozuar (HBA1C), e cila na jep informacion për parandalimin e rritjes së sheqerit në gjak.
  • Formula e gjakut.
  • AST, ALT, GGT, ALP për kontrollin e Heparit dhe Mëlçisë.
  • Helicobacter Pylor jep shumë shqetësime në stomak. Duhet vërtetuar prezenca e tij për të marrë më pas mjekimin nga mjeku specialist.
  • Elektrolitet në gjak (Na, K, Ca, Mg, Cl). Secili prej këtyre elementëve kryen një funksion specifik në organizmin e njeriut dhe mbajtja e tyre në kontroll mundëson parandalimin e shumë sëmundjeve.

Por, se cilat analiza duhen bërë saktësisht, përgjigja është në varësi të mundësive ekonomike të secilit, si dhe në varësi të profilit njerëzor, që nënkupton: sipas moshës, gjinisë, llojit të punës, peshës fizike, etj. E mira është që njerëzit të sensibilizohen dhe të fusin në programin e tyre edhe kontrollin mjekësor vjetor, ashtu siç programojmë pushimet verore dhe dimërore. Ndërsa, për sa i përket frekuencës, siç e thashë edhe më sipër, kontroll periodik i pranueshëm do ishte 1 herë në vit për secilin prej nesh, dhe për ata që kanë mundësi edhe më shpesh.

Cilat janë periudhat vjetore në të cilat këshilloni që të bëhen analizat periodike?

Zakonisht janë ndryshimet e stinëve ato që na ekspozojnë kundrejt rreziqeve më të mëdha, sidomos për njerëzit që vuajnë nga alergjitë, ose sëmundjet e tensionit, apo ato kardiake. Pra, muajt mars, prill, maj ose shtator, tetor, nëntor janë më të këshilluarit për kontrolle.

Cilat kategori njerëzish duhet të tregohen më vigjilentë e që duhet të paraqiten për kryerjen e kontrollit periodik?

Grupet më të ekspozuara janë:

  • Të moshuarit.
  • Mosha pediatrike.
  • Gratë shtatzëna.
  • Duhanpirësit dhe konsumuesit e alkoolit.
  • Të sëmurët kronikë dhe me mjekim të vazhdueshëm.
  • Personat që kanë punë të vështira fizike ose me orare të zgjatura.
  • Personat që nuk merren me aktivitet sportiv.
  • Ata që kequshqehen dhe janë mbi ose nën peshë.
  • Ata që janë alergjikë ndaj ushqimeve, polenave apo kafshëve.
  • Ata që vijnë nga familje që gjenetikisht kanë vuajtur nga sëmundje.

Kjo nuk nënkupton që një sportist nuk ka nevojë për kontrolle, përkundrazi. Sportistët amatorë mund të jenë shumë të ekspozuar ndaj rrezikut, sidomos ata që marrin përforcues proteinikë, asteroide etj., dhe që nuk bëjnë sporte natyrale si vrapimi në natyrë.

Mund të na tregoni pak për Euroklinik?

Patjetër, laboratori jonë ndodhet në Laprakë, pranë Spitalit Ushtarak dhe ushtron aktivitetin prej me shumë se 15 vjetësh. Ndërsa prej më shumë se 3 vjetësh funksionojmë dhe si klinikë mjekësore, duke ofruar shërbim me mjekë të specializuar në fushat e Gastrohepatologjisë, Kardiologjisë dhe Neurologjisë. Për sa i përket analizave mjekësore realizojmë një gamë të gjerë të tyre dhe me çmime shumë të arsyeshme. Jemi një laborator profesional që përdor pajisje të teknologjisë moderne.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top